Anoreksia përfshihet në grupin e çrregullimeve të të ushqyerit. Karakterizohet nga pesha e ulët trupore, në thelb të së cilës qëndron një perceptim i gabuar për trupin, ku këta individë që vuajnë nga kjo sëmundje kanë frikën iracionale të shtimit në peshë.
Anoreksia nuk ka të bëjë në vetëvete me ushqimin. Ajo përfaqëson një mënyrë jo të shëndetshme të përballjes me problemet emocionale. Kush vuan nga ky problem vdekjeprurës, i pandërgjegjshëm për rrezikun, vë në të njëjtën balancë dobësinë e trupit me vlerësimin për veten. Këta individë fizikisht janë ekstremisht të dobët, janë të lodhur, të përgjumur, pa energji. Janë të zbehur në ngjyrën e lëkurës, kanë rënie flokësh, çrregullime me ciklin menstrual tek femrat, çrregullime me të rrahurat e zemrës, tension të ulët, etj. Është një gjendje e rëndë, tepër e vështirë për t’u parandaluar dhe trajtuar.
Një studim i kohëve të fundit, i publikuar nga ‘Medical Xpress’, konkludon se metoda e stimulimit të trurit me elektroda, ka një rezultat të fuqishëm pozitiv në drejtim të pacientëve me anoreksi të rëndë, duke dhënë një përmirësim të shëndetit të tyre mendor dhe fizik. Tek pacientët u konstatua se pati një përmirësim të ndjeshëm të humorit duke bërë kështu të mundur daljen e tyre nga gjëndja e depresionit.
Gjithashtu, u skanua truri i pacientëve dhe u vunë re ndryshime strukturore pas stimulimit me elektroda të trurit, në zonat e lidhura me anoreksinë, si thalamus dhe cerebellum. Në shoqëritë demokratike sot rreth 20 milionë gra dhe rreth 10 milionë burra përballen me problematikat e një çrregullimi të ushqyerjes, në një moment të jetës së tyre. Më kryesoret janë anoreksia dhe bulimia nervore. Anoreksia mbetet dhe çrregullimi psikiatrik me nivelet më të larta të mortalitetit. Sigurisht përballë një alarmi të tillë, shprehet ndjeshëm domosdoshmëria e vlerësimit adekuat të kësaj patologjie si dhe përpilimi i skemave trajtuese të saj, ku më inovatorja tashmë është vënë në praktikë. Të njohësh trurin dhe qarqet e tij përbërëse është një sipërmarrje e rëndësishme, sepse krijon hapësirat e duhura për të kuruar shumë problematika të komplikuara siç është ajo e anoreksisë. Çdo gjë fillon nga sistemi ynë nervor dhe përgjigjet shpeshherë i gjejmë po aty./ gsh.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.