Tek ngjiste për herë të parë shkallët e ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë, në mendjen e saj i rrihte vetëm kauza të cilës i ishte përkushtuar: femra, në të gjitha aspektet e jetës. Jo pa qëllim, përpara se të zgjidhej deputete, ajo ka marrë një tjetër mandat. Prej katër vitesh është në krye të Forumit të Gruas Socialiste për Tiranën. Ndërkohë, politikën e ka parë si armën më të mirë për të realizuar gjithaq një ëndërr të madhe, për të ndryshuar të ardhmen fëmijëve, të vendit të saj, qoftë edhe në mënyrë modeste. Ajo është Blerina Gjylameti, një deputete e “Rilindjes” e cila krahas politikbërjes dhe ëndrrës brenda partisë, jep një kontribut sa real dhe fizik edhe në emancipimin e jetës shoqërore. Plot temperament, e aftë të përballet me vështirësitë që përshkallëzohen bashkë me rritjen e saj, ajo qëndron në fijën e parë të barrikadës. I përket brezit të ri të politikaneve, ndaj dhe tek Blerina ndihen ambicjet e mëdha. Përvojë që ka fituar, tanimë shkon në zbutjen e problemeve që kanë shtresat në nevojë, si deputete e njësisë katër të kryeqytetit. E si shumë gjëra të tjera, vendosmëria dhe bindja për të ndryshuar shumçka varet nga politika. Kështu shprehet Blerina Gjylameti, e cila thotë më pas se, si pedagoge në fakultet plotësonte një pjesë të ëndrrës së saj për të ndryshuar të ardhmen, nëpërmjet brezave të rinj me të cilët përballej në auditorë. Ndërkohë ajo shton se pjesën tjetër të ëndrrës për të ndryshuar gjërat i ka realizuar me angazhimet në politikë.
Intervistoi Orjona TRESA
Ky është mandati juaj i parë si deputete. Me ngarkesën e një qeverisjeje me sfida në vendimmarrje, si ka qenë kjo përvojë e deritanishme?
Është një eksperiencë që nëse do ta përmblidhja me një fjalë do të thoja: Sfiduese. Një përvojë që më ka mësuar shumëçka, më ka rritur e stërvitur në shumë drejtime, mbi të gjitha më ka treguar shumë të vërteta të panjohura më parë për veten time dhe për vendin tim mbi të gjitha. T’i shohësh gjërat nga afër është t’i shohësh gjërat në të vërtëtën e tyre, të kuptosh se të japësh mend nga larg është një gjë e të marrësh përsipër të ndryshosh shumëçka është diçka tjetër. Përballja me të vërteta të panjohura më parë nuk është e lehtë, por është e domosdoshme. Nuk do ta ndërroja këtë përvojë me qetësinë që mund të kisha pasur nëse jeta ime do të ishte si më parë me angazhimet e tjera jashtë politikës.
Si u gjendët ju në politikë, për më tepër në krahun e majtë? Përfaqësonte ai vërtet krahun e zemrës apo ishte bindja ajo që ju bënte të afroheshit me PS?
Në vitin 2007 unë u bëra pjesë e Partisë Socialiste dhe pak nga pak nisën angazhimet në parti. Fillimisht si e deleguar në njësinë 5 e më pas si pjesëtare e forumeve të partisë, duke nisur nga Forumi i Gruas Socialiste për Tiranën, ku prej 4 vjetësh jam kryetare. Gjatë gjithë kësaj kohe të angazhimeve graduale në parti, përpara se të isha pjesë e listës së deputetëve të kësaj partie, unë vazhdoja angazhimet e mia si pedagoge në universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, ku jepja lëndën e menaxhimit të burimeve njerëzore. Gjithmonë kam qenë me bindje të majta, e rrjedhimisht pas studimeve në Itali, kthimi më solli në vendin tim me shumë ëndrra për të ndryshuar shumëçka në jetën time dhe në të përgjithshmen me çfarë unë mundesha. Në fakultet si pedagoge plotësoja një pjesë të ëndrrës sime për të ndryshuar të ardhmen, nëpërmjet brezave të rinj që kisha përballë në auditorët e fakultetit. Pjesën tjetër të ëndrrës për të ndryshuar gjërat e realizova me angazhimet në politikë.
Ishte politikëbërja një ëndërr?
Të gjitha femrat kanë një ëndërr: të ndryshojnë të ardhmen për fëmijët e tyre, për familjen e tyre. Në këtë kontekst, politika edhe pse një ëndërr e pashprehur dhe jo qëllim në vetvete, është një nga mënyrat për të ndryshuar shumë gjëra dhe një armë për të realizuar një ëndërr të madhe, të ndryshoja të ardhmen e vendit tim qoftë edhe modestisht.
Në fillimet tuaja keni deklaruar se: “Beteja për gruan fillon në parlament”. Po trofetë cilët kanë qenë?
Beteja për gruan fillon në parlament dhe ka filluar në parlament kohë më parë me kontributin e shumë grave kolege, të cilat me shumë mund kanë shtruar terrenin për ne sot, ashtu siç ne do të rregullojmë terrenin për shumë të tjera nesër në politikë dhe në jetën publike. Trofetë nuk fitohen kollaj, por prania jonë sot në parlament dhe në politikë më shumë se më parë në numër dhe në vendimmarrje, është një trofe i luftës së kolegeve tona të djeshme, e do të jetë një trofe nesër për ne që vazhduam rrugën e tyre, për koleget që do të shtohen nesër.
Kryeministri në fillim të mandatit ua besoi këtë pushtet grave. Sa e vështirë ka qenë për ju të qenit femër, grua në karrierë, familjare dhe mikeshë?
Nuk ka gjë të thjeshtë në këtë jetë ashtu siç nuk ka asgjë të pamundur. Çdo femër që kam njohur gjatë rrugës sime të deritanishme më ka bërë të kuptoj se asnjëra prej tyre madje edhe ato që vuajnë papunësinë, nuk bëjnë vetëm një gjë në jetën e tyre, po shumë gjëra njëkohësisht. Asnjëherë asnjë grua s’do mjaftohej me rehatinë boshe. Kështu që edhe unë jo pa mbështetje, mendoj që ia dal t’i realizoj të gjitha rolet e pashmangshme që kam në jetë. Të jesh femër është natyrale për të gjitha ne, është po kaq natyrale të jesh nënë, bashkëshorte, kolege, mikeshë e grua në karrierë. Unë besoj se, nëse gjërat i bën natyrshmëm e me dashuri, i bën edhe me cilësi.
Po vështirësitë parë kundrejt staturës mashkullore, në parlament është e dukshme.
Politika është e vështirë edhe nëse je burrë, e aq më tepër nëse je grua, sidomos kur flasim për realitetin shqiptar, ku urgjenca dhe domosdoshmëria për të ndryshuar shumë gjëra njëkohësisht e në një kohë të shkurtër, krijon përplasje, pakënaqësi dhe sigurisht luftë politike, që shpesh bëhet e ashpër dhe e kalon cakun e idealit të të bërit politikë. Megjithatë, unë besoj se meshkujt janë bashkëpunëtorët tanë në politikë e në çdo fushë. Ne duhet ta shohim njëri-tjetrin si të barabartë edhe nëse statura e tyre është e rëndë dhe bën ndonjëherë hije mbi punën e grave. Duhet të ecim përpara dhe të mos e konsiderojmë si një pengesë afatgjatë e të pandryshueshme. Nëse femrat bëjnë më të mirën e tyre si në çdo fushë tjetër edhe në politikë, burrat s’do të jenë asnjëherë një pengesë, veç një justifikim.
Mendoni se shumë femra zgjedhin politikën për të përfaqësuar të drejtën?
Unë e kam zgjedhur politikën, për atë ëndrrën që shpjegova pak më sipër, dhe ëndrrat janë gjithmonë të drejta dhe kanë të bëjnë me të drejtën. Në këtë kontekst, mendoj se shumë femra e zgjedhin politikën për këtë, për të drejtën. Absolutisht po!
Ju vetë keni patur frymëzim nga ndonjë politikane femër?
Në politikë nuk ka modele ideale dhe shabllone. Unë kam shumë modele femrash e grash në jetën time, brenda dhe jashtë politikës. Secila ka diçka për t’u marrë shembull, për të krijuar atë model që do të funksiononte në çdo fushë të jetës jo vetëm në politikë. E në modelin tim jetësor, përfshirë dhe atë politik, model është nëna ime, nëna e bashkëshortit tim, koleget e mia, mikesha të njohura e të panjohura, që brenda shembullit të tyre kanë guximin, përkushtimin, energjinë, mosdorëzimin, butësinë, mençurinë, drejtësinë, e shumëçka do të ishte model jo vetëm në politikë.
Të vlerësosh përvojat e femrave, a përfaqëson sot kjo një mundësi të re për shoqëritë, apo gjykoni të kundërtën? Nëse ndodh kjo, ku çalon sipas jush shoqëria dhe sa keq i ka bërë këtij raporti femër-femër në drejtime të ndryshme?
Në një botë të rrëmujshme, ku nuk ka vend për të gjithë, aq më tepër kur flitet për femrat dhe vendet e pakëta që ka pasur për të edhe në politikë, sigurisht që gjërat komplikohen dhe gratë bëjnë edhe gabime kundrejt njëra-tjetrës. Eksperienca dhe arritjet e gjithsecilës absolutisht duhen vlerësuar. Çdo eksperiencë krijohet me mund dhe me përkushtim dhe pavarësisht se gjithmonë ka diçka më tepër për të bërë në çdo projekt. Ajo që duhet të bëjmë të gjithë është të vlerësojmë çfarë është për t’u vlerësuar e më pas të japim mendim çfarë duhet të kishte bërë më mirë. Për fat të keq, në realitetin shqiptar më parë bëhen vërejtjet e më pas vlerësimi është diskutueshëm. Dhe kjo mbizotëron në politikë edhe për shkak të pritshmërive të larta të gjithsecilit.
Pika të tjera ku femrat mund të përmirësojnë vlerat e tyre cilat janë sipas jush? Gjithnjë sipas disa kritereve të sakta ku duhet ndërhyrë?
Mjafton të kenë besimin e mjaftueshëm te vlerat e tyre dhe gjithçka do të marrë kohën e vet sigurisht, por do t’i bëjë të shpërblyera shumë shpejt. S’jam askush të jap këshilla për publikun e gjerë, por çfarë më këshillojnë dhe këshilloj mikeshat e mia do ta them: të mos vetëdiskriminohen, duke menduar këtë e arrij dot, këtë nuk e arrij dot sepse jam femër. Këtë gjë duhet ta kenë mirë parasysh, nëse nuk duan ta humbasin betejën pa e nisur ende, duke menduar se janë të justifikuara kështu për suksesin e munguar.
Oscar Wilde thoshte: ‘Jepini një gruaje mundësinë e duhur dhe ajo do të bëjë gjithçka…’ Në shoqërinë tonë sa i vërtetë vjen ky përcaktim dhe konkretisht?
Potencialisht qëndron për çdo grua, realisht ajo kushdo qoftë me një mundësi mund të bëjë gjithçka, por për ne, me problemet e një shoqërie maskiliste, nuk na duhet të presim të na e japin mundësinë, por shumicën e kohës duhet ta kërkojmë vetë madje, herë-herë edhe ta krijojmë vetë këtë mundësi. Pritja do t’i kushtonte shumë femrave shqiptare.
Në këtë rrugëtim tuajin si deputete jeni përballur me një sërë ngjarjesh… Si e gjykoni zërin e shoqërisë civile karshi fenomeneve?
Nuk mund të ketë shoqëri të shëndoshë pa Shoqëri Civile. Në çfarë kam jetuar unë në politikë deri tani, kam parë shumë fenomene që kanë të bëjnë me shoqërinë civile në Shqipëri. Herë e fortë, herë e dobët, herë e përdorur, herë e papërdorur, edhe shoqëria civile ka përjetuar tranzicionin tipik shqiptar si çdo fushë tjetër. Për fat ka zëra frymëzues që me gjithë bezdisjen që i krijojnë herë pas here vrullit të politikës për të bërë shpejt shumë gjëra në një vend që ka shumë nevoja. Edhe ato pak zëra, ka ndodhur t’i ngadalësojnë proceset e pse jo edhe të bëjnë që gjërat të përmirësohen pas diskutimeve.
Brenda politikës keni thjesht “armiq” kundërshtarë apo…?
Nuk shoh armiq. Për mua politika nuk është një luftë, është një garë idesh dhe realizimit të tyre. Kundërshtarë po sigurisht, por edhe shumë bashkëpunëtorë qoftë edhe kundërshtarë dhe sigurisht miq, shumë miq.
“Shqipëria e gjeneratës tjetër”… një slogan që udhëheq anëtarësimin e të rinjve në PS. Çfarë parashikon në të vërtetë ky slogan?
Është kaq e qartë në slogan. Ky vend i përket të rinjve, i përket të resë, risive, të ardhmes e duhet vetëm të ecë përpara. Nuk ka kohë të shohë apo mbetet pas, qoftë edhe të bëjë pauza të shkurtra në zhvillimin e saj. E shumë të rinj i janë bashkuar kësaj fryme dhe kjo të bën të shpresosh shumë tek e tashmja dhe tek e ardhmja e këtij vendi.
Në raport me deputetet e këtij legjislativi, keni ndonjë mikeshë nga ana tjetër e “ringut” politik?
Në kauzat tona ne kemi të njëjtat beteja. Absolutisht miqësia është e pashmangshme, sidomos kur flet për kolege me vlera dhe kontribute. Patjetër që kam dhe i vlerësoj për betejat e tyre të përditshme.
Çfarë ju ka bërë bashkë, ka një ngjarje të shënuar?
Shumë ngjarje që kanë të bëjnë me angazhimet për gratë apo kauza të tjera që kanë nevojë për femrat e politikës e të parlamentit për t’i çuar përpara çështjet e grave të thjeshta që kanë nevojë për zërin tonë.
Ju ka mërzitur politika në një moment të veçantë, e keni çuar ndërmend tërheqjen?
Shumë herë, por jam akoma këtu.
Do të rikandidoni në zgjedhjet e ardhshme, apo çdo gjë në kohën dhe vendin e vet?
Çdo gjë në kohën dhe në vendin e vet…
Protagonizmi, jeni ju e tillë?
Jam pse jo. Unë besoj tek aftësitë e mia dhe në idealet e mia. Nëse kjo vetëdije quhet protagonizëm, atëherë unë jam protagoniste dhe më pëlqen kjo gjë.
Po në politikë? Kam parasysh faktin që në mjediset tuaja, rivaliteti shkon në ekstrem pikërisht ngase pretendohet maja…
Është një garë politika, që fillon brenda familjes politike e vazhdon përtej edhe në garën e ideve me partitë e tjera. Maja është të realizosh idetë e tua, e t’i realizosh më mirë se dikush tjetër. Është një garë interesante.
Kjo do të thotë se e njihni veten si grua të fortë?
Po, por jo vetëm unë. Femrat janë të gjitha të forta, e unë jam si gjithë gratë e tjera në këtë pikë.
A keni një moto që ju udhëheq në jetën tuaj?
Mos u anko, mos kërko nga të tjerët, dhe mbi të gjitha, mos u dorëzo!
***
Të qenit femër, nënë, bijë. Si qëndrojnë këto role të ndërthurura bashkë dhe si është një ditë 24-orëshe midis këtyre tri përcaktimeve?
Fillon me nënën, bashkëshorten, vazhdon me parlamentaren, vazhdon me nënën, mikeshën e kështu alternohen gjërat pa i ndarë me protokoll apo orare fikse.
Po njohja me bashkëshortin si erdhi?
Ah…ajo është e hershme, qysh kur kemi qenë fëmijë pothuaj, në bankat e shkollës, në gjimnaz. Më pas bashkë me studime në Salerno, Itali, kthimi në Shqipëri dhe bashkë çdo ditë akoma. Jemi shokë të vjetër e miq të fortë, përveçse prindër të një djali të mrekullueshëm si Joeli. I gëzohemi çdo ditë prindërimit dhe jetës me gjithë sfidat dhe vështirësistë me të cilat na përball.
Sa e rëndësishme është mbështetja e tij? Ia pranoni kritikat?
Ai është kritiku im më i madh, dhe është i vetmi person që unë ia vlerësoj kritikat si të drejta e qëllimmira. Sigurisht që ia pranoj, sepse kritikat dhe bisedat me të edhe për politikën janë mbështetja më e paçmuar që ai bën kah meje, pa folur për këshillat dhe dashurinë e përditshme.
Çfarë ju motivon në jetën pas punës?
Gjithçka. Familja ime, fëmija im, jeta, e bukura, miqtë, ato që janë në fakt vlera e vërtetë e jetës.
Joeli është djali juaj i vetëm. Sa përkushtim keni ndaj tij duke qenë se ai ka hyrë në një stad tjetër, atë të fillnisjes së ciklit shkollor.
Tani realisht Joeli është në një fazë surprizuese për veten edhe për ne. Ka nisur një rrugë të gjatë, shumë të bukur e të vështirë, të cilën po e përjetojmë të gjithë me të njëjtin emocion, jo vetëm Joeli.
Keni menduar ta gëzoni me një motër apo vëlla, apo faktori politikë për momentin është “mungesa me arsye”?
Jo s’është politika arsyeja, as angazhimet. Një fëmijë vjen kur universi vendos të vijë. Ne e presim kurdo të vijë një fëmijë për gëzimin e një jetë të re, e sigurisht edhe për Joelin do ishte një ditë e bukur ardhja e një motre apo vëllai në jetën e tij.
***
Ka një preokupim të medias për modën e grave në politikë, ju ngacmon kjo gjë?
Aspak. Media ka axhendën e saj. Vlerësoj rregullin e etikës në veshje pa përjashtuar shijet e gjithsecilit, por nuk ndikohem nga dëshira e të kthyerit një model vetëm në veshje apo për dukjen sipërfaqësore.
Gatuani? Cila është vlera e një vakti special të shtruar në shtëpi?
Është një nga gjërat më të çmuara të familjes, nuk ndodh përditë të gatuajmë dot vakte speciale, por nuk ia heqim vetes mundësinë e të ulurit në tryezë edhe me diçka të thjeshtë përpara.
Pasionet, sa vend gjejnë në kohën tuaj të lirë? Keni pengje në këtë drejtim?
Unë pasionin tim po e jetoj. Koha e lirë është udhëtime aq sa mundem, nuk dua të ankohem për asgjë. Jam mirënjohëse për çfarë kam dhe si ndjehem.
Cila do të jetë lëvizja e radhës, në politikë apo jashtë saj?
Çdo gjë në kohën e vet, në vendin e vet!
Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 106
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.