E kanë nisur jetën si dy studentë pasionantë me shumë ëndrra dhe me një mal të pakapërcyeshëm vështirësish përpara, të cilave ia kanë dalë mbanë, për të mbetur sërish bashkë. Kanë formuar dy personalitete krijuese të ndryshme nën një çati, ndërsa ngjan se dashuria për artin dhe shpirti krijues janë thelbi i marrëdhënies për Arian Çuliqin dhe Mimoza Hysën. Por, të tjera janë cilësitë e karaktereve që i bashkojnë: korrektesa dhe këmbëngulja, ashtu siç është humori i nevojshëm për t’u bërë bisht situatave, toleranca në vlerësimin e situatave shpesh edhe kokëfortësia e Mozës për të gjetur rrënjët e problemeve… Janë pikërisht këto kundërshti themelet mbi të cilat është ndërtuar raporti mes të dyve, të cilat ata sot i cilësojnë si prova më e mirë për një dashuri dhe marrëdhënie jetë gjatë. Fillimi i një jete bashkëshortore është për të gjithë i ëmbël, por fsheh brenda gjithë papajtueshmëritë: unë rritur në një familje gazmore me humor, Moza rritur në atmosferën e rëndë që sjell një humbje e rëndësishme në familje; unë biri i një mjeku korrekt, Moza bija e një aviatori ëndërrimtar; unë djalë i shoqërisë dhe i hedhur, Moza vajzë serioze dhe e përkëdhelur; unë nga Shkodra e Moza nga Tirana, shtoi kësaj përzierjeje dhe karakteret e forta të gjithsecilit: padyshim që do të kishte përplasje, por kjo është prova më e mirë për një dashuri. Periudha më e vështirë ka qenë fill pas martesës, kur u detyruam të jetonim në shtëpinë e Mozës. Përshtatja ishte tashmë kolektive: jo vetëm mes ne të dyve, por edhe me vjehrrën e kunatin, të cilët edhe pse bënin gjithçka për të na lehtësuar, nuk mund të mos ishin të pranishëm në të gjitha problemet tona. Mentaliteti shqiptar për ta mbajtur dhëndrin sa më mirë, bëri që unë t’u shkas përgjegjësive familjare për një kohë të gjatë dhe të merrem me karrierën time. Moza luante rolin më të vështirë, atë të ndërmjetësit mes palëve. Bashkëjetesa jonë e vërtetë ka nisur kur morëm shtëpinë. U pa se faza përgatitore na kishte stërvitur për të njohur të mirat e të këqijat e njëri-tjetrit. Gjithsesi, unë nuk u mësova kurrë të ushtroj “sportet” shtëpiake, por edhe Moza nuk është ndonjë “punëtore” e thekur, kështu që bëjmë secili ç’të mundim e pa ndarje. Kjo i ka bërë mirë djalit, i cili di t’u dalë zot punëve të veta. E vetmja shtyllë që nuk përkulet e na mban të dyve, është respektimi i kohës së krijimit për secilin dhe bisedat e gjata për punën e njëri-tjetrit. Të qenit natyrë tolerante më ka dhënë më tepër pikë, sepse besoj se është e pamundur të zbatosh gjithë rregulloren e një vajze komandanti që nuk lëshon pe. Nëse nuk do të më kishte takuar mua, Moza kurrë nuk do ta mësonte ndoshta se në jetë gjërat merren më me shaka dhe lehtësi. U shkas të gjitha situatave të acaruara dhe përpiqem t’i marr me humor, ndërkohë që Moza përpiqet t’i thyejë deri në fyt, këmbëngul t’i sqarojë e t’i shpjegojë me të gjitha format e mënyrat. Këmbëngulja e Mozës na bën të sqarohemi, toleranca ime na bën të bëjmë paqe; secili bën një hap drejt tjetrit. Në kohën kur do të blinim shtëpinë, Moza këmbëngulte në të sajën se nuk mund të futej borxh dhe as të merrte kredi, gjë që do të na bënte të vazhdonim të jetonim edhe ca vite të tjera tek vjehrra. Ndërsa unë, që shumë gjëra i bëj pa protokoll, i hyra shtëpisë me borxhe dhe për një vit rresht më është dashur të duroj grindjet e vazhdueshme. Isha po unë që e zgjidha duke punuar në të katër anët, disa shfaqe të vëna në rrethe, një film në fundvit dhe u shlye shtëpia e u mbyllën grindjet. Sillemi ndryshe ndaj konfliktit: Moza i kërkon rrënjët e lashta e të reja, ndërsa unë përpiqem ta harroj e të vazhdoj përpara. Ajo është më e matur, e ka peshoren farmaceutike, ndërsa unë jetoj pa peshore. Po edhe pse gjendem më shpesh në anën e fajtorit, jam kaq paqësor sa Moza më shumë grindet me veten se me mua. Njësoj ndodh edhe në çështjen e menaxhimit të shtëpisë, shpenzimet e arredimin, jemi të dy tolerantë: kontradikta lind pas shpenzimeve, kur Moza bën bilancin dhe më nxjerr gjithnjë mua fajtor po për tolerancën. Ne të dy jemi krijues dhe ligji i përshtatjes na bën dëm, kështu që pak kemi ndryshuar nga veset e fillimit. E vetmja gjë që bashkëjetesa na ka mësuar është të mos i rrimë njëri-tjetrit si çekan mbi kokë për çdo gjë. Na bashkon shpirti krijues, pa të cilin të dy nuk mund të jetojmë. Një njeri që shkruan, e bën këtë gjë me mendje gjatë gjithë kohës dhe për të kjo është mënyrë jetese që duhet të kuptohet e të respektohet nga ata që i rrinë pranë. Ky është thelbi i bashkëjetesës sonë të gjatë, këtu jemi plotësisht mbështetës të njëri-tjetrit: Moza është prapavija ime e heshtur në të gjitha punët, unë jam bashkëbiseduesi i saj për gjithçka shkruan, edhe pse gjinitë tona duken si larg njëratjetrës: por këndvështrimi im i ngjarjeve me humor e ka bërë ndoshta Mozën të përdorë një ironi të hollë në shkrimet e saj, ndërsa tragjizmi i Mozës më ka bërë mua ta shoh humorin më me seriozitet. Ndoshta respektimi i hapësirave të njëri-tjetrit dhe pranimi i natyrave të ndryshme na mban bashkuar. Mjafton që tjetrin të mos e ndryshosh në thelb, por ta duash siç është, për të qëndruar gjatë. Unë i kam qëndruar besnik natyrës sime, vetëm sa kam përmirësuar veset. Edhe Moza, me gjithë luftën e paparë, ka mbetur e shëndoshë dhe unë jam i vetmi që vazhdoj t’i them se duket elegante për ta marrë me të mirë!
Psikologji Mars 2011
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.