Të flasësh me etikë, dukesh sikur vjen nga një botë e çuditshme, për të mos thënë gati-gati e mistershme. Shumica, që në fakt identifikon masën, ndodh rëndom të priren nga një ekstazë paragjykimi nëse thua një fjalë njerëzore: Të lutem, Faleminderit, Mirupafshim e me radhë. Të qëmtosh vlerën e këtyre të fundit, me sa duket dashka këllqe që ta bësh. E jo çdokush në këtë shoqërinë tonë i meriton fjalët e arta, ato që u mësohen fëmijëve që herët si “fjalë magjike”.
Por ja që së brendshmi, ai që e ka të induktuar si model, nuk mund ta zhbëjë nga qenësia e tij, ndryshe nuk do të identifikonte veten e vet. Në shoqërinë e sotme shqiptare, ndesh gjithkund një problematikë të tillë.
Nga fjalori i rëndomtë në rrugë deri te foltorja e parlamentit, për të mos folur mes tyre për rrjetet sociale, aty ku padija e të përdorurit të gjuhës, shndërrohet në një mllef makut. E, mbrujtja e këtij fenomeni nuk gjen material veç nga ajo që ushqehet kudo, por më së shumti nga qasjet sociale që zbrazen e ngatërrojnë burimet dhe kuptimin e vërtetë në përdorimin e fjalëve.
Ndërsa interneti dhe marrëdhënia online është bërë kryefjala e dëshmive dhe bashkëbisedimeve, dëmtimi nuk i është bërë vetëm e veçse gjuhës, por ka marrë një shtrirje shumë më të madhe se kaq. Këtu duhet të vazhdojë ndërhyrja dhe grupet e interesit, ekspertë psikologë, sociologë dhe psikiatër, duhet ta ndajnë kontributin e tyre edhe me këtë botë të re, e cila ka hutuar e ka tjetërsuar masën, përthithësen më të shëmtuar të një “ushqimi” sintetik.
Ndoshta një shqetësim global do të cilësohej, por më shumë se kaq te ne, në Shqipëri (se për atë duhet të flasim pa fund) duhet theksuar si një mungesë e madhe vëmendjeje ndaj interesave të vërteta. Ky lloj çlirimi masiv, pa norma dhe kritere, pa rregullatorë përmbajtjesh, do të na kthehet si boomerang të metash, që nuk do t’i shlyejmë dot për breza me radhë. Investimi etiko-kulturor, nuk është ndonjë hall i madh, i pazgjidhshëm. Është një nevojë përfituese në radhë të parë për vetë individin socio-shqiptar.
Kohë pushimesh do thoni, pse na ngarkon edhe më këto gjëra?! Mund të flisnim më shumë për detin dhe rërën, por për djall edhe aty ndotja është aq e madhe sa të përzihet, nëse kërkon t’i japësh vlerë një gjëje të pavlerë. Ka vajtur aty ku nuk mban më, e sidomos në periudhë vape, çoroditja nga dielli i përqendruar, sjell ngarkesa edhe më të vështira emotive, deri në kapërcime sjelljesh bazike. E në këtë rast, këshilla nga “Psikologjia” mbetet vetëm një: lexoni sa më shumë libra, të përfitoni nga një botë e pastër dhe mbi të gjitha, pa qëllime dashakeqe.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.