Radiografi

February 11, 2017 | 9:52

Arkiv / Erion Veliaj, Tirana kthim në punë

Mbi tavolinën e punës dhjetëra dosje projektesh presin të marrin jetë. Në mendjen e tij shumë më tepër se aq. Dhe kjo i merr orët e gjumit, të jetës private apo të një pushimi të pamotivuar. Koha nuk pret më, edhe pse në fakt gjatë 100 viteve të fundit duket se kemi humbur kohë të çmuar boll. Tanimë kryeqytetit kaotik të shqiptarëve i duhet frymëmarrje, metra katrorë gjelbërim, pastërti nga mbetjet urbane, më shumë rregull në trafik, ndriçim linear dhe më shumë disiplinë në ndërtime, sigurisht. Tirana nuk mund të humbë për pavëmendje.

erioni1

Ai shquhet si njeri i arsyes, i vetëdijes për të ndryshuar, ambicioz i motivuar për të arritur qëllimet e tij në jetë. Kush e ka ndjekur hap pas hapi, e ka fare të qartë sesi nisi rrugëtimi i tij. Një djalë me pritshmëri, që u vu në krye të një lëvizjeje rinore duke sjellë një kurs të ri në shoqërinë shqiptare. Që prej shfaqjes së tij të parë publike me një dorë të kuqe që përplasej mbi një beze të bardhë për të lënë shenjat e pesë gishtave mbi sloganin “Mjaft”, kanë kaluar 16 vite. Ai ishte vetëm 23 vjeç, i sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E, me sa, dukej misioni i tij fillestar pati një shtrirje të gjerë dhe ndikim atë kohë.

Sot, ai është përfshirë në një dimension të ri. Ka hequr dorë përkohësisht nga politika e foltoreve, nga puna në administratën qeveritare si ministër dhe ka preferuar që të ulet këmbëkryq me punonjësit e pastrim-gjelbërimit të qytetit. Larg mandatit për një karton në Parlament dhe mbledhjeve vendimmarrëse të Kabinetit të Kryeministrit, ai po mendon më shumë për vendosjen e pusetave të hequra në çdo rrugë të Tiranës, pastrimin e Lanës nga llumi, zbatimin e projektit për bulevardin e ri dhe, pa dyshim, për t’i dhënë kryeqytetit një “piazza” të re, krejt moderne e pa qarkullim makinash që çlirojnë veç karbon kanceroz. Pa dyshim, e gjitha kjo mund të arrihet, për aq kohë sa jemi të gatshëm të paguajmë koston. Ndoshta vetëm një mandat, 24 orë punë “non stop” dhe Tirana, me gjurmë orientale, e mbushur me arkitekturën skematike të socrealizmit dhe me adoptime moderne të 15 viteve të fundit, ka gjasa të marrë pamjen e një qyteti europian. Në fakt, sipas një parimi të tillë, është ngritur dhe slogani i udhëhequr nga morali dhe ndërgjegjja për t’i shkuar deri në fund një misioni të rëndësishëm siç është administrimi i “qeverisë” së Tiranës.

Së fundi ndihet dhe një dorë ndryshimi, një kthesë e rëndësishme për metropolin e premtuar të pas viteve ‘90. Me sa duket, era e ndryshimeve ka nisur. Pavarësisht ngarkesës dhe problematikave që bart kryeqyteti ynë i përbashkët, stresit mbytës të zonave të pasigurta urbanistikisht, ai është i vendosur t’i japë faqen e duhur Tiranës. Të gjitha këto, por dhe më shumë se kaq, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës që prej 6 muajsh, i thotë gjatë një interviste për revistën “Psikologjia”.

 

erioni

 

Intervistoi Orjona TRESA

Në lëmin e angazhimeve si kryetar bashkie, emocionalisht s i ndiheni në këtë detyrë me ngarkesë, por që besoj jep kënaqësi kur ia dilet mbanë?

Të qenit kryetar bashkie është një eksperiencë ndryshe nga ajo kur je pjesë e një kabineti qeverisës. E kam thënë edhe herë të tjera se është puna më e bukur në Shqipëri, për një arsye kryesore: çdo vendim që merr sot, ka impakt të menjëhershëm te qytetarët nesër. Unë vij nga një eksperiencë si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku pata mundësinë të kryeja disa reforma, si ajo e pensioneve, hapja e dosjeve të ish-sigurimit komunist apo reformën e tregut të punës. Të gjitha këto reforma jam i bindur se do të sjellin të mira për qytetarët, por rezultatet e kësaj pune do të duken pas disa vjetësh. Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, sot e di më mirë se ku u pikon çatia njerëzve. Përditshmëria ime ka ngarkesë, sigurisht, ka edhe dramë, vështirësi, por, pikërisht këtu qëndron e bukura e kësaj pune.

Cilat janë arritjet e deritanishme si kryetar i “qeverisë” së Tiranës?

Arritja më domethënëse në këto 6 muaj është kthimi i Tiranës në punë, pas 4 vitesh dembelizmi dhe keqqeverisjeje. Në një qytet ku kishte katër vjet që s’mblidheshin plehrat, administrata e bashkisë dhe punëtorët s’vinin në punë sepse këtë kulturë u injektonte i pari i tyre, në vetëm 6 muaj jam i lumtur me çfarë kemi arritur, por ende nuk jemi atje ku unë kam ambicien ta shpie qytetin e Tiranës. Ashtu si qytetarët e Tiranës, jam i vetëdijshëm se problemet dhe hallet e qytetit tonë nuk zgjidhen as për një vit, as për një mandat, por jam krenar që Tirana tashmë është kthyer në punë. Sot punohet edhe në fundjavë në qytet, rregullohen trotuare e asfaltohen rrugë, ndërrohen koshat dhe rrugët po ndriçohen dita-ditës; ka më shumë lulishte e parqe për fëmijët; të gjitha këto qytetarët i shohin e i prekin. Tirana ka nevojë për më shumë se kaq? Sigurisht! Kemi vetëm 6 muaj në detyrë, kemi ende shumë për të bërë.

Sa problematika duhen zgjidhur ende dhe cilat janë më në emergjencë për t’iu dhënë drita jeshile?

Me reformën e re territoriale, Tirana është rritur 25 herë më shumë, çka do të thotë se edhe problematikat janë shtuar. Ajo që kemi bërë në këto gjashtë muajt e parë ishte ndalimi i degradimit të mëtejshëm të qytetit, i cili kishte katër vjet që nuk menaxhohej. Me të marrë detyrën, administrata e re i shpalli luftë zhulit që kishte zënë kore në rrugët e qytetit sepse vlerësuam se kjo ishte emergjenca kryesore për qytetarët. Falë aksionit vullnetar dhe vëmendjes së bashkisë, sot Tirana është më e pastër dhe mbeturinat mblidhen rregullisht. Mandej, vlerësuam si emergjencë çerdhet e Tiranës. Jam skandalizuar kur në ditët e para të punës si kryebashkiak vizitova një çerdhe në të cilën kishte mbirë myku në mure. I gjetëm godinat ku banojnë të vegjlit e Tiranës në një gjendje skandaloze dhe, falë edhe dëshirës së biznesit për të ndihmuar, arritëm t’u japim atyre 31 çerdhe tërësisht të reja. Problematika kemi edhe me kopshtet e shkollat, cilësinë e ajrit, ndotjen e madhe nga makinat, trafikun dhe parkingjet, ndriçimin e rrugëve dhe asfaltimin e tyre, vjedhjen e pusetave dhe ujin e pijshëm etj. Për të vijuar me projektet e mëdha, të cilave u kemi dhënë zgjidhje në kaq pak kohë si Bulevardi i Ri, Unaza e Vogël, Pazari i Ri, terminalet e autobusëve, shtimi i hapësirave të gjelbra dhe kështu me radhë. Por, problemi numër 1 që duam të zgjidhim këtë vit për Tiranën janë kopshtet dhe shkollat. Me rikonstruksionin e kopshteve do të nisim shumë shpejt, ndërsa për shkollat po fillojmë një marrëdhënie të re të partneritetit publik-privat, për të ndërtuar 20 shkolla brenda mandatit të parë, duke i dhënë fund mësimit me dy turne që vijon prej 25 vitesh.

Cila ka qenë mbështetja sa i takon shoqërisë apo subjekteve të ndryshme të huaja apo vendëse në këtë nismë, ku fillimisht ka nisur me vullnetarizëm?

Në këto muaj kemi pasur dy eksperienca të suksesshme, si për vullnetarizmin e qytetarëve të Tiranës, ashtu edhe për kontributin konkret që shoqëria mund të ofrojë për të ndihmuar financat e qytetit. E kam fjalën për përgjigjen pozitive që 50 mijë qytetarët i dhanë thirrjes sonë për ta pastruar Tiranën në një ditë. Po kaq domethënëse ishte edhe mbështetja që shumë biznese e qytetarë i dhanë nismës sonë “Adopto një çerdhe”, duke rikonstruktuar plot 31 të tilla. Mjaftojnë këto dy raste për të ilustruar mbështetjen e pakursyer të qytetarëve të Tiranës, për të sjellë ndryshim në qytetin tonë të përbashkët. Kur njerëzit ndihen pjesë e një misioni, ata nuk kursehen. Misioni ynë është që ta bëjmë Tiranën një qytet më të mirë e më të jetueshëm për të gjithë.

Cili është bashkëpunimi juaj me komunitetin? Si qëndroni më afër nevojave të tyre dhe sa ngarkesë ka në këtë drejtim, marrë parasysh stinën e dimrit me shirat dhe të pastrehët që kanë nevojë përndihmë, por edhe për problematika të tjera sociale?

Unë jetoj me problemet e Tiranës. E përsëris, hallet e këtij qyteti janë shumë, por kjo s’më step përpara asaj që unë arrij të shoh në të ardhmen e Tiranës. Minimumi që mund të bëjë bashkia është që të jetë në krye të detyrës. Kjo më rezulton se ndodh çdo ditë, në çdo orë të ditës. Unë kam premtuar një bashki 24 orë në punë dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme se po ndodh. Sa për nevojat e qytetarëve gjatë stinës së dimrit, kur reshjet e shirave shtohen, Bashkia e Tiranës ka treguar se është në krye të detyrës për të zhbllokuar çdo pusetë, për të ndihmuar në lehtësimin e trafikut, që uji i pijshëm të mos mungojë, që kanalizimet të funksionojnë. Sigurisht, disa rrugë të Tiranës përmbyten, por që të shkojmë deri në zgjidhjen e kësaj problematike të mbarsur në 25 vjet, po marrim ca vendime të rëndësishme si prishja e ndërtimeve mbi kolektorë. Lidhur me çështjen e strehimit për të pastrehët, besoj e mbani mend se shpërndarja e 242 banesave sociale që në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak ishte premtimi i parë i mbajtur. Ju kujtoj se kishin 4 vjet që nuk jepeshin.

Pas një dite tejet të ngarkuar në punë, çfarë ju qetëson dhe çlodh?

Mendimi se i kam dhënë zgjidhje të paktën një problemi në Tiranë, sepse ka rëndësi që qytetarët e Tiranës e mbyllin ditën me një problem më pak.

Keni thënë ndonjëherë me vete: Ç’m’u desh kjo punë?

Jo, dhe nuk besoj se do ta them ndonjëherë, përderisa mendoj se kjo është puna më e bukur në Shqipëri. Ëndrra ime është të mbetem gjithmonë i angazhuar në dinamikat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe, për mua, ka rëndësi fryma që përcjell e ndryshimi që sjell me veprimet e tua. Në çdo detyrë që kam marrë përsipër deri tani, gjithmonë kam dashur të sjell ndryshim. Sot ndihem fort i lumtur pse gjendem në një detyrë, ku një vendim i drejtë ndryshon jetën e njerëzve brenda pak orësh.

Si jeni ju si epror: bashkëpunues, kërkues, apo tolerant?

Unë e nis ditën e punës shumë herët. Ora 7 e mëngjesit më gjen gjithnjë në zyrë. Nuk e di nëse ky “ves” i imi më fut në një kategori të caktuar, por mendoj se një drejtues për ekipin e tij duhet të jetë së pari frymëzues.

Ka ndonjë gjë që jua prish ditën?

Një punë e pabërë ose problem i pazgjidhur.

Brenda politikës keni thjesht “armiq” kundërshtarë, apo…?

Mendoj se politikanët janë thjesht kundërshtarë politikë, pa armiqësi dhe parapëlqej t’i shoh si të tillë. Politika është një lloj arene ku arma e vetme janë fjalët. Më vjen keq që hera-herës fjalët përdoren për fyerje, në vend që për të zgjidhur problemet e qytetit apo vendit.

Çfarë do të dëshironit të ndryshonit në këtë vend?

Gjithmonë them se mënyra më e mirë për të mos u kritikuar, është të mos bësh asgjë. Ai që punon, rrjedhimisht edhe kritikohet. Kori i atyre që përsërisin “ky vend s’bëhet” më krijon një gjendje jo të mirë.

Cila është motoja juaj?

Do të më shikoni gjithnjë t’u përgjigjem kritikëve dhe fjalëshumëve me punë, duke bërë të paktën një gjë çdo ditë.

Në momente të vështira sa e rëndësishme është për ju mbështetja e dikujt? A këshilloheni?

Këshillohem çdo ditë me stafin tim, sepse e tillë është natyra e punës që bëjmë të gjithë së bashku. Këshillohem për çdo vendim që marrim bashkërisht për qytetarët e Tiranës, e jam i lumtur që rrethohem nga një staf profesionist.

Po për Ajolën si ka qenë kjo përvojë? Këshilloheni me të?

Po, më këshillon të bëj durim e të pranoj faktin se gjërat e mira marrin kohë e nuk zgjidhen tak-fak siç këmbëngul unë. Ka të drejtë, por e bëj nga padurimi që punët të ecin më shpejt (qesh).

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, numri 105

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top