Shumë prej nesh i pëlqejnë shumë ndryshimet sezonale, sidomos kur kalohet nga vera në vjeshtë. Gjethet fillojnë të bien, gjithçka mbulohet nga ngjyra e artë, fillon flladi i freskët dhe ne gjejmë ngushëllim duke u rikthyer në aktivitetet tona pasi jemi “shpërqendruar” gjatë pushimeve.
Por për miliona njerëz që vuajnë nga ankthi, madje edhe ata që nuk vuajnë, ardhja e vjeshtës e shton disi ankthin. Ata kanë ndjenja të fuqishme shqetësimi, nervozizmi dhe paniku.
Ndërsa e kthejnë vëmendjen nga ditët e gjata të verës në ngutjen e rikthimit në punë në oraret e përhershme, shumë njerëz përjetojnë stres dhe ankth. Nëse po vëreni një ndryshim në mënyrën se si ndiheni tani, mund të jeni prekur nga ankthi i vjeshtës.
Çfarë është ankthi i vjeshtës?
Ju mund të pyesni veten pse jeni duke përjetuar një rritje të ankthit, veçanërisht nëse çrregullimet e ankthit nuk janë zakonisht pjesë e jetës suaj. Por kjo është një ndjenjë që mund të shoqërojë ndërrimet sezonale. Muaji i parë i vjeshtës është i vështirë për shumë prej nesh. Ndërsa nuk është teknikisht një diagnozë, shumë njerëz përjetojnë ankth vjeshtor.
“Është e lidhur me stresin, nervozizmin, tmerrin, probleme me gjumin dhe panikun, por shkaktohet nga ndryshimi nga vera në vjeshtë”, shpjegon Mike Dow, autor i “Mendo, Vepro dhe Ji i lumtur”.
Ai thotë se ankthi i vjeshtës shkaktohet nga parashikimi i kalimit nga vera në vjeshtë. Vera, siç e dimë të gjithë, zakonisht lidhet me argëtimin, udhëtimin dhe kohën e lirë. Për shumë prej nesh, ardhja e vjeshtës do të thotë më shumë përgjegjësi, duke përfshirë kalimin e një kohe më të gjatë në punë. “Simptoma kryesore e ankthit të vjeshtës është një ndjenjë e pritjes edhe nëse nuk e dini se çfarë po prisni saktësisht”, thotë Dow.
Dow gjithashtu shpjegon se zvogëlimi i ditës dhe moti i ftohtë mund të ndikojnë në nivelin e aktivitetit të njerëzve dhe rrjedhimisht në disponimin e tyre pasi kalojnë më pak kohë me miqtë ose jashtë.
Simptomat e ankthit të vjeshtës përfshijnë:
- Shqetësim
- Tension të muskujve
- Ripërtypje
- Sulme paniku
- Vështirësi në tretje
- Probleme me gjumin
6 hapa për të mposhtur ankthin e vjeshtës:
- Ecni jashtë gjatë drekës
Dow thotë se ekspozimi ndaj dritës është jetik. Gjeni kohë gjatë ditës për të bërë një shëtitje. Kombinimi i stërvitjes dhe i dritës bën mrekulli për humorin tuaj. Edhe ulja në dritare për 15 deri në 30 minuta çdo ditë mund të ndihmojë në rritjen e ekspozimit tuaj ndaj dritës dhe të zvogëlojë ndikimet e ndryshimeve sezonale.
- Shtoni më shumë salmon dhe arra në dietën tuaj
Sigurisht, ushqimet e shijshme si pica dhe makarona do të jenë ide e mirë në ato netët e ftohta, por Dow thotë se, “në vjeshtë është koha për më shumë omega 3, pasi kanë treguar se ndihmojnë në reduktimin e ankthit”, shpjegon ai.
- Plotësoni kalendarin tuaj me hobi dhe takime mes miqsh
Vera është e mbushur me parti, udhëtime dhe takime me njerëz të rinj. Pra, kur vjen koha e ftohtë dhe ditët e shkurtra dhe papritur ju nuk jeni duke u lidhur me miqtë, ndryshimi mund të ndihet drastik.
- Merrni 10 minuta kohë për t’i kushtuar vëmendje pesë shqisave tuaja
Dow rekomandon të bëni një meditim të vëmendshëm 10-minutësh çdo ditë për të “zbutur” mendjen tuaj.
- Kushtojini vëmendje mendimeve
Ai thotë se ne duhet të monitorojmë mendimet irracionale të shqetësimit që çojnë në ankth dhe t’i zëvendësojmë me një mendim më racional logjik dhe real.
- Merrni në konsideratë terapinë
Nëse menaxhimi i simptomave që vijnë me ankthin e vjeshtës është shumë i vështirë për t’u bërë vetë, mund të mendoni të kërkoni ndihmë profesionale. Më e rëndësishmja, kuptoni se nuk jeni vetëm. Shkuarja tek një shok, anëtar i familjes ose një profesionist për mbështetje do t’ju ndihmojë të mësoni mënyra për të menaxhuar dhe mundur shqetësimin dhe ankthin që lind gjatë vjeshtës.
Burimi / pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.