Sipas Armela Imerajt, zëdhënëse e PS – së, s’mund të dalësh në rrugë me një veshje pa mëngë e aq më pak me tiranda apo fustane bust, pavarësisht vapës. “Rrugës mund të të komentojnë”. Ndaj ajo i detyron vetes një veshje të rreptë, tepër strikte që i përshtatet pozicionit të saj. Në fakt “Mua më pëlqejnë veshjet serioze. Nuk i dua dekoltetë e ekzagjeruara, as xhiset apo veshjet sport”. Kjo do të thotë se pozicioni që ka nuk e detyron edhe aq të dalë jashtë vetes. Ama, deri diku. Sepse pikërisht për detyrim e ka të mbushur zyrën e saj me xhaketa, me mëngë të shkurtra apo të gjata, të cilat i vesh aty për aty, nëse duhet, në mënyrë që të mos shfaqet me një fustan zhapone në sy të publikut. Kjo, në rastet e takimeve zyrtare apo daljeve para kamerave… “Por mund të them se në çastet e mia të lira preferoj të vishem ndryshe dhe të jem ndryshe, duke ndjerë atë distancën nga puna. Për të thënë që jam jashtë pune në mendjen time. Një autosugjestion më shumë. Në shumicën e rasteve nuk ndodh kështu, por nëse mund të jem në plazh apo diku larg për pushime, sigurisht që do të kisha veshje më të lirë, ku të ndihesha më e qetë, më sportive. Nuk kam komplekse për këtë pjesë por çfarë rëndësie ka. Sytë janë gjithë kohës aty dhe unë jam mësuar me të qenit njeri i vëzhguar. Përpiqem të jem vetvetja”. Sakaq, vera, si stinë i pëlqen më shumë se sa dimri i lagësht e me shi. “Vera më çel, më krijon gjendje emocionale. Deri diku edhe pranvera e vjeshta. Në look jam natyrë e qëndrueshme, nuk e ndryshoj bojën e flokut, veshjes apo ngjyrat. Kam ngjyrat bazë: e kuqe jo e theksuar, blu, kafe, gri, e bardha më pëlqen jashtëzakonisht. Gjatë verës spikat e bardha por edhe gjatë dimrit e preferoj se më ndryshon emocionalisht nga një kohë e vrenjtur që ndikon në lodhje. Rrotullohem te ngjyrat bazë me po atë stil sa që mikeshave të mia u dukem njësoj”.
Botuar në revistën Psikologji, nr.72
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.