T’i bëni dush fëmijës suaj është një mënyrë ideale për të nisur ose mbyllur ditën e tij. Përveç higjienës, një dush i mirë relaksues do të qetësojë fëmijën tuaj dhe do ta vendosë atë në një gjumë të rehatshëm.
Sidoqoftë, jo gjithmonë foshnjat kënaqen kur i lajmë dhe mund të ketë disa arsye se përse fëmija juaj reziston dhe bërtet kur ju e lani. Nëse po pyesni përse një i porsalindur e urren ujin, në vijim janë arsyet pse fëmija juaj nuk është i kënaqur kur futet në ujë dhe si mund ta ndryshoni këtë situatë:
- Rrjedhja e ujit në sy.
Të vegjlit nuk e kanë konceptin e mbylljes së qepallave si refleks për të shmangur trupat e huaj që të mos hynë në sy. Rrjedhja e vazhdueshme e ujit mund të jetë një ngacmues dhe mund ta bëjë foshnjën të qajë. Çfarë mund të bëni? Përdorni një maskë në kokë për të mbrojtur sytë dhe për të shmangur derdhjen e ujit në fytyrë.
- Puçrra ose plagë që djegin.
Nëse fëmija juaj vuan nga skuqje ose plagë, kontakti me ujin dhe sapunin mund të shkaktojë ndjesinë e djegies dhe të shkaktojë shqetësim tek fëmija. Çfarë mund të bëni? Shmangni aplikimin e sapunit dhe ujit të tepërt në zonat e prekura dhe prisni derisa skuqjet të zhduken për të filluar regjimin e plotë të larjes.
- Temperatura e pakëndshme e ujit.
Ndoshta kjo është arsyeja më e shpeshtë pse fëmijët e urrejnë dushin. Të sapolindurit janë shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimit të temperaturës dhe uji shumë i ftohtë ose tepër i nxehtë mund t’i bëjë ata menjëherë të ndiejnë dhimbje. Temperatura e trupit, e cila është rreth 37 gradë celsius është temperatura më e mirë për ta larë fëmijën tuaj. Çfarë mund të bëni? Kontrolloni temperaturën e ujit duke përdorur bërrylin tuaj ose përdorni një termometër për të pasur një mendim më të saktë. Zhyteni fëmijën tuaj ngadalë në ujë për t’i lejuar atij të mësohet në të
- Uria.
Uria mund të jetë një arsye tjetër që e bën fëmijën tuaj të qajë kur e lani. Nëse foshnja nuk ushqehet siç duhet, ka të ngjarë të irritohet, veçanërisht gjatë larjes. Çfarë mund të bëni? Është e domosdoshme ta ushqeni foshnjën tuaj dhe të prisni rreth 30 deri në 45 minuta para se ta lani për të lejuar që ushqimi të përthithet nga trupi.
- Frika nga sapuni.
Përzgjedhja e sapunit të duhur për të voglin tuaj është thelbësore. Sapuni mund të shkaktojë acarim të lëkurës, ose fëmija mund të ketë një frikë se sapuni i hyn në sy duke i shkaktuar një ndjesi djegie. Çfarë mund të bëni? Konsultimi me një mjek është mënyra më e mirë për të vlerësuar llojin e lëkurës së bebes suaj dhe sapunin që do të jetë më i përshtatshëm për të. Përdorni sapun dhe shampo të bërë posaçërisht për të vegjlit dhe shmangni përdorimin e atyre që bëhen për të rriturit.
- Foshnja tashmë është lodhur.
Ndërsa banja supozohet se duhet të lehtësojë fëmijën, mund të jetë kundërproduktive nëse fëmija është shumë i lodhur dhe i gati për të fjetur, veçanërisht nëse rutina e banjës është pak para kohës së gjumit. Çfarë mund të bëni? Mundohuni që rutinën e larjes ta bëni pak para kohës së zakonshme të gjumit. Kështu nuk do ta pengoni atë të flejë kur i flihet.
I pamësuar me ujin.
Çdo gjë është një eksperiencë e parë për një të porsalindur dhe banja mund të jetë një e tillë. Ndjesia e ujit që prek lëkurën e të voglit mund t’i shkaktojë atij një ndjesi të pakëndshme. Mësojeni fëmijën me ujin duke filluar me larjen me sfungjer dhe më pas duke e mësuar gradualisht me larjen e rregullt me ujë.
Vend i papërshtatshëm për larjen.
Gjërat që mund të na duken jo shumë të rëndësishme mund të jenë një shqetësim për foshnjat. Temperatura e dorës kur mbani foshnjën, temperatura e dhomës, prania e pluhurit, substancat alergjike në zonën e larjes mund të bëjnë që fëmija ta urrejë kohën e dushit. Sigurohuni që vendi i larjes është i ngrohtë dhe pa pluhur. Sigurohuni që të ngrohni duart para se të mbani fëmijën.
Ashtu si të gjitha gjërat e tjera, fëmija juaj do të mësohet me këtë ngadalë dhe për këtë arsye duhet t’i jepet kohë e mjaftueshme para se të shqetësoheni për reagimin e tij ndaj ujit. Sidoqoftë, nëse foshnja vazhdon të qajë gjatë kohës së larjes, është mirë që të konsultoheni me mjekun për arsyet e mundshme të reagimit të tij dhe për zgjidhjen më praktike për këtë gjë.
Burimi / pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.