Këshilla & Arsye

October 22, 2016 | 17:03

Arti, arma që zhvesh shpirtin nga ngarkesat rutinë dhe e mbush atë me dlirësi / Aktivitetet kulturore në Tiranë

Arti është fuqia e patjetërsueshme, është arma më e fortë që zhvesh shpirtin nga ngarkesat rutinë dhe e mbush atë me dlirësi, motivim dhe kënaqësi. Ndaj mos nguroni të bëheni pjesë e shumë prej eventeve që organizohen në qytetet tuaja.

Tirana, si kryeqendra, me një sërë mundësish kulturore, sjell një axhendë të plotë të aktiviteteve të jetës artistike.

familja-tot

Pas premierës së parë, “Kujtesa e ujit”, një tragjikomedi, e cilësuar si komedi e zezë, nën regjinë e Rozi Kostanit, po me kaq këmbë të mbarë Teatri Kombëtar solli këtë fundjavë premierën e dytë, “Familja Tot”, një tragjikomedi e arrirë e dramaturgut hungarez, Istvan Orkeny, nën regjinë e Andia Xhunga, dhe interpretimin e aktorëve, Bujar Asqeriu, Olta Daku, Ndriçim Xhepa, Sokol Angjeli, Indrit Çobani, Adelina Muça, Suela Konjari, Vangjel Toçe dhe Xhevahir Zeneli. Familja Tot jeton në ankth për fatin e djalit të tyre, që ka ikur ushtar në luftë. Jetën e tyre e trazon një vizitë dy javore e komandantit të djalit, e bashkë me të nis një kalvar nënshtrimesh përballë kërkesave të pazakonta të tij.Pjesa ka të bëjë me nënshtrimin e njeriut ndaj pushtetit, që njerëz të ndryshëm nënshtrohen në mënyra të ndryshme për qëllime dhe interesa të ndryshme, dikush bën më pak, dikush bën më shumë rezistencë.

 

 

 

kthjimi-okNdërsa fare pranë kësaj godine, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqet “Kthimi në shtëpi”, kryevepra e nobelistit anglez Harold Pinter vënë në skenë nga regjisori italian Carlo Sciaccaluga, nën interpretimin e aktorëve Myzafer Zifla, Alert Çeloaliaj, Genci Fuga, Kristian Koroveshi, Flor Veizi dhe Esela Pysqyli. “Kthimi në shtëpi” flet për dashurinë dhe për mungesën e dashurisë. Nëpërmjet Ruth, nobelisti anglez na dhuron një femër me vullnet të çeliktë, e cila e zhvesh plotësisht vetëkënaqësinë maçiste, meskinitetin e dhunës maskiliste. Personazhet vërtet janë groteske, por nuk e humbasin kurrë trajtën tipike të qënieve njerëzore.

 

tre-dhenduret-ok

Në Teatrin e Metropolit vjen premierë me komedinë “Tre Dhëndurët” vepër e autorit shqiptar, Dionis Bubani. Nën regjinë e Sonila Kapidani, kjo shfaqje rikthen në skenë mjeshtren e madhe, aktoren Hajrije Rondo, ndërsa në rolet e tjera do të jenë edhe Gëzim Rudi, Pjerin Vlashi, Aleksandër Kondi, Shkëlzen Berisha, Roerd Toçe, Margent Çaushi, Linda Jarani dhe Elona Hyseni. Kjo komedi është nxjerrë nga Fondi i Artë i Estradës, shkruar nga autori shqiptar Dionis Bubani, si një vepër që ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në kohën kur është ngjitur në skenë. “Tre dhëndurët” është komedi e shkëlqyer karakteresh e situatash e vendosur në një familje shqiptare gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo vepër vjen në skenë edhe si një homazh kushtuar autorit të saj.

 

 

 

 

flauti-magjik3

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit vjen me operan “Flauti Magjik” premiera e parë e sezonit artistik, nën regjinë e Nikolin Gurakuqi. Vepra e njohur e Moxart është një nga ta rrallat e shkruar në gjuhën gjermane me libret të Emanuel Shikaneder. Opera sjell për herë të parë në Shqipëri sopranon turke Serenad Uyar në rolin e Mbretëreshës së Natës dhe dirigjentin austriak Pierre Pichler. Solistët që do të këndojnë janë Armando Likaj, Ulpiana Aliaj, Enkelejda Kamani, Klodjan Kaçani, Enrico Marchesini, Rezarta Qevani, Dorina Selimaj, Sonila Baboçi, Shpresa Beka e të tjerë. Kjo shfaqje operistike vjen si një akt simbolik në kuadrin e festimit të 60 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Austrisë.

 

 

zoom-7ach-duesseldorfer-fotografie-calendar-al_

Arti vizual prezantohet me tri ekspozita tërësisht ndryshe në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Muzeun Historik Kombëtar. Në muajin e tetorit gjerman,  ZOOM sjell artin europian të fotografisë, koncepti artistik i së cilës vjen nga Dyseldorfi.

 

 

 

 

abaz-hado

Ndërsa në sallat e Galerisë Kombëtare të Arteve, pa korniza të mëdha, pa shumë ngjyra të theksuara, Abaz Hado prezanton ekspozitën “Abagraphy” me punime grafike të realizuara në linoleum.

 

 

 

oltsen-ok

Në ekspozitën përbri Oltsen Gripshi sjell përmes tablove, istalacioneve dhe videoprojektorëve, fenomenet që lëngojnë shoqërinë shqiptare.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top