Në fokus

March 30, 2016 | 10:29

Artan Lame pas operacionit në zemër falënderon: Jam bërë njeri më i mirë

Njeriu e kupton vlerën e jetës, kur përgjatë rrugëtimit i gjenden dashamirës dhe mbështetës në ditë të vështira dhe jo vetëm. Me një status në rrjetin social Facebook, koleksionisti, studiuesi dhe drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame ka falënderuar të gjithë ata që i qëndruan pranë ditëve në spital ku ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Pas suksesit të operacionit dhe rikthimit në familje, Lame ka rrëfyer ndjesitë e përjetuara në këtë ndodhi të jetës duke saktësuar se “Dhimbja, vuajtja fizike, e bën njerinë të kuptojë kotësitë e shumicës së botës materiale. Dhe tërheqja, shkëputja nga bota, e bën të fitojë atë distancë të domosdoshme që duhet për t’u ngritur mbi tollovitë e zallamahitë e ditës. Unë i kalova të dyja, ndaj më lejoni t’u them ç’kuptova në fund.”

Miq,

Në botimin e parë të romanit “Njeriu me Top”, Dritëroi fut një nga ato skenat trashendentale, që veç njerëz të pakohë si ai mund t’i çpikin. Aty, plaku Mere, një natë dimri sëmuret dhe vdes, mblidhen njerëzia fshat e krahinë, e qajnë dhe nisen ta varrosin. Pastaj udhës për në varre, plaku Mere, që edhé s’kish vdekur, por kish rënë në një biçim letargjie, u ngjall dhe filloi t’i bjerë me grushte qivurit. Njerëzia ja dhanë vrapit të tmerruar, ndërsa plaku mbeti në krah të qivurit vetëm me hoxhën që këndonte duva për këtë mrekulli të paparë të Allahut. Nejse, në fund, plaku Mere kthehet në shtëpi nëpër të ftohtë dhe skena mbaron me të pranë zjarrit, duke kontrolluar listat se kush i kish vajtur në varrim e kush jo.

Pak a shume kjo me ngjajti edhe mua. Si u ktheva që andej prej nga rrallë bën vaki të kthehet kush, kam dy ditë që lexoj, e lexoj e, s’mbarojne mesazhet e njerezve njohur e panjohur, që m’i nisnin ndërsa as vet s’e dija në isha këtej a andej. JU FALEMINDERIT TE GJITHEVE! Të njohur e të panjohur, të afërm e të largët. I faleminderit Mirelës që në dyshimin e pakorrigjueshëm nëse duhej bërë a jo ndërhyrja, vendosi gjënë e drejtë (është hera e parë në jetë që merr një vendim pa më pyetur mua). Ju faleminderit të gjithë ekipit të mjekëve të operacionit 7-orësh, mjekëve që më ndiqnin në çdo çast, ndihmësmjekeve, infermjereve, e deri tek sanitarja më e fundit. Ju faleminderit juve që erdhët e me takuat në spital, apo që erdhët deri atje dhe u mjaftuat veç të pyesni në isha mirë. Ju faleminderit të gjithë ju që më ofruat gjithë ç’mundnit, nëse do kisha nevojë.

Unë nuk e di nëse u bë burrë më i mirë a më i lik plaku Mere, kur përfundoi egzaminimin e listave të atyre që i kishin vajtur a mosvajtur në varrim. Unë për vete jam bëre më i mirë.

Thelbi i besimit qëndron tek dy gjëra, tek dhimbja dhe tek tërheqja. Dhimbja, vuajtja fizike, e bën njerinë të kuptojë kotësitë e shumicës së botës materiale. Dhe tërheqja, shkëputja nga bota, e bën të fitojë atë distancë të domosdoshme që duhet për t’u ngritur mbi tollovitë e zallamahitë e ditës. Unë i kalova të dyja, ndaj më lejoni t’u them ç’kuptova në fund.

Mos u zini kot. Ka për të gjithë. Duajeni më shumë njëri-tjetrin. Nëpër ditët kur isha hequr mënjanë botës dhe orët i kaloja veç mes dhembjesh fizike që nuk mbaronin e nuk mbaronin, kuptova pikërisht këtë gjë. Shpikim e sajojmë mes nesh kaq shumë keqdashje, zili, cmirë, urrejtje, hile, që e bëjnë m’kot edhe më të dhimbshme botën tonë, që edhe pa to është plot dhimbje. Dhe që në fakt është plot njerëz të mirë e qëllim mirë, njerëz të vojtur e të ndershëm, njerëz të mësuar me mundimin dhe vuajtjen dhe që i kalojnë ato pa shume filozofi, thjesht i kalojnë. Ishte nje surprizë e pamatë për mua të shihja vajza e djem të rinj infermiere, që kalonin 12 ore turne nate, duke u kujdesur pa prerë, si t’i kishin prinder, për njerëz që as i njohin e as do i shohin më pas një a dy ditësh.

Bota mbështet mbi hapësirën dhe kohën. Atëhere në doni ta bëni një gjë, bëjeni, pasi kur të doni, ndoshta s’do mundeni dot më. Nëse doni ta hapni nje portë, hapeni. Eshtë gjithmonë bukur.

Krishterimi e humbi luftën me botën tokësore. I hyri një beteje qindravjeçare që në fillesat e kapitalit në Republikat Italike, apo nëpër qytetet racionale të Vendeve të Ulta, s’ka rëndesi. Por pavarësisht kësaj lufte planetare të humbur, ai s’harron kurrë që të na kujtojë disa të vërteta universale, sa herë që pranojmë të kemi veshë: Kot mundohemi për vete. Në rastin më të mirë të mundshëm, prapë ato të shkreta 2 metra dhé do marrim në fund. E vetmja mënyrë për të marrë diçka më shumë, është të japim. S’ka rëndësi çfarë, panem, amor, vitam.

A.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top