Radiografi

March 2, 2017 | 10:00

Arkiv / Eglantina Gjermeni: Të jesh vetvetja!

Në pamje të parë elegante dhe me shije estetike. E butë dhe elokuente njëkohësisht. Me supe të brishta…, por tepër e fortë për të mbajtur mbi to një peshë aspak të lehtë. Ç’është e vërteta, në pozicionin e saj nuk kanë vlejnë peshat fizike, as muskujt për të mbajtur barrën.

Planifikimi, ndërtimi dhe zhvillimi urban nuk janë fjalë loje. Por “këllqe” të forta duan gjithsesi. Ndërsa ajo e kishte vendosur që para se të vinte këmbën e djathtë në start, se në garë duhet të ishte veç fituese. Ndaj në përpjekje të vazhdueshme për të mbërritur në vijën e finishit, është munduar të realizojë çdo iniciativë që mban firmën e saj. Një sfidë sa ambicioze aq dhe e vështirë. Në manualet e psikologjisë thuhet se nuk ka forcë më të madhe se sa fuqia shpirtërore e mendore për të ecur përpara. Dhe kjo e ka një bazë. Vërtet që ajo nuk ka “shkopin magjik” për të ndryshuar gjithçka, por ka bindjen dhe këmbënguljen për të dhënë maksimumin në ndryshimin e urbanistikës. Ndoshta për një femër mund të duken si projekte disi të parealizueshme. Por jo.., gabim… tashmë ky slogan arkaik dhe i dalë mode ka një vërtetim të kundërt. Ajo përpiqet çdo ditë të vendosë gurë të sigurtë në ngrehinën e punës së saj. Zhvillimi urban, kjo linjë etike, është një disiplinë statike gjithashtu. Misioni nuk ndalet, sakrificat po ashtu. E në këtë udhëtim të vështirë, ka me vete përkrahjen e njerëzve më të dashur të saj.

 

eglantina-gjermeni

Për Eglantina Gjermenin, ky lundrim si ministër, në varkën e kabinetit “Rama”, është krejt ndryshe nga ajo e shoqërisë civile, ku kishte udhëtuar më parë. E kështu duket se ka funksionuar premtimi i Rilindjes” për t’i dhënë një dimension të ri pozitës së gruas, duke i ofruar hapësira dhe më shumë përparësi potencialit femëror, e duke i vendosur ato në krye të dikastereve më të rëndësishme të qeverisjes.

 

Nga Orjona TRESA

Zonja Gjermeni, rrugëtimi juaj në politikë nis në vitin 2009, ku pas aktivizimit shumëvjeçar në shoqërinë civile u zgjodhët deputete e PS. 4 vjet më pas, në vitin 2013, u emëruat Ministre në kabinetin qeveritar të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama. Si ka qenë përvoja 3-vjeçare në krye të një ministrie tërësisht të re?

Kalimi nga shoqëria civile, apo mësimdhënia në universitet, më pas në politikë ka ardhur gradualisht. Në vitin 2009 kandidova për deputete nën siglën e Partisë Socialiste, mandat i cili u rikonfirmua edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Pas fitores së koalicionit të majtë në këto zgjedhje, unë u caktova nga Kryeministri Rama për të qenë pjesë e ekipit të tij qeverisës. Mandati im i parë si ministre, përgjegjësi shumë e madhe. Për më tepër drejtoja një ministri të re, e cila duhej krijuar, duhej ngritur struktura dhe duhej bërë të funksiononte. Ishte sfidë shumë e madhe, për shkak të angazhimeve që ne kishim marrë në programin qeverisës në fushën e zhvillimit urban, të planifikimit të territorit apo të ndërtimit në tërësi, sikundër edhe për strehimin apo menaxhimin e mbetjeve urbane. Sfidë ka qenë edhe në fushën e turizmit, pasi në vitin e parë të qeverisjes, ministria që unë sot drejtoj ishte Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Këtë përgjegjësi e mora përsipër me përkushtim dhe angazhim maksimal për të performuar sa më mirë, për të realizuar angazhimet që kemi në programin qeverisës për të krijuar një institucion me standarde funksionale.

Emocionalisht, çfarë ndikimi ka pasur tek ju posti që mbani?

Që në momentin e parë, caktimi në postin e Ministres ishte vlerësim, por edhe përgjegjësi, mbështetje e besim njëkohësisht. Unë jam njeri që i marr gjërat me shumë përgjegjësi, madje edhe gjërat e vogla i marr si të tilla. Ndoshta këtu ndikon edhe faktori gjinor, pasi gratë nga natyra janë më të përkushtuara dhe emocionalisht më të përfshira në detyrat që kanë. Ndaj theksoj që çdo përgjegjësi që më është ngarkuar, e kam marrë me shumë përkushtim dhe duke i vendosur vetes gjithmonë pritshmëri shumë të larta e duke qenë, pse jo, kritike me veten për të arritur më të mirën. Në këtë detyrë, që është pozicioni më i lartë që unë kam arritur deri më tani në jetën time, përgjegjësia dhe angazhimi m’u rritën nisur edhe nga pritshmëritë që Kryeministri Rama kishte për mua si një prej anëtarëve të kabinetit të tij, por edhe për ministret në tërësi. Mos harroni që, Qeveria aktuale ka numrin më të madh të ministreve në historinë e pluralizmit në vendin tonë.

E meqë po flisni për përfaqësimin e gruas në politikë (në qeveri në rastin tuaj), mendoni se shumë femra zgjedhin politikën për të përfaqësuar të drejtën?

Që prej ditës së parë kur vendosa të angazhohem në shoqërinë civile, e me kalimin e viteve edhe në përfshirjen në politikë, gjithmonë kam menduar dhe besuar se qëllimi im është të jem pranë njerëzve. Ndaj dhe misioni im në politikë është të arrij te qytetarët, si në fillim të rrugëtimit tim si deputete, ashtu edhe sot e kësaj dite kur drejtoj një ministri që ka impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Dhe gruaja, në thellësi të saj ka një forcë e madhe për të konkretizuar çdo plan apo angazhim, nisur nga përgjegjësia dhe serioziteti për të bërë më të mirën. Si dikur, kur drejtoja Qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, apo si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, edhe sot si anëtare e Qeverisë kam mbështetur e do vazhdoj të mbështes përfshirjen e gruas në vendimmarrje, si në atë kombëtare edhe në nivel lokal. Në këto vite, gruaja shqiptare ka ecur shumë, një rrugë e vështirë dhe plot pengesa, të cilat i ndeshim edhe sot edhe kësaj dite. Por, nëse në politikë e në vendimmarrje gërshetohen barazia gjinore me elementët më të mirë që një individ ka, atëherë çdo vendim i marrë është më i mirë dhe më produktiv për interesin e çdo qytetari në Shqipëri.

Dhe barazia gjinore për të cilën flisni ka gjetur mbështetje në kabinetin ku ju bëni pjesë? Sa dëgjohet fjala juaj dhe e kolegeve ministre në Qeveri?

Vetë fakti që, nga 19 poste ministrore, 8 prej tyre mbahen nga ministre gra flet shumë, apo jo?! Dhe bëhet fjalë për ministri të rëndësishme, me peshë të madhe në jetën e përditshme të qytetarëve, në ekonominë, sigurinë, shërbimet ndaj tyre. Ky është një tregues, jo vetëm i premtimit të mbajtur për përfshirje të gjerë të gruas në vendimmarrje, por mbi të gjitha e besimit se angazhimet e ndërmarra në vitin 2013 bëhen realitet. Përtej shifrave, fakt është që sugjerimet dhe vendimet që ne ministret dërgojmë në kabinetin qeveritar gjejnë mbështetje të gjerë dhe shumë konsensus nga të gjithë kolegët ministra dhe nga Kryeministri Rama. Pra, jo vetëm jemi produktive, por kemi forcën bindëse për të arritur të gjithë në një vendim për çështje, të cilat bazohen vetëm mbi interesin e votuesve që na besuan pushtetin, tre vjet më parë. E përpos vështirësive them se deri më tani ia kemi dalë.

eglantina

Si ndiheni ju, zonja Ministre në sallën e Kuvendit? Klima konfliktuale dhe mungesa e etikës mbizotëron në thuajse çdo seancë të institucionit më të lartë në vend.

Ajo çka është e vërtetë është e trishtë. Situata konfliktuale, agresive dhe shpesh edhe të personalizuara ndeshen ndër vite në Kuvend. Aq sa ndonjëherë edhe unë pyes veten: Si ka mundësi? Flasim për klasë politike, për politikanë, disa prej të cilëve edhe të shkolluar jashtë, që kur hyjnë në godinën e Kuvendit, e sidomos kur ka kamera bëhen shumë agresivë. Dhe sulmet janë shpesh të patolerueshme dhe me mungesë të theksuar të etikës. Ndjehesh në pozitë të vështirë edhe për vetën tënde, edhe për familjen, edhe për qytetarët që të ndjekin. Çdo të enjte më duket sikur qytetarët dhunohen. Unë, nisur edhe nga formimi im i shkencave sociale besoj shumë se, konfliktualiteti në politikë dhe niveli i agresivitetit, fatkeqësisht përcjellin mesazhe shumë negative për fëmijët tanë, për shoqërinë në tërësi. Agresivitet, i cili nuk e di pse, por po përhapet dhe po modelohet në mënyrë kaq të shpejtë dhe të egër, sa do vijë një moment kur do themi: Çfarë i kemi bërë fëmijëve tanë? Por, do jetë shumë vonë, sepse agresiviteti sjell dhunë. Fatkeqësisht, ajo që mungon është debati konstruktiv, me argumentet e të qenit bashkë. Sigurisht, mandatet politike janë të ndryshueshme në varësi të votës që japin qytetarët. Dhe unë nuk besoj kurrsesi që qytetarët shqiptarë vlerësojnë konfliktualitetin dhe dhunën. Gjithmonë kam patur ndjesinë se hera–herës shoqëria shqiptare është shumë më e avancuar se politika, sidomos kur bëhet fjalë për diskutime që prekin jetën e qytetarëve. Dita e enjte në Kuvend më vë në pozitë shumë të vështirë. Shpeshherë ndjehemi sikur është një detyrim që duhet të dëgjosh. E kuptoj që në demokraci si mazhoranca dhe opozita kanë të drejtën e fjalës dhe unë jam shumë e hapur për të dëgjuar, sidomos kur përballë kam njerëz që argumentojnë, kritikojnë apo thonë se si mund të përmirësohen gjërat. Por, në momentin që ky konstruktivitet mungon, pjesëmarrja në një Kuvend ku ka konflikt, tension, apo agresivitet bëhet shumë e vështirë.

Nisur nga kjo klimë apo nga vështirësitë e hasura në përditshmërinë tuaj, a ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të tërhiqeni, nga posti që mbani apo nga politika?

Çdokush nga ne përpara se të jetë politikan (ministër apo deputet) është njeri, me pikat e tij të forta dhe të dobëta. Një moment që të ndihmon në përmirësim është reflektimi apo analiza e punës dhe performancës. Kam patur dhe unë momentet e mia të vështira, apo pikëpyetjet e mia: Pse kam hyrë në politikë? A do ishte më mirë të vazhdoja mësimdhënien, ku jam ndjerë shumë mirë e që për hir të vërtetës më mungon? Këto nuk i konsideroj dobësi, por momente njerëzore kur mendon se diku tjetër mund të jepje më shumë. Por mbështetja dhe besimi i dhënë nga qytetarët, angazhimi që ke ndërmarrë për të bërë më të mirën janë shumë më të forta se ato momente që të lëkundin. Ndonëse jam tip i ndjeshëm dhe e marr gjithçka shumë përzemër, po aq jam e vendosur për t’i shkuar çdo gjëje deri në fund (edhe nëse kjo në dukje nuk vihet re).

Cila ka qenë forca më e madhe që ju ka shtyrë për të ecur përpara këto tre vite?

Arritja e qëllimeve që i vë vetes. Ka njerëz që e shfaqin më shumë, disa të tjerë jo. Me gjëra relativisht të vogla në jetë, ia kam treguar më shumë vetes sime, që nëse marr përsipër një qëllim, me gjithë vështirësitë ia dal mbanë. Dhe këtij qëllimi për t’ia dalë, i ka shërbyer edhe fakti që u përzgjodha dhe m’u besua kjo detyrë, kam marrë mbështetje nga qytetarë, miq apo të afërm. Besimi dhe inkurajimi janë dy prej elementëve më të rëndësishëm që më nxisin të vazhdoj e të përmirësohem në punën time.

Disa herë ju përmendët vështirësitë. A ka patur një moment që ju ka bërë të lëkundeni, një sfidë që ju trembur?

Pas marrjes së detyrës si Ministre, fusha e zhvillimit urban dhe turizmit ishin të dyja të reja. Sfidë akoma më e madhe ishte edhe ngritja e një ministrie tërësisht të re. Por, sfida bëhej edhe më e vështirë në një vend ku nuk kishte planifikim urban, ku territori ishte zhvilluar në mënyrë kaotike, ku nuk zbatohej ligji i miratuar vite më parë për planifikimin e territorit. Në vitin 2013, numëruam 400 mijë ndërtime pa leje, mungonin planet kombëtare të territorit. Të gjitha këto ishin dhe mbeten sfida për mua si Ministre, por edhe për shoqërinë shqiptare. Them mbeten, pasi me gjithë ndryshimet ligjore apo planet që kemi hartuar, sfida jonë e përbashkët është zbatimi i tyre. Ndaj në tërësi fusha e zhvillimit urban është sfiduese dhe pjesa më e vështirë ishte ngritja e ministrisë, e strukturës së saj dhe paralelisht me këtë përmbushja e detyrave dhe afateve që ne si Qeveri i kishin vënë vetes, për 100 apo 300 ditët e para. Këto sfida i kam kaluar dhe po i kaloj me një ekip shumë të mirë që kam në Ministrinë e Zhvillimit Urban, me një bashkëpunim shumë të mirë që kemi me ekspertë të huaj apo vendas, me universitete dhe aktorë të shoqërisë civile. Nëpërmjet këtyre bashkëpunimeve duam të japin mesazhin se, çështjet e planifikimit na prekin dhe na ndikojnë të gjithëve, ndaj për më tepër duhet të kontribuojmë të gjithë.

Në jo pak raste Ju jeni sulmuar në punën tuaj, nga politika apo media. Veçanërisht pas publikimit të rezultateve konkrete të punës 2–3 vjeçare, me produkte të prekshme. Si keni reaguar ndaj këtyre sulmeve?

Kjo është një prej pjesëve të vështira të politikës. Madje, unë mendoj që kur je grua, sulmet apo kritikat dyfishohen. Por, jam e ndërgjegjshme që kur punon do sulmohesh, aq më tepër kur rezultatet janë pozitive. Nuk mund të them që gjithçka ka bërë Ministria e Zhvillimit Urban ka qenë perfekte, ndaj mund të lëmë vend për kritika apo sugjerime, kundrejt të cilave kemi qenë dhe mbetemi shumë të hapur. Këtë e kemi treguar përmes përqasjes që ndjekim në punën tonë, përqasje shumë pjesëmarrëse, qoftë në rishikimin e ligjeve apo në hartimin e planeve. Të gjitha proceset e ndjekura nga MZHU janë transparente, përfshirëse të të gjithë aktorëve, mendimet dhe komentet e të cilëve merren gjithmonë në konsideratë. Shumica e këtyre gjërave që kemi bërë si: hartimi i 3 planeve kombëtare apo 61 planeve të përgjithshme vendore, 26 prej të cilave bëhen për herë të parë në vendin tonë, financohen nga Qeveria dhe mund të mos jenë perfekte, por ne jemi munduar të bëjmë më të mirën. Për këtë arsye kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim komente pozitive nga ekspertë të tuaj dhe shqiptarë, të cilët kanë qenë pjesë e punës tonë. Shumë ekspertë të tjerë kanë dhënë vlerësimet e tyre edhe pa qenë pjesë e këtij procesi. Ndaj sulmeve, qofshin nga politika apo nga media, i jemi përgjigjur gjithmonë me fakte, pa hyrë në debate të pafrytshme. Por, këto sulme nuk të bëjnë të ndjehesh mirë, për më tepër kur janë të stisura. Të qëndrosh më lart se to është ajo çka duhet bërë. Modeli i zhvillimit urban është i ri edhe sa i takon mendësisë, për nga vetë mënyra si ne e trajnojmë territorin: si një qenie të gjalla, me burime të fundme. Ndaj, nëse duam ta trajtojmë me kujdesin e duhur, zhvillimi është më afatgjatë dhe i qëndrueshëm, prej tij përfitojnë edhe fëmijët tanë. Jo gjithmonë gjërat që bëjmë sot e kanë impaktin sot, pasi ne mendojmë në një periudhë më afatgjatë. Me planet kombëtare të hartuara së fundmi, ne japim vizionin e Shqipëria 2030 dhe duam që me këto plane, të dimë se ku duam të shkojmë e të punojmë për këtë qëllim.

Në profilin tuaj ndër vite ka mbizotëruar një detaj: nuk jeni agresive. Është një zgjedhje e juaja, një model që ju kërkoni të ndërtoni në politikën shqiptare?

Ky fakt ka të bëjë me personalitetin dhe temperamentin tim, me atë çka unë jam, mënyra si jam rritur apo edukuar. Zgjedhja ime është në radhë të parë e qenit e edukuar dhe në Shqipëri shpesh këtë e marrin për dobësi. Unë këtë e quaj vlerë dhe fakti që di të dëgjosh njerëzit, komunikon me ta me etikë tregon se ke një model sjellje. E ndërgjegjshme se kam të metat apo gabimet e mia, di dhe unë të ngre zërin. Por, parimi im është që mesazhet që kërkon të japësh shkojnë aty ku duhet edhe pa ngritur zërin apo duke kontrolluar veten. Gjithmonë kam qenë e drejtpërdrejtë dhe e qartë, pa lënduar askënd.

Pak javë më parë është zgjedhur kryesia e re e PS, ku ju jeni rikonfirmuar si anëtare e saj. Madje këtë vit keni marrë shumicën e votave të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, ndër kandidatet femra për në kryesi. A jua ka përkëdhelur sedrën ky votim?

Në këtë intervistë me ju doja të ndalesha shumë tek besimi dhe përgjegjësia, pasi që këtu nis suksesi. Rikonfirmimi si anëtare e kryesisë padyshim që më bërë të ndihesha mirë dhe akoma edhe më shumë u ndjeva e vlerësuar nga Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili më zgjodhi për të qenë një ndër kandidatët, për kryesinë e re të partisë. Vota ishte për mua një befasi e këndshme. Nuk e mohoj që u emocionova, pasi u ndjeva shumë e mbështetur dhe e vlerësuar nga të gjithë. Këtu doja t’i rikthehesha atyre momenteve kur je në dyshim nëse duhet të largohesh nga politika, momente të cilat shoqërohen nga episode të tilla, momente adrenaline gjatë fushatës kur mbështetesh nga qytetarët, apo votime si ai në Asamble nga kolegët socialiste, kur i thua vetes: Do bëj gjithçka për të kontribuar për vendin tim.

Mbështetja e marrë në Partinë Socialiste dhe nga elektorati për dy mandate, a është një arsye për ju për të kandiduar sërish në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm?

Gjithçka dua të them tani është se, për sa kohë jam apo do të jem në politikë, angazhimi im do të jetë maksimal, sepse unë kështu di të punoj. Në çdo pozicion që kam patur edhe këtu si Ministre, por edhe në universitet si pedagoge, apo më herët në shoqërinë civile, jap maksimumin sepse unë besoj në atë çka bëj.

tinaPërpos të qenit politikane ju jeni bijë, jeni nënë, jeni bashkëshorte. Sa e ka vështirësuar përfshirja në politikë marrëdhënien tuaj me familjen?

Një prej sfidave me të cilat çdo grua përballet kur merr përsipër një përgjegjësi është balanca, harmonizimi i jetës personale me atë profesionale. Sa më e madhe është përgjegjësia, apo sa më i lartë të jetë pozicioni, aq më e vështirë bëhet ruajtja e balancës. Nuk mund të them që jam modeli i gruas që e ka gjetur këtë. E pranoj që herë pas here e gjej veten që e humbas balancën, duke anuar peshorja nga puna. Kjo, për shkak të angazhimit që ndërmora 3 vite më parë, me orare të zgjatura, me ngarkesa të madhe shpesh edhe emocionale. Pasi merr përsipër një përgjegjësi kjo balancë prishet, pasi ti nuk punon më vetëm për vete, por për të gjithë qytetarët. E pranoj se jam larguar shumë nga të afërmit, nga miqtë me të cilët mundohem të ruaj kontakte qoftë edhe virtuale. Nuk e di sesi e gjejnë mënyrën, por unë e ndiej mbështetjen e tyre, pasi ma shprehin gjithmonë dhe në forma të ndryshme. Me një lule që më dërgojnë, me një telefonatë, apo me një mesazh kur më shohin në ekran, ata janë prezentë tek unë dhe unë mundohem që këtë pjesë të mos e humb. E njëjta gjë vlen për familjen dhe për vajzën. Meraku është më i madh, pasi djali, Eriku është më i rritur. Por gjatë këtyre 3 viteve, im shoq, Mariani është ai që po kontribuon më shumë. Mundohem që Megit t’ia shpjegoj vështirësinë e punës, ndonëse asaj nuk i pëlqejnë fare oraret e zgjatura, apo largimi nga shtëpia kur më duhet të udhëtoj. Me gjithë vështirësitë, çdo grua e gjen mënyrën e saj për të qenë pranë familjes. P.sh: Në ditën e pushimit të shpenzosh kohë cilësore. Ajo që unë kam ndjerë është se miqtë dhe mikeshat më mirëkuptojnë, por unë ndjej që ata më mungojnë, pasi nuk shpenzoj më shumë kohë dhe më vjen keq për këtë. Dikur, kur isha deputete apo jepja mësim në universitet, koha ishte më e madhe dhe kontaktet më të shumta. Sot nuk është njësoj.

Ndalemi tek mësimdhënia, tek komunikimi me studentët. Sa ka ndikuar kjo eksperiencë në atë që Ju jeni sot?

Të dyja përvojat e mëparshme, si mësimdhënia dhe aktiviteti në shoqërinë civile kanë qenë të lidhura me njëra–tjetrën dhe më kanë dhënë elementët e parë mbi të cilët kam ngritur punën në ministri. Pjesa e komunikimit, e menaxhimit, e punës në ekip, ndarja e përvojave, dhënia e komenteve, mësimi nga gabimet apo eksperienca e punës me ndërkombëtarët, nuk janë elementë të rinj për mua, por sigurisht në pozicionin e ministres janë rritur në një shkallë më të lartë. Këto elementë janë plotësuar e përmirësuar, pasi unë mbetem e hapur për të mësuar. Përvoja në këtë ministri më ka mësuar edhe gjëra që unë nuk i dija. Kam zgjedhur të jem e përfshirë në të gjitha proceset, me çdo ekip të punës, për të njohur problematikat e për të qenë në brendësi të çdo çështjeje. E theksoj dhe një herë se ky profil ishte tërësisht i ri për mua, për më tepër në një fushë si zhvillimi urban.

A ka një motiv, që ju orienton në punën tuaj, në vendimet që merrni, në firmat që hidhni?

Në gjithçka që bëj, dua të jem e bindur dhe e përgatitur, duke analizuar, shpesh dhe më shumë se sa duhet, impaktin dhe ndikimin që vendimi i marrë do të ketë. Prioritar për mua do të jetë gjithmonë qytetari, ndaj dhe motivi im kryesor është përmirësimi i jetës së tij, çfarë sjell për të, produkti i punës së ministrisë që unë drejtoj. Mundohem të gjej elementet pozitivë dhe ka raste kur nuk ia dal mbanë, por këtu qëndron e bukura e jetës dhe e punës: të mos biesh në hendekun e negativitetit dhe t’i shohësh gjërat me pozitivitet. Nuk është e lehtë, por çdo gjë bëhet më e bukur kur ke një grup të mirë pune dhe kur gjen një fije shprese dhe energjie pozitive edhe aty ku gjithçka duket e pamundur.

Folët pak më parë për kohën tuaj të lirë. Si është një ditë pushimi për Ministren e Zhvillimit Urban?

Ka kaq shumë gjëra që më mungojnë, që do doja t’i bëja e nuk gjej dot kohën. Më mungon mësimdhënia, leximi, koha për të ndenjur me familjen. Mundohem që brenda të dielës të organizohem. Patjetër që takimi që nuk mungon kurrë është me prindërit e mi, ata madje ata na bëjnë edhe drekën e së dielës.

Gatuani ju zonja Ministre?

Gatuaj, mundohem të gjej kohë të gatuaj. Nuk jam ndonjë kuzhiniere e shkëlqyer, por fakt është që në shtëpi gatimet e mia konsumohen. Në realitet, unë mundohem të gjej pak qetësi edhe kur gatuaj, por kohën më të madhe e shpenzoj me vajzën time 9-vjeçare. Dalim diku, ose edhe të rrimë në shtëpi, mjafton që të jemi bashkë. Ne kemi një traditë të vjetër në familje: qëkur Megi ka qenë bebe, unë i lexoj çdo mbrëmje një libër. E ka si trajtim të veçantë dhe e pëlqen shumë, ndaj sado e lodhur të jem, kur vajza shtrihet për të fjetur nuk e zë gjumi, unë i lexoj një libër nga fillimi në fund.

Sot jeni nënë, por edhe bija e një nëne. Si është marrëdhënia me prindërit, sa ju kufizon karriera për të qëndruar me ta?

Koha e pakët me prindërit është një ndër shqetësimet e mia. Për gjithë dashurinë, përkujdesjen, mënyrën se si na kanë rritur meritojnë më shumë vëmendje edhe nga unë. Por, jo gjithmonë ia dal mbanë. E pranoj, unë nuk jam një super grua. Jam një grua si mijëra të tjera, që mundohen të bëjnë më të mirën, por jo gjithmonë ia dalin mbanë. Nuk e arrijnë dot të vetme këtë gjë dhe padyshim duhet të kenë mbështetje. Bashkëshorti është mbështetës, prindërit absolutisht po. Ndonëse koha kalon, ata bëjnë maksimumin, ashtu si çdo prind bën për fëmijën e tij. Prindërit, bashkëshorti, dy fëmijët dhe vëllai janë mbështetja ime më e madhe. Por, kam edhe një rreth pak më të gjerë me miq e mikesha, të cilët ma lehtësojnë jetën me mënyrën se si më mbështesin, si më vlerësojnë dhe sa afër i kam kur unë kam nevojë. Mundohem të jem pranë tyre kur ata kanë nevojë, jo vetëm në atë pak kohë të lirë që më mbetet. Dhe miqtë më thonë që ia dal, me mënyrën time, por ia dal. Për shkak të kohës time të kufizuar, edhe me një telefonatë apo një tufë me lule i shpreh një urim apo i them që unë jam po ajo Tina, nuk kam ndryshuar.

Me mundësitë e kufizuara të një supergruaje, sa kreative jeni?

Kam menduar gjithmonë se kreativë janë vetëm artistët. Por, tani që po e mendoj unë kam shpirt krijues, për mënyrën praktike se si i zgjidh gjërat, si marr vendimet për të provuar sfida të reja, për të krijuar një model. Me idenë e të parit gjërat me pozitivitet, ose për të parë të veçantën tek një individi them se hedh një hap drejt një krijimi tëri apo zgjidhjen pozitive të situatave. Por, si në sjellje ashtu edhe në përzgjedhje, për shembull të veshjeve, miqtë kanë arritur në një pikë kur thonë se e dallojnë që jam po unë, Tina.

Përmendët veshjet. E ndiqni ju modën, apo ju ndjek ju një stil i veçantë? Keni krijuar një imazh tuajin në të veshur. Në cilat rrethana do të hiqnit dorë nga ky stil?

Në asnjë rrethanë, për asnjë arsye. Ky ka qenë stili im edhe kur kam qenë pedagoge në fakultet, apo drejtore ekzekutive në një organizatë. Veshjen e kam zgjedhur gjithmonë me kujdes, duke respektuar profilin e punës. Sigurisht, me kalimin e viteve dhe me pozicionin e ri, gardëroba është shtuar. Por, stili ka mbetur ai që më përshtatet mua dhe ndihem mirë me të, veshja profesionale. Moda apo tendencat janë zgjedhje personale. Është e qartë që kur je në politikë apo në art je më shumë në fokusin e medias për veshjen apo cilësinë e saj. Për mua, veshja është identiteti i vetë njeriut. Në këto kushte, kam zgjedhur një stil që më bën të ndihem mirë dhe nëse unë vesh diçka që nuk është “e imja”, menjëherë do bjerë në sy që nuk jam unë brenda asaj veshje.

Me paratë si i keni marrëdhëniet?

Jo, jo s’i kam fare të mira. Mundohem që pjesën më të madhe të veshjeve t’i qep, prej të paktën 12 vitesh. Ka një çmim më ekonomik, por janë dhe veshje që përbëjnë stilin tim, të pahuazuar nga dikush tjetër. Jo rrallëherë, qëllon që edhe të rregulloj veshjet më të hershme duke i përshtatur ato. Por, nuk kam shpenzuar shumë para për veshje asnjëherë në jetën time. Sa i takon shpenzimit të parave, unë dhe bashkëshorti, administrojmë të ardhurat nga pagat tona, si të punësuar në institucione shtetërore, në bazë të pozicioneve që secili prej nesh ka. Jemi të kujdesshëm dhe përpiqemi të mos abuzojmë, pasi kemi një djalë që po arsimohet jashtë dhe një vajzë, e cila është në hapat e para në rrugën e dijes.

Cili është pasioni i Eglantina Gjermenit?

Që e vogël kam qenë shumë e dhënë pas leximit. Kur fëmijët e tjerë luanin me top përjashta, unë mbyllesha në dhomë dhe lexoja. Dhe sot e kësaj dite mundohem ta ruaj. Të paktën kur udhëtoj në avion, apo në hotel gjatë shërbimeve përpiqem të mos shkëputem nga libri. Por, më pëlqen shumë të dëgjoj muzikë, të udhëtoj e të jem me njerëz që i dua.

Cili është për ju sekreti i jetës?

Më shumë sesa sekret do ta quaja një ndjesi, që më shoqëron në punë, në familje, në jetën e përditshme. Është diçka që unë e kam shumë përzemër: Të qenit vetvetja. Mundohem ta ruaj me fanatizëm dhe më vjen mirë kur marr mesazhe: Tina nuk ke ndryshuar, je e njëjta. Dhe shumë e lidhur me të është: të bërit të gjërave me dashuri. Pasi gjithçka e bërë me dashuri është më e bukur, më e mirë dhe të fal gjithmonë lumturi.

 

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 108

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top