Marrëdhënie

May 23, 2016 | 7:00

Arian Leka: Babai që zbret në botën e adoleshentëve

Adoleshentët… sa herë dëgjojmë për këtë moshë apo bëmat e tyre… sa herë bëhemi protagonistë të sjelljeve të tyre “të çuditshme”. Vërtet janë kaq të vështirë, saqë muret e mbrojtjes që ti ngre si prind, ata t’i prishin natën?! Për shkrimtarin Arian Leka, baba i dy adoleshentëve binjakë, 16-vjeçarë, sjellja e tyre nuk ka si synim të “vrasë” imazhin atëror, por është ajo “gjëja”, e panjohura, që i thërret se çfarë ka pas atyre kufijve. “Ajo që ne u ofrojmë nuk është fundi i gjërave. Ndaj ata duan të ikin”, shprehet Ariani.

Në psikologji njihet si kriza e identitetit që fëmija përjeton kur ndodhet në stadin e adoleshencës. Ai nuk di se kush është e kush do mund të bëhet. Kjo paqartësi e brendshme që ndodh tek fëmija, si e keni vërejtur ju tek djemtë tuaj? Unë jam baba binjakësh, i dy djemve 16-vjeçarë, i Joanit dhe i Xhoelit, të cilët më duket se kanë hyrë në adoleshencë edhe nga porta e parme dhe nga deriçka e fshehtë, nga pas. E them këtë, pasi shfaqja e tyre është të duken jo si më të vegjël dhe adoleshentë, por si më të mëdhenj, me “dinjitet” dhe “paprekshmëri”, prej adoleshenti kuptohet. Filloj ta besoj këtë kur shoh se si “dekori i fytyrës” së tyre plotësohet me… le të themi “mustaqe dhe baseta ala Beatles” dhe zëri kap tonet e ulëta baritoni, sidomos kur thonë “o ba”. Pra, janë adoleshentë që nuk duan të ngjajnë si të tillë. Nga ana tjetër vërej se janë rritur kur nuk e kanë me aq qejf sa dikur, t’ua kujtojnë shpesh se “…kur ishit të veeeegjëëël…!” Shikoj se binjakët tanë po jetojnë një adoleshencë normale, me lejimet dhe teprimet e veta. Shpresoj që loja e tyre të mos jetë aq e përkryer, sa të mos kuptoj se luajnë rolin e adoleshentit që nuk i sjell kokëçarje shtëpisë. Paqartësia e brendshme, turbullimi, trazimet apo kriza e identitetit le ta quajmë, që fillon në adoleshencë, ndonjëherë e shoqëron njeriun deri në fund të jetës. Edhe ata, si gjithë adoleshentët e tjerë, mendoj se përjetojnë vërshim modelesh, mendimesh e ndjenjash. Duke qenë pranë tyre, kam vënë re se mbizotëron dëshira për të prekur gjithçka, qoftë edhe për pak. Ngjan paksa si kënga e “Queen”: I want it all, I want it now! Janë pasione që, për fat të mirë, tek djemtë e mi i shikoj që nuk janë pak.

Si mund ta përshkruani gjendjen shpirtërore dhe psikologjike të djemve tuaj në këto momente?

Zakonisht në këtë moshë, dhe nuk po flas vetëm për djemtë e mi, adoleshentët i ngjajnë atij plakut që merr shkopin e trastën dhe del për “kismet”. “Kismeti” për ata, përfshi edhe binjakët e mi, përfytyrohet gjithmonë jashtë shtëpisë. Çdo gjë që i ofron shtëpia, qoftë edhe më e bukura dhe më e mira, kundërshtohet. Kjo jo vetëm për hir të “rebelizmit të mirënjohur adoleshent”. Duhet t’i kuptojmë. Duhet t’i besojmë më shumë se t’i kuptojmë. Janë nisur vërtet “kismet”. Ata refuzojnë jo se duan ta shkatërrojnë marrëdhënien. Por ngaqë duan të vazhdojnë kërkimin. Dhe vërtet, ajo që ne u ofrojmë nuk është fundi i gjërave. Ndaj ata duan të ikin. Dhe djemtë e mi ikin, udhëtojnë, largohen. Edhe me këmbë, por me imagjinatë më së shumti. Ikin, por për fat kthehen prapë. Duke pasur dy adoleshentë binjakë, merr dy goditje, siç edhe merr dy kënaqësi.

Komunikimi midis një adoleshenti dhe një të rrituri ka gjithnjë pengesa. Si funksionon komunikimi midis jush?

Ka pengesa. Me ne ky komunikim ka funksionuar nëse kemi mundur ta kthejmë në marrëdhënie. Pa e vënë re se kush jep e kush merr më shumë. Dhe zakonisht japim e marrim gjëra të ndryshme, dhe nuk është edhe aq e kuptueshme se kush jep më shumë. Ekziston edhe një lehtësi tjetër. Duke qenë të tre “çuna” në shtëpi, siç shprehen ata, është paksa më e lehtë t’i afrojmë shijet. Për shembull zhytjet e gjata nën det, dëshirën për peshkim, bisedat duke ecur, kujdesi për ndonjë kafshë dhe dëshira për të pasur të tilla kur të mundemi, muzika, ndonjëherë edhe Formula 1 apo Reali ose Milani në TV, na ndihmojnë të merremi vesh më mirë. Ngremë ura, që gjithsesi shemben natën dhe përpiqemi t’i ringremë nga e para të nesërmen në mëngjes. Ka rezultuar rrugë më e mirë të “zbres” unë në botën e tyre, sesa ata të kacavirren me thonj për të kapërcyer atë mur që, duam s’duam, është mes nesh për 1001 gjëra të kuptueshme që s’i shpjegojmë dot.

A janë shqetësuese për ju sjelljet e djemve tuaj dhe si reagoni për t’i shmangur ato?

Falë Zotit, dhe kështu uroj të vazhdojë, deri tani djemtë na kanë sjellë më shumë kënaqësi sesa trazime. Pastaj, përralla na ka mësuar që t’i “ndëshkojmë” kalamajtë para se ta thyejnë shtambën dhe t’i puthim kur e thyejnë.

Sa mbështetës jeni ju në jetën e fëmijëve tuaj adoleshentë?

I mbroni ata duke u përpjekur t’i kuptoni apo reagoni me agresivitet, duke i penguar në ëndrrat dhe dëshirat që shprehin për t’i realizuar? Më shumë se mbështetës, përpiqem të jem këshillues, sa mundem dhe sa më dëgjojnë. Por dihet, mosha e tyre kërkon të konkurrojë me imazhin e babait, ndonjëherë edhe të mësuesit apo gjithkujt tjetër që kërkon t’u predikojë dhe që nuk ka mësuar ende nga Pink Floyd “we don’t need no education / we don’t need no thought control”. Madje, duan edhe ta “vrasin” këtë imazh. Psikologjikisht shpjegohet. Dhe unë mendoj se kjo “vrasje”, që më shumë lëndon se vret, duhet të ndodhë. Që ata të rriten. Të tejkalojnë vetveten. Atë vetvete me të cilën do të garojnë gjithë jetën dhe së cilës duhet t’ia kalojnë. Nëse munden. Po edhe nëse nuk ia dalin, prapë tanët janë. Njëlloj. Si ne.

Psikologji Janar 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top