Në fokus

September 13, 2016 | 7:07

Ankthi i shkollës, adoleshentët më të pasigurt

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Nisja e një viti të ri shkollor është emocionuese për të gjithë, veçanërisht për ata që do të shkojnë për herë të parë në shkollë. Përgatitjet për fillimvitin, takimi dhe njohja me shokë/shoqe të reja bëjnë që shtatori të pritet me dëshirë (pa lënë mënjanë dembelizmin se do të ngrihen herët nga gjumi). Pavarësisht gjithë aspekteve pozitive, për disa të tjerë shtatori mund të shkaktojë frikë, ankth, deri edhe atak paniku.

Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve të papritura të fëmijëve të tyre kur thonë: “jam i/e sëmurë”, apo shfaqin nervozizëm dhe mosdëshirë për të shkuar në shkollë duke sajuar arsye nga më të çuditshmet: “Nuk dua të vete në shkollë”, “nuk më pëlqejnë më shokët dhe shoqet e klasës”, “Nuk më pëlqen mësuesja” etj. Ankthi i shkollës ndodh tek të gjitha moshat, pa pasur rëndësi nëse ti je një adoleshent apo do të shkosh për herë të parë në një klasë të re në nivelin master. Ndryshimi nga një cikël në tjetrin shkakton akoma edhe më shumë stres, pasiguri, të cilat mund të jenë mbartur që nga periudha më të hershme ose që mund të krijohen nga arsye të reja. Megjithatë, më e vështirë është për fëmijët që bëjnë ndryshimin kur shkojnë për herë të parë në shkollë, sepse fillon një përgjegjësi më e madhe, largohen nga vendi i sigurt, që ishte kopshti dhe miqtë e tyre, largohen tani nga mbrojtja e prindërve. Ankthi, frika që ata përjetojnë në disa raste është aq i lartë sa prindërit e kanë të vështirë t’i bindin për t’i çuar në shkollë. Fëmijët mund të ankohen se ju dhemb koka, fyti, barku (dhe nuk e shpjegojnë dot arsyen) menjëherë sapo bëhen gati për të lënë shtëpinë. Refuzimi për të shkuar në shkollë fillon pas një periudhe që fëmijët kanë qëndruar në shtëpi me prindërit, gjyshërit gjatë pushimeve të gjata të verës. Nëse e kanë kaluar periudhën e parë të ciklit fillor me sukses dhe tani u duhet të kalojnë më lart, përsëri ka ndryshime. Pra, ata po shkojnë drejt një rruge të re dhe të panjohur, e cila normalisht do të shkaktojë një nivel të caktuar emocioni, i cili është pozitiv, sepse i angazhon për t’u përshtatur me ndryshimet. Adoleshentët, që ndoshta u duhet të ndryshojnë edhe shkollën për herë të parë dhe u duhet të gjejnë, të përshtaten me shokët dhe shoqet e reja, e kanë akoma më të vështirë këtë ndryshim. Përveç ndryshimeve hormonale dhe fizike që ata kanë, duhet të përballen edhe me ndryshimet e shoqërisë, të cilat janë shumë domethë- nëse për këtë moshë. Adoleshentët janë ata që vuajnë më shumë në të gjitha drejtimet.

“Unë jam e vetmja në klasë që nuk kam asnjë të njohur. Ata të gjithë kanë dikë me të cilin flasin dhe komunikojnë, sepse asnjë prej shokëve të mi të 9-vjeçares nuk është aty. Ndihem shumë vetëm”, shprehet një vajzë që sapo ka filluar gjimnazin. Prindërit duhet të jenë tepër të vëmendshëm ndaj fëmijëve të tyre në këtë periudhë dhe gjendjes së tyre emocionale shpirtërore, sepse fëmijët përjetojnë frikë, ankth, depresion ashtu si dhe të rriturit. Nëse ndodh një ndryshim në familje, fëmijët nuk përjashtohen nga përjetimet jo të këndshme, sepse në familje fëmija merr sigurinë, merr dashurinë pa kushte. Nëse edhe familja është një vend jo i sigurt, atëherë çfarë do të ndodhë me ata?

2“Çfarë do të ndodhë me mua, nëse prindërit do të ndahen?; Ku do të shkoj unë?”; “Jam lodhur duke dëgjuar sherre çdo natë”; “Pse janë kaq egoistë dhe nuk mendojnë fare për ne”... Këto janë disa nga pyetjet që fëmijët dhe adoleshentët bëjnë kur kanë problematika në familje. Ankthi i përjetuar pa dyshim që do të kanalizohet diku dhe shkolla është një drejtim ku mund të pasqyrohet qartë. Në shumë raste prindërit i sjellin fëmijët në terapi vetëm kur çështja e shkollës është bërë aq problem sa askush nuk di më se si ta drejtojë. Frika dhe rezistenca për të shkuar në shkollë duhet trajtuar, sepse do ta mbartin me vete kudo që të shkojnë. Nëse dëgjon prindërit se fëmija i tyre do të shkojë në shkollë, mund ta vësh re se ky ankth mund të jetë më i lartë te prindërit se te fëmijët. “E urrej shtatorin, sepse më kujton shkollën”, fjali me të cilën ti kupton se është prindi ai që ia ka kaluar akthin e shkollës fëmijës së vetë (prindi, i cili as vetë nuk e ka trajtuar këtë frikë).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top