Në një ditë të zakonshme ndodhi e jashtzakonshmja jonë. Të pashë të ulur aty ku s’e mendoja dhe u njohëm, megjithëse të njihja mirë prej kohësh. Të përshëndeta si pa problem, teksa zemra më rrihte fort. Nuk do t’i përgjigjeshe shikimit tim, mendova. Por jo! Ndërkohë, mora frymë thellë për të mposhtur emocionet dhe me bisht të syrit vërejta qetësinë tënde.
O Zot, shpëtova disi! Por si të vazhdoja?
Me një qetësi të shtirur të tregova nja dy barcoleta që të pëlqenin! Fitova ca pikë që më dhanë guxim. Por tani çfarë të bëj? Sa doja të qëndroja më gjatë, por trembesha se mund të të humbisja. Jo, i thashë vetes, do të luaj indiferentin, dhe në moment të përshëndeta që të largohesha. Një buzëqeshje e ngrohtë dhe e çiltër e zbukuroi portretin tënd engjëllor. Unë e di si kaluan tri ditë pa u parë, a thua se ishin tre vjet, kështu m’u dukën. Kur shoh, ti po vije si një flutur duke qeshur, dhe m’u duk sikur nuk po më drejtoheshe mua. Ktheva kokën për të parë mbrapa se kush mund të ishte pas meje. Askush! Ec e mos i beso mrekullitë!
-Hë, – më the pa të keq dhe duke qeshur, – po flet me veten? Apo je i zënë tani?
-Jam aq kot, sa nuk e di ç’të bëj, – munda të të thosha, megjithëse, të jem i sinqertë, më prisnin diku.
-Unë jam e lirë nja dy orë, – më the, – dhe mirë që të takova. Sigurisht, nëse je i lirë dhe nuk ke kundërshtim!
Abrakadabra, thashë me vete, si vjen jeta.
-A ke ndonjë barcoletë si atë ditë, – më pyete?
-Kam disa, ose sa të duash ti ,- të thashë gjithë tangërllik, që s’di nga më erdhi.
-A shkojmë te kafe Flora, – m’u duk se më ftove ti.
-Mrekulli, në këtë orë është qetë aty,- të thashë gjithë gëzim.
Shkuam, u kënaqëm, u lumturuam. E çuditshme, po si iku koha kaq shpejt?
Folëm me çiltërsi për shumë gjëra të njëri-tjetrit. U ndamë, dhe i premtuam vetes se do të shihemi së shpejti. Dhe më pas, të shiheshim çdo ditë, na u bë e domosdoshme! Të dy e kërkonim njëri-tjetrin pa zhurmë!
Kishim ndrojtje nga të tjerët. Si zakonisht, në këto raste, një pjesë e miqve tanë kujtonin se njiheshim prej kohësh. Isha i sigurt se do të fillonin intrigat e zakonshme.
Bisedat e takimet tona u bënë të shpeshta, të domosdoshme për të dy, por pa deklarata.
Një pasdite e lamë të shkonim te shtëpia e një shoqes tënde për vizitë.
U ngjitëm në katin e katërt, por për fatin tonë të mirë apo të keq, shoqja jote nuk ishte brenda.
U mërzitëm, e pak dhe si të tronditur paksa, ndoshta nga kjo e papritur, sikur kishim nevojë të uleshim e të mblidhnim veten.
Pa u kuptuar, u afruam dhe u mbështetëm tek njëri-tjetri, krejt natyrshëm.
Sikur një temperaturë 3000 gradë më kapi. Kështu thoshte një shoku im, në të tilla, mund të shkrinte dhe wolframi.
Një tundje e lehtë flokësh preku fytyrën time, pa e kuptuar u afruan buzët e mia, u takuan me të tuat, nuk besova, e gjitha kjo më dukej sikur ishim në një ëndërr.
U kthyem të dy në realitet, e pa folur filluam të zbrisnim shkallët.
Ne po zbrisnim kur shoqja jote ngjiste shkallët.
-O, më falni, – tha jo, – dola bleva diçka për të pirë.
U futëm në apartamentin e shoqes së saj. Ishte tepër modest, por shumë miqësor.
E ndieja se po më këputeshin gjunjët. I thashë vetes, e po, me demek, je dhe i fortë, mbahu tani!
Ishte fillimi i një mrekullie apo i një mundimi?
Telashe në të ardhmen tonë. Ndërsa neve çdo ditë na bëhej më e bukur, të tjerë mundoheshin të na e nxinin. Dy kontraste, po mirë, ç’hall kishin të tjerët?
Kujt t’i bëje ballë përpara: familjeve? Njerëzve të ndryshëm? Institucioneve?
E pa le, komitetit të Partisë! Kaluam vështirësi të panumërta.
I përballuam të gjitha dhe jeta jonë pothuajse u stabilizua, por xhelozia për ne të dy u ashpërsua.
Me ndryshimin e sistemit e pamë të arsyeshme që t’i rrinim larg kësaj lufte të padrejtë. Zgjidhja ishte emigrimi. Kaluam shumë vështirësi që janë të njohura vetëm për ata që emigruan. Por pati dhe diell për ne, erdhën ditë të bukura.
Ti Peka u aktivizove me sukses në veprimtari patriotike, tek emisionet shqip të radio Brukselit.
Po ashtu, në shumë aktivitete dhe në festat tona kombëtare. Recitimet e tua emociononin gjithkënd, shqiptarë dhe të huaj, duke e rritur ndjenjën kombëtare tek emigrantët.
Dëshira jote, Peka e dashur, për këto aktivitete ishte tepër e zjarrtë. Por ja, e keqja e madhe filloi të veprojë mbi shëndetin tënd dhe pas një kohe të mposhti. Ike nga kjo jetë që e doje kaq shumë. Peka, dhimbja ime, e dy vajzave dhe e djalit, nuk kanë përshkrim.
Amaneti i saj për ne ishte që të shkruhej epitafi: “Shqipëri më dhe nder, më dhe emrin Shqiptar”- 27 tetor 2019.
Sa herë është mot i kthjellët shikoj në qiell, ku kam fiksuar një yll dhe të mendoj se je gjithmonë atje!
Burimi Exlibris.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.