Takimet e rastësishme pas shkollës… pritjet e gjata në stacionet e autobusëve apo shoqërimi deri në rrugicën afër shtëpisë… ndodh të mos jenë vetëm subjektet e duhura për filma romantikë apo romane rozë. Një takim me sy, apo edhe një bisedë e momentit… mund të trokasin furishëm në derën e fatit, për të ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e jetës. Pas katër vitesh njohjeje të pastër dhe tepër shoqërore, Mirela Talka dhe Arben Kumbaro “hapën letrat” duke e pranuar njëri-tjetrin edhe në një formë tjetër, ndryshe nga modeli që kishin thurur në kokë për njeriun e jetës. Ai, regjisor i talentuar, ndër të vetmit artistë shqiptarë i thirrur nga Universiteti i Harvardit për të dhënë përvojën e tij si pedagog, ndërsa ajo, një ekonomiste e njohur për bashkëpunimet e shumta me organizatat e huaja. Dy karaktere sa të veçantë, aq edhe të ndryshëm në llojin e tyre. “Të dy e kemi shumë të vështirë, në mos të pamundur, të bëjmë kompromise. Nga ana tjetër, ndryshojmë në raport me marrëdhënien që kemi me rrëmujën. Beni bashkëjeton pa problem me të, ndërsa unë e dua rregullin. Është mirë të mos përpiqesh ta ndryshosh tjetrin, pasi asgjë nuk rritet shëndetshëm nën hije”, rrëfen Mirela. Në 17 vite bashkëjetesë, Enidi është pjesëtari i tretë i familjes Kumbaro. Djali i vetëm i çiftit, sot gjimnazist, duket se ka trashëguar tiparet më të mira të dy prindërve, ndërsa këta të fundit thonë se të birit i kanë lënë hapur të gjitha dritaret e dijes për t’ia lënë atij në dorë zgjedhjen. Kjo zgjedhje rrit një fëmijë me personalitet jo të ndrydhur, kryesorja i denjë për veten.
Në formë postulati: ç’është gruaja?
Është shkaku për të cilën mund ta nisësh gjithçka nga e para në jetë.
Cili është ai detaj i veçantë i një gruaje që ju bën të tërhiqeni drejt saj?
Ç’ju tërhoqi te gruaja juaj Ajo që të tërheq te një femër është thjesht raporti me të bukurën. Detajet shpesh keqkuptohen. Për momentin e parë nuk mund të them gjë të saktë. Ka qenë thjesht instiktiv, spontan, i pamenduar. Gjërat më vonë rrodhën krejt natyrshëm. Mbase ngaqë ajo ishte bionde. Biondet kanë qenë një pikë e dobët në ëndrrat e mia të adoleshencës…
Shpesh në nënvetëdijen e një burri ekziston një model për gruan e jetës?
Po ju, a kishit një model virtual? Konkretisht, zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të modelit të nënvetëdijes? Apo modeli u fashit? Modeli… Një njeri që të demonstronte personalitet dhe pavarësi. Të kishte ëndrra në jetë… të ndihesha mirë fizikisht me të, mundësisht të ishte dhe bionde…
Për të qëndruar edhe pak te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë. Dëshironi ta kundërshtoni?
Nuk besoj se ka qenë rasti… të paktën në pamjen e jashtme…
Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë-grua? Sa reziston ajo? Nga se varet jetëgjatësia e saj?
Pas pasionit dhe instinktit fillestar, shfaqet gjithmonë një lloj obligimi për sakrificë, për ta mbajtur gjallë afshin e pasionit të parë. Ti nuk e kupton kur ky pasion rishfaqet, apo bëhet i vakët deri në amulli të rëndomtësisë së të jetuarit. Ti vetëm ke momente kur ndihesh mirë sërish, e sërish… Kur lind fëmija pasionet e tua marrin shpeshherë ngjyrat e një patriotizmi familjar, gjë që e ndihmon pa masë bashkëjetesën.
Që një burrë e një grua të rrinë bashkë, duhet të kenë natyrë, karaktere të njëjta?
Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen? Kjo është një nga pyetjet më të komplikuara në botë dhe do mbetet e tillë, se ka të bëjë me vazhdimin e jetës njerëzore. Harmonia ideale nuk i përket jetës reale dhe përpjekja për gjetjen e formulës ideale është keqkuptim me botën ku jeton. Ti gjithmonë do gjesh shkaqe për t’u ankuar dhe për të qenë i pakënaqur në jetë me partnerin tënd. Madje, kjo i bën mirë bashkëjetesës. Të jesh i pakënaqur me veten dhe partnerin tënd është një gjë e domosdoshme. Marifeti është që krizat e pakënaqësive, mospërputhjeve apo keqkuptimeve të mos çojnë në fatalitet.
Gruas, në të gjitha kohët, i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme. A ia keni dalë ju ta njihni gruan… A ndjeni momente moskuptimi në mënyrën sesi funksionon gruaja juaj?
Njerëzit kanë nevojë të dëfrehen dhe prandaj i bëjnë gjërat të mistershme edhe kur ato nuk janë. Me Mirelën them se gjërat nuk kanë shkuar gjithmonë vaj. Kjo dihet, siç dihet për të gjithë. Por kur vjen momenti kur unë mundohem të shkëputem, mbyllem në vetvete si për t’i marrë gjërat më shtruar. Të njëjtën gjë bën dhe ajo.
Çfarë nënkupton fakti që gruaja pranon të identifikohet me mbiemrin e burrit?
Nuk e kam diskutuar asnjëherë këtë gjë. Ajo ka bërë si ka dashur. Historia e mbiemrit është një formalitet banal. Ne mësohemi me emrat tanë ashtu siç mësohemi me ngjyrën e lëkurës sonë.
Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe gruaja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?
Mirela e ka pothuaj obsesion pastërtinë dhe rregullin në shtëpi. Nganjëherë më duket se e kalon masën. Por kështu do ajo… dhe unë e lë të bëjë si të dojë. “Gruaja ime është gruaja ime”, thotë një personazh i Çehovit, si për të shpjeguar gjithë të pashpjegueshmen në lidhje me gratë. Unë pothuajse nuk i ndërhyj fare në mënyrën se si e organizon ajo hapësirën familjare. Ajo për të cilën bëhem shpesh nervoz është kur më preken gjërat mbi tavolinën e punës. Ajo është mbretëria ime.
Jo vetëm klisheja thotë: gruaja sakrifikon për burrin. Me siguri gruaja juaj iu ka krijuar gjithë mjedisin e nevojshëm që ju të realizoni krijimtarinë tuaj. Një burrë, përballë sakrificave të gruas, ndihet i përkëdhelur apo e sheh sakrificën si detyrë bashkëshortore?
Sakrificën dhe kënaqësitë e jetës nuk do kisha dëshirë t’i hipotekoja, as t’u vija emër. E rëndësishme është që t’i bësh gjërat natyrshëm në jetë, pa dhunuar askënd. T’i bësh se ato të japin kënaqësi. Kjo është e panegociueshme për mua.
Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?
Mburrem shpesh se një nga gjërat me mend që kam bërë në jetë është se bashkëshorten nuk e kam zgjedhur brenda profesionit tim. Siç ka pasur edhe ajo të drejtën absolute të saj. Sidomos për shkak të zgjedhjes profesionale që kam bërë. Të mendosh për art në Shqipëri është luks i madh. Por, për të plotësuar mendimin, në historinë tonë s’ka pasur asnjë lloj kalkulimi apo projekti. Aty ka veç rastësi, spontanitet dhe ndjesi.
Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave, që rëndom gratë i vlerësojnë? A bëni dhurata? A i respektoni datat e rëndësishme, a kujtoheni për to? A dini të përkëdhelni?
Them se më mungon talenti për kësi punësh. Kam fatin që Mirela nuk më keqkupton. Shpesh ajo është shumë më e vëmendshme ndaj meje, sesa unë ndaj saj për sa i takon dhuratave apo datave të rëndësishme. Kjo vjen edhe për faktin se asaj rrallë i pëlqejnë gjërat që i blej unë.
Thuhet se… shekulli XXI është shekulli i grave…
Gratë… Sa më shumë të vlerësohen dhe respektohen ato, aq më e bukur dhe e begatshme do bëhet jeta njerëzore.
Mirela Talka : Burri, një qenie e dënuar me liri
Në formë postulati: ç’është burri për ju? Një qenie që është dënuar me liri. E vetmja gjë që më bën xheloze ndaj tij.
Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Në pamje të parë: një burrë i gjatë, sportiv, nuk do më linte indiferente. Më tej, pa dyshim, një burrë i zgjuar që transmeton siguri, jo stres, jo ankth.
Shpesh në nënvetëdijen e një gruaje ka një model për burrin e jetës…
Kam përshtypjen se ne asnjëherë nuk e dimë saktë se çfarë duam. Përgjithësime e kam të vështirë të bëj, sepse secili prej nesh është një qenie unike dhe shijet tona po ashtu.
Po ju?
Model: jo, nuk mund të them se kam pasur, mbase preferencë, nëse mund ta quaj kështu. Është e vërtetë që në tollovinë e ëndrrave të rinisë, nuk e di, por “Atë” e mendoja gjithnjë mjek. Ka qenë profesioni që kam dashur të bëja vetë në jetë. Gjithnjë kam menduar që është mirë që në shtëpi të jetë një mjek. Kjo mbase për ndjesinë e sigurisë që më ka krijuar nga një pikëpamje fakti që mamaja ime ka qenë mjeke.
“Modeli” juaj mesa duket u fashit?
Siç lehtësisht mund ta kuptoni, zgjedhja që bëra është e ndryshme nga “ëndrra”, por jo shumë larg saj. Mjek-artist janë shumë më të ngjashëm nga ç’duket. Të dy i shoh sensibël, finë dhe delikatë kur punojnë me detajin. I pari operon me trupin, tjetri me shpirtin dhe mendjen.
Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë – grua?
Nëse pasionin do e konsideronim poezi, pas saj le të themi vjen proza… Për hir të së vërtetës, në një kohë kur asgjë nuk është aq e sigurt sa ndryshimi, angazhimi i dy njerëzve ndaj njëri-tjetrit po bëhet i vështirë e gjithnjë e më i rrallë. Megjithatë, kjo vështirësi i jep këtij shkëmbimi më shumë vlerë dhe e bën më të bukur. Është si të kërcesh një duet e dy solo në të njëjtën kohë.
Nga se varet jetëgjatësia e saj?
Mendoj, nga të pranuarit që në dashuri 1+1 = 1. Nuk besoj se ka një formulë magjike, nuk ka një sekret e nuk ka siguri. Çdo çift është unik, çfarë funksionon për njërin nuk funksionon për tjetrin. Por megjithatë disa aspekte të një marrëdhënie të mirë janë universale. Respekti është ingredienti bazë. Dashuria pa dyshim, por ka momente kur mund të ndihesh i inatosur ose i frustruar nga marrëdhënia. Për sa kohë që vazhdon ta respektosh partnerin si person, ky moment superohet.
Ç’ofron përvoja juaj?
Meqenëse përmenda kompromisin së fundmi, ky mund të jetë për karrierën e secilit, për stilin e jetës që do adoptosh etj. Në rastin tonë, për hir të specifikës së profesionit të Benit, më është dashur mua të bëj kompromis me karrierën time duke, i dhënë asaj një tjetër drejtim, por gjithsesi brenda së njëjtës fushë. Me siguri nuk jam e para që e them se të bashkëjetosh me një artist është bukur, por jo e lehtë. Shpesh janë të çuditshëm, të heshtur, sikur jetojnë në një botë imagjinare, idealiste. Me kohë mësova të mos mërzitem nga pauzat e gjata të heshtjes së Benit. Mundohemi të respektojmë hapësirat e njëri-tjetrit. Por në fund të fundit për të pasur një martesë të lumtur duhet të bësh divorc me një pjesë tënden, apo jo?
Që një burrë e një grua të të rrinë bashkë, duhet të jenë të njëjtë? Apo besoni te të kundërtat që tërhiqen?
Nuk besoj as në receta dhe as në teori eventuale, kur bëhet fjalë për një marrëdhënie burrë-grua. Mendoj se ajo që ndikon në një martesë të mirë nuk ka të bëjë edhe aq me të qenit të njëjtë, sesa me atë se si menaxhohet të qenit të ndryshëm. Me Benin jemi sa të njëjtë, aq edhe të ndryshëm. Ndajmë parime të njëjta, të dy e kemi shumë të vështirë, në mos të pamundur, të bëjmë kompromise. Të dyve na pëlqen vera, por jo duhani. Nga ana tjetër ndryshojmë shumë në raport me marrëdhënien që kemi me rrëmujën. Beni bashkëjeton pa problem me të, unë këtu nuk bëj dot koncesion. Këtu mbase do doja t’i ngjante tim eti, megjithëse është mirë të mos përpiqesh ta ndryshosh tjetrin, pasi asgjë nuk rritet shëndetshëm nën hije, thonë.
A ia keni dalë ta njihni burrin tuaj?
Sipas Nietzsche, është më mirë të mos e dish shumë ekzaktësisht se me kë je martuar. Nuk është se më bind ky pohim i tij, në fakt. Pretendoj se e njoh mirë. Pas 15 vitesh bashkëjetesë e kuptoj edhe në mungesë të fjalëve.
A jeni ndjerë misterioze, enigmatike, e pakuptueshme për burrin tuaj?
Për këtë duhet të pyesni Benin. Ndaj me të gjithë çfarë më ndodh gjatë ditës, me përjashtime të vogla.
Mbiemrin tuaj apo të bashkëshortit?
Kudo më njohin me mbiemrin tim. Në marrëdhënie pune, në bankë, e-mail etj, nënshkruaj Talka. Në dokumentet e identifikimit jam Kumbaro. Po nuk besoj se kjo lidhet me ndonjë sens të spikatur apo të munguar të Uni-t. Për një grua, që karrierën e saj profesionale e ka ngritur përpara martese, është më komode mbajtja e mbiemrit të saj.
A ndryshon burri në këndvështrimin e gruas, pasi ai është bërë babai i fëmijëve të saj?
Marrëdhënia modifikohet disi, besoj. Mund të duket e çuditshme, por gjatë shtatzënisë së femrës edhe tek partneri ndodhin lëvizje hormonale, të cilat ndihmojnë në rritjen e perceptimit dhe në uljen e natyrës agresive të tij. Patjetër që prindërimi çon në ndryshime në mënyrën se si çifti i sheh përgjegjësitë brenda familjes.
Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe burri juaj? Sa tradicionalë jeni?
Për mua, balancimi i kohës që i kushtohet punës dhe familjes është shumë i rëndësishëm. Mundohem t’i bëj mirë që të dyja. Jo, ne nuk përbëjmë rast të veçantë, jemi po aq tradicionalë sa shumica e shqiptarëve. Për hir të rrethanave të punës, në këta 10 vitet e fundit miqtë e mi më të mirë, me të cilët kam ndarë përditshmërinë, ka qëlluar të jenë norvegjezë. Kur ndajmë së bashku përvojat tona në këtë drejtim, jo pa keqardhje më duhet të pohoj që ndjej se jemi edhe më shumë tradicionalistë.
Pikat e përkimit profesional në një çift, më mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë? Dy artistë në familje?
Jo, faleminderit. Bëj shaka. Të pasurit e të njëjtit profesion pa dyshim është i rëndësishëm në kuptimin e shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes për njëri-tjetrin, por në mënyrë të pashmangshme sjell transferimin e punës edhe në shtëpi. Kjo pastaj besoj bëhet e lodhshme për të dy.
A e keni të nevojshme vëmendjen mashkullore ndaj “vogëlimave”?
Duhet të biem dakord për konvencionin e fjalës “vogëlima”. Mua më miklon më shumë një kompliment (i ndjerë, natyrisht), sesa një dhuratë. Kam përshtypjen se afrodiziaku më i mirë për një grua janë fjalët. Ndërkohë që më pëlqen më shumë të bëj dhurata sesa të marr. Mbase kjo është edhe arsyeja që Beni rrallë më ka bërë dhurata? Duhet pyetur.
Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje, çfarë merrni?
Përgjithësisht dhurata që bëj lidhet me një nevojë të momentit, kryesisht janë gjëra utilitare këpucë, veshje, etj. Një laptop ishte dhurata që i bëra për ditëlindjen e një viti më parë. Dhurata e fundit nga Beni ka qenë një aparat fotografik. Përkoi kjo me një largim disa muajsh të tij për punë jashtë dhe mesa duket malli bëri punën e vet. Sipas Benit, mua vështirë se më pëlqen gjë.
Psikologji Nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.