Refuzimi i prodhimit vendas për eksport drej vendeve të BE-së ka ngritur shqetësimin në mbarë opinion publik. Konkretisht, ndalimi në kufij i ngarkesave me mandarina është raportuar nga autoritetet e sigurisë ushqimore sepse janë zbuluar me nivele të larta të përdorimit të pesticideve. Sipas nutricionistit Altin Joka, “kemi një situatë shqetësuese që prek jo vetëm sigurinë ushqimore, por edhe shëndetin e popullatës.
Disa vende të Bashkimit Europian, si Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania, kanë refuzuar ngarkesa me mandarina të eksportuara nga Shqipëria. Shkaku? Analizat kanë zbuluar nivele të larta të pesticideve të ndaluara në BE, të cilat kanë pasoja të rënda për shëndetin”.
Pesticidet e gjetura dhe efektet e tyre
Klorpirifos: Një pesticid i ndaluar në BE për shkak të dëmeve që shkakton, si:
Dëmtimi i trurit dhe sistemit nervor.
Probleme në mushkri, tiroide dhe organe seksuale.
Rrezik për zhvillimin e kancerit dhe deficitit mendor, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët.
Fosmeti: Një insekticid që dëmton:
Sistemin riprodhues.
Sistemin endokrin, duke ndikuar negativisht në hormonet e trupit.
Problemi kryesor: Nivelet e larta të pesticideve
Analizat tregojnë se sasia e mbetjeve të pesticideve në mandarina ishte disa herë mbi normat e lejuara nga BE. Kjo nënkupton se për produktet e destinuara për tregun vendas, ku kontrollet mund të jenë më të dobëta, situata mund të jetë edhe më alarmante.
Pasojat për konsumatorët shqiptarë
Mandarinat me pesticide të ndaluara ka të ngjarë të jenë duke qarkulluar në tregun shqiptar. Kjo është veçanërisht shqetësuese në periudhën e virozave, kur prindër të shumtë i ofrojnë këto fruta fëmijëve si burim vitaminash.
Nevoja për veprim të menjëhershëm
Nutricionisti Altin Joka bën thirrje për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) që:
Të sqarojë situatën për popullatën.
Të ndalojë shitjen e mandarinave deri në një analizë të thelluar.
Për mediat dhe figurat publike:
Të trajtojnë me përparësi këtë çështje, duke sensibilizuar popullatën.
Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Institucionet përkatëse:
Të marrin masa për ndërprerjen e përdorimit të pesticideve të ndaluara.
Të sigurojnë kontrolle më të forta në produktet ushqimore.
Përse kjo çështje duhet të jetë prioritet?
Çështja e pesticideve në mandarina është vetëm maja e ajsbergut. Problemet mund të prekin edhe fruta dhe perime të tjera që konsumohen në përditshmëri. Ndërkohë, mungesa e reagimit nga institucionet e përgjegjshme e bën situatën edhe më alarmante.
“Një revolucion ushqimor është i domosdoshëm për të mbrojtur jetën e qytetarëve,” përfundon Altin Joka.
Koha për veprim është tani. Shëndeti dhe siguria ushqimore duhet të jenë prioritet për të gjithë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.