Kur zbriti në pistën e Rinasit, pas një udhëtimi 110 minutësh nga krahu tjetër i Adriatikut, padyshim nuk e priste të dashurohej aq shumë me vendasit që e shihnin në dritën e syrit, sa do të kërkonte dhe një pasaportë ku t’i njihej e drejta e shtetasit shqiptar. Ai mbërriti në Tiranë kur shpresat ishin mpakur dhe nga horizonti nuk pritej të shfaqej ndonjë “superman”. Katër vjet më pas, i njëjti italian me “albania passport” na bëri të besojmë se ne shqiptarët kemi mundësi pa fund, veç duhet një mendje inteligjente të kanalizojë energjitë tona që nuk dinë të shterojnë. Ndërsa vetë futbolli, ky dimension unik e plot pushtet, na bëri të gjithëve të shtrëngonim radhët rreth boshtit ku ishte ngritur veç një flamur, ai me shqiponjën dykrenash. Nuk është një nacionalizëm ekstrem, por thjesht një ndjenjë kombëtare që na bën më të qartë për vlerat që mbartim, e ndonjëherë nuk e dimë se i kemi. Për meritat e tij, Gianni de Biasi, ky trajner elegant e plot pasion, tanimë shihet si “heroi” i shqiptarëve. Një gjeneral i paepur në kalanë e tij të gjelbër, që mbrohet nga “garda pretoriane” e 23 lojtarëve të veshur me uniformën kuq e zi. Gianni de Biasi apo Gani Abazi siç do ta “konvertonin” vendasit teknikun latin, shënoi një gjurmë të rëndësishme në futbollin shqiptar, duke qetësuar ekipin e trazuar, për ta çuar në eliminatoret e “Francë 2016”. Një gjë e tillë ishte e paparë në historinë 80 viteve të futbollit shqiptar, por e ëndërruar çdo 2 vjet, sa herë shorti ndahej për kampionatet evropiane e botërore dhe një dorë e re nënshkruante kontratën e “pamundur” si udhëheqës teknik.
E pabesueshme, por po aq e vërtetë. Ne nuk kemi folur kaq shumë për futbollin sa kemi bërë përgjatë dy viteve të fundit. Unë, ashtu si dhe shumë fëmijë të tjerë, jam udhëhequr prej tim eti për të ndjekur nga tribuna e “Qemal Stafës” ndeshjet e skuadrës së zemrës. Kam marrë emocione prej të cilave kisha hequr dorë. Sot me pritshmëritë që ka treguar futbolli shqiptar, më kthen besimin se fusha e blertë është një pikëtakim ndjesish të papara. Ndaj dua të shkoj sërish të shoh një ndeshje “live” këtë herë në Arenën Kombëtare. Pavarësisht mungesave, terreneve jo aq të mira sportive, por me filozofinë e një njeriu pragmatist, me ambicje, vetbesim dhe idealizëm, De Biasi kaloi atë prag që për kombëtaren shqiptare ishte bërë i pakapërcyeshëm. Pas kësaj, futbolli na ka lënë një shije të mirë që do të shërbejë dhe për edukimin e brezave që do të vijnë. De Biasi nxori në pah cilësitë e çdo lojtari për të krijuar në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Angazhimi i tij bëri që Kombëtarja Shqiptare të kishte një ringritje të shpejtë, ndërsa prurjet sollën në “Qemal Stafa” lojtarë të talentuar që investonin të ardhmen e tyre në ekipe të njohura evropiane. Modeli që na ofroi Gianni de Biasi nuk ishte vetëm ai i përvetësimit të teknikave të triblimit, por si një profesionist në fushën e blertë, u bë një psikolog për detashmentin e tij. Ai transmetoi qetësi, mirësi dhe pozitivitet. E me siguri të gjitha bashkë ia kanë bërë më të lehtë suksesin. Ndonëse me pushimet e merituara, pavarësisht lodhjes kaq të gjatë, Gianni de Biasi gjen kohë për gazetarët, duke mos lënë askënd pa përgjgjen që kërkon. Nga parasja e bukur e Sardenjës, atje ku mrekullia nuk është cenuar në asnjë cep, shtëpia i duket edhe më e dashur për ta shijuar edhe kur është me pushime. Familja ka vendin e saj, si gjëja më e shtrenjtë në botë, ndërsa pika e dobët mbetet vajza e tij, Chiara. E gjithsesi pyetjeve të “Psikologjisë”, ai i është përgjigjur pa rezerva.
Na dhatë një emocion të papërshkruar me perfomancën e ekipit kuqezi në evropianin e futbollit. Ndërkaq më herët, që pas ndeshjes me Serbinë, duket se i rritët besimin shqiptarëve dhe jo vetëm futbollistëve se ka gjithmonë një rrugë për t’ia dalë mbanë për të arritur fitoret. Shqiptarët ju shikojnë tanimë si një lloj gurù-je? Si ju bën të ndiheni kjo gjë?
Sinqerisht nuk ndihem një gurù dhe as një person i veçantë. Përpiqem t’u përçoj lojtarëve të mi, por edhe atyre që më dëgjojnë konceptin që, në jetë nëse nuk angazhohesh dhe lufton, vetëm talenti nuk është i mjaftueshëm për të arritur rezultate të rëndësishme dhe që shumë shpesh i konsiderojmë të pamundura.
Si ndiheni emocionalisht pas gjithë këtij rrugëtimi të gjatë dhe plot sfida?
Jam gjithmonë në kërkim të sfidave të reja dhe objektivave të rinj për t’u arritur. Bën pjesë në “forma mentis”-in tim, por nuk kënaqem asnjëherë pas një suksesi. Kërkoj menjëherë rrugën për të arritur një sukses tjetër!
Ashtu si ju kemi parë, mund të them se ju keni qenë më së pari psikologu i skuadrës e mandej trajneri. Si i keni bashkërenduar këto dy role?
Gjithmonë jam bindur që mendja është një fuqi motorike, të cilën shpesh e përdorim në mënyrë të pjesshme. Kam kuptuar dhe mësuar falë përvojës së arritur në pothuajse 25 vite punë me skuadra të ndryshme, që të kanalizoj dhe ta drejtoj këtë “burim” të jashtëzakonshëm, sidomos aty ku duhet të punosh në skuadër, duke u munduar t’i jap një filozofi të zakonshme përbërësve të veçantë të ekipit.
Ka një lloj filozofie në mes të perceptuarit të lojës së ekipit shqiptar dhe asaj që ju keni përdorur në momentin që keni marrë drejtimin e tyre?
Objektivi i parë ishte t’u bëja të kuptonin dallimin në të besuarit në aftësitë personale dhe jo t’i jepja hapësirë mendimit negativ, që shpesh i shoqëron klubet e vogla apo grupet që nuk arrijnë të kenë rezultate. Fatalizmi dhe nënshtrimi shpesh predominojnë mbi dëshirën për të fituar dhe për t’u afirmuar. Unë vetëm i kam kërkuar të më ndjekin dhe të besojnë që ajo që shumë e konsiderojnë si të pamundur, nëse e beson fortësisht, mund të realizohet!
Më lejoni t’ju them se në iniciativat tuaja vihet re një vetëbesim, këmbëngulje, pozitivitet dhe idealizëm sa i takon pozitave ku gjendeni. Cila është motoja juaj në jetë?
Që asgjë nuk mund të jetë e përjashtuar a priori, por duhet të luftojmë dhe të bëjmë maksimumin për t’ia dalë mbanë në projektet tona… Sa kanë ndikuar modelet e të parëve në formimin tuaj, qoftë ai familjar por edhe rrethi edukativ ku ju jeni rritur? Besoj që familja është një pikënisje e mirë, që vetë origjina dhe përvojat e jetuara, sidomos në moshën zhvillimore, na japin një ndihmë që më pas të “punojmë” për të gdhendur karakterin tonë dhe përqasjen ndaj jetës.
Transmetoni pozitivitet dhe paqe në qëndrimet tuaja, jo vetëm në sport por edhe në biseda të ndryshme televizive. A janë ato armët tuaja të suksesit?
Të them se cilat janë cilësitë që kam është me të vërtetë shumë e vështirë. Preferoj që të jenë të tjerët ata që të përshkruajnë atë që unë arrij të transmetoj.
Na keni mallëngjyer gjithashtu dhe në një spot publicitar të transmetuar këto kohë. Realizim perfekt që i shkon për shtat një aktori me përvojë. Ka qenë aktrimi një ëndërr e juaja në sirtar?
Besoj se janë shumë të zotët regjisori dhe drejtori i fotografisë. Unë thjesht u mundova të isha vetvetja. Nuk më ka shkuar kurrë ndërmend të bëhesha aktor.
Po si baba, si është Gianni de Biazi?
Besoj se jam një baba i butë, por shpesh jo i pranishëm. Kam një marrëdhënie shumë të bukur me time bijë dhe jam shumë krenar për të dhe se si ajo po përgatitet për të ardhmen e saj.
Cila është jeta juaj përtej të marrit me futboll?
Një jetë shumë normale, e jetuar shpesh në shtëpi, i rrethuar nga njerëzit që i dua dhe nga miqtë tanë. Cilat janë pasionet, hobet tuaja? Udhëtimi më ka joshur gjithmonë. Të zbuloj vende të reja, të takoj njerëz të ri… Është një gjë që të ndihmon të rritesh. Me kalimin e kohës, jam gjithmonjë e më kurioz të njoh vende dhe njerëz të rinj.
Si është koha juaj e lirë?
Nuk kam shumë kohë të lirë, sepse puna më merr të gjithë kohën dhe pastaj kam interesa të tjera që duhet t’i ndjek e të kujdesem për to.
Pushimet janë kulmi i rifitimit të energjive dhe forcave të reja për punë? Ku do të pushoni?
Si të gjithë vitet e kaluara në këtë kohë, do të jem në shtëpinë time në Sardenjë, në “Buen retiro”-n tim, vend që më jep shumë energji.
Preferoni vendin tuaj apo plazhet shqiptare janë destinacionet tuaja?
Jam shumë i lidhur me Sardenjën, një tokë shumë e bukur me male dhe dete shumë të bukur gjithashtu, por kam admiruar edhe plazhet e mrekullueshme shqiptare, të cilat ua këshilloj gjithmonë miqve të mi.
Ka ndonjë plan risi pas tyre?
Jo, nuk kam bërë ende programe…
Do t’i qëndroni besnik skuadrës shqiptare në vazhdim apo “kurrë mos thuaj kurrë” për ndonjë plan të ri?
Besoj se e kam treguar edhe në të shkuarën, besnikërinë time ndaj Kombëtares tonë, dhe sigurisht që nuk janë kontratat më të rëndësishme për të më bërë të zgjedh në një mënyrë tjetër. Për mua është e rëndësishme të kuptoj nëse “historitë” mund të vazhdojnë apo kanë përfunduar aty. Kjo varet nga shumë faktorë, të cilët shpesh ikin nëse nuk i vëzhgon me kujdes, dhe janë përfshirja emotive dhe mosshkrirja e marrëdhënieve.
Gianni De Biasi është ish-futbollist, i cili ka mbajtur rolin e mesfushorit. Gjuatjet e para të topit si profesionist i ka dhënë në skuadrën e Trevizos, ku u aktivizua për 25 ndeshje me 5 gola të shënuar. Më pas është transferuar tek skuadra milaneze e Interit, ku qëndroi një sezon dhe u aktivizua vetëm në 9 ndeshje. Në sezonin 1977- 1978 transferohet dhe vesh fanellën e Peskarës, me të cilën debuton edhe në Serinë A. Vazhdon karrierën e tij në disa skuadra të tjera italiane të nivelit mesatar si Brescia, Palermo. Rikthehet tek Trevizo ku luan 51 ndeshje dhe shënon 3 gola, dhe e mbyll karrierën me skuadrën e Bassano Virtus. Si trajner De Biasi e nisi karrierën me të rinjtë e Bassano Virtus në sezonin 1990-1991. Debuton në Serinë B me Kozencën në sezonin 1996- 1997. Në sezonin 2003-2004 debuton në Serinë A me Brescian ku qëndron në pankinën e saj për dy vjet. Gjatë viteve 2005-2007 drejtoi Torinon. Shkarkohet në fillim të vitit 2007 për konfrontime me presidentin e klubit torinez, e më pas rithirret të shpëtojë skuadrën kur kishin mbetur edhe 14 javë. Në sezonin 2007-2008 firmos një kontratë për të drejtuar klubin spanjoll të Levante, e cila pas 7 javësh ndodhej në vend të fundit. Për shkak të problemeve fianciare të klubit, dhe mungesës së blerjeve të lojtarëve të rinj në merkaton e janarit, e prish kontratën me klubin iberik në prill të 2008. Rikthehet të drejtojë dhe të shpëtojë përsëri Torinon kur kishin mbetur vetëm 5 javë. Ia arrin përsëri qëllimit dhe e shpëton. Në fillim të sezonit 2008- 2009 është përsëri nën drejtimin e Torinos, por shkarkohet pas humbjes 4-1 me Fiorentinën pas 12 javësh ku kishte grumbulluar vetëm 15 pikë. Në 22 dhjetor 2009 firmos për skuadrën e Udinezes, por shkarkohet në 21 shkurt 2010 për rezultate të dobëta. Që prej vitit 2010 kur mori drejtimin e kuqezinjve, ai ka kryer detyrën e komentatorit të ndeshjeve të Serisë A dhe Europa League për Mediaset Premium.
Tifozeria kuqezi
Kjo ishte pjesa më e bukur, ajo që na ka bërë të ndihemi krenarë. Më shumë patriotizëm se kurrë duke mbrojtur njëherësh ngjyrat e kombëtares sonë. Gjithçka u tregua në “Francë 2016” e njëherësh në mbarë botën, aty ky jetojnë shqiptarë. Vetë UEFA na bëri një pasqyrim po kaq të qartë duke na dhënë njëherësh vlerësim mes çmimit të akorduar të riut artist me studime në Francë, i cili bëri shqiponjën dykrenare në karton dhe e shpalosi në stadiumin francez. Euforisë dhe emocioneve iu bashkuam të tërë, duke treguar njëherësh qytetari dhe respekt ndaj një eventi kaq të rëndësishëm mbajtur në Francën fatkeqe të vitit të fundit pas sulmeve terroriste.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.110
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.