Mirëqenie

April 12, 2016 | 9:44

Art edhe në kuzhinë

Roli i amvisës, i shkon po aq sa edhe ato role, petkun e të cilave e ka. Pasioni është i pandarë në çdo hap të jetës së balerinës profesioniste dhe dozat e tij nuk i kursen aspak, sidomos kur bëhet fjalë për të gatuar. Ka një marrëdhënie të fortë me të, sepse Elonës mbi të gjitha i pëlqen të shijojë… Dhe kënaqësia është produkti final, përpara të cilit dorëzohet edhe ajo vetë!

Elona Nallbani

Këndi i kuzhinës në shtëpinë e saj, kthehet si padashur, në skenën e improvizuar nga vetë ajo… i duket sikur realizon padjeshkën apo piruetën e radhës, në kohën kur i duhet të hapë sirtarin për të marrë një pirun prej andej, apo kur i duhet të vendosë mbi tryezë gotat për të servirur pijet e rastit. Për Elona Nallbanin, nuk ka balet vetëm në shfaqjet artistike… me të njëjtën pasion e kryen edhe rolin e amvisës, një rol që e ka grishur sidomos kur iu desh të ndryshonte statusin në një grua të martuar. Sepse në shtëpinë e prindërve, ajo trajtohej njësoj si “princesha mbi bizele”. Çdo gjë i vihej përpara, dhe asaj i mbetej vetëm të shijonte. Jo vetëm që nuk e pëlqente gatimin, por nuk kishte as dëshirën më të vogël për të provuar sesi mbahej thika në dorë… Gjendja ndryshoi kryekëput, kur u martua, ndonëse edhe këtu do i shndriste ylli i fatit, pasi një krah i madh ndihme për të, vazhdon të jetë edhe e vjehrra. Gjithsesi Elona ka një marrëdhënie të ngushtë me të gatuarin, sepse mbi të gjitha i pëlqen të ushqehet dhe të shijojë mirë.

***

“Ime më nuk gatuante… ajo bënte vërtet art. Tek ajo kam parë amvisën e kompletuar, që dinte jo vetëm të servirte bukur pjatat mbi tryezë, por ishte krejt e veçantë që në momentin kur i rendiste asortimentet e gatimit, dhe deri kur pjata ishte gati për t’u provuar. Personalisht kam marrë gjërat më të mirat nga nëna, sa i takon çështjes së gatimit”, pohon për revistën, ajo. Nuk e ka luksin që të vendosë çdo ditë përparësen e gatimit, për të përgatitur recetat e dëshiruara, sepse impenjimet artistike dhe shfaqjet e ndryshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ndodh që nuk i lënë kohë as të marrë frymë, e jo më të gatuajë. Ama, kur i shkrep në kokë që do ta bëjë diçka, nuk ka gjë që e ndalon… Është maniake, pas formave të pjatave, aq sa qysh në fillim, koncepton në kokë formën e pjatës, mandej i futet punës për të përfunduar recetën. Eshtë fanatike e gramaturave fikse dhe e recetave të gatshme. “Asnjëherë nuk i hedh asortimentet me sy të lirë, u besoj gramëve dhe produkti përfundimtar është vërtet i shijshëm. Kujdesem për ngjyrat e pjatave, për mënyrën dhe mënyrën e servirjes në tavolinë. Pamja e parë për mua ka rëndësi të madhe, pastaj vjen shijimi….”. Testin e provës, e quan të kaluar me sukses, sidomos kur dëgjon të dalë nga goja e të birit togfjalëshi “të lumshin duart mami”. Sikur askush tjetër të mos ia jap këtë vlerësim, mjaftojnë fjalët e Martit. Baleti dhe aktiviteti fizik, e kanë ndihmuar 35 vjeçaren që të arrijë forma perfekte trupore. Por kjo ven edhe nga të ushqyerit shëndetshëm. 52 kilogramët aktualë, janë fatura e gjithë këtij rezultati. “Në vaktin e drekës, nuk i ndaj tre pjata ushqimi. Konsumoj çdo lloj gjellë, supat, frutat…”, përfundon ajo duke ofruar kësisoj edhe një model.

1

Botuar në revistën Psikologji, nr. 37

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top