Dëshmi

December 5, 2023 | 7:44

Arti i mësimdhënies, dhunti apo teknikë? Sa e vështirë është të arrish statusin e mësuesit të mirë?

Nga Anxhela Belkovi, arsimtare

 

 

Shpesh diskutohet se një mësues i mirë është ai që e kryen punën me pasion, si rrjedhojë përzgjidhet të japë kontributin e tij. Këtë vlerësim patjetër mund ta konstatojë një i rritur me vlerësim, logjikë dhe pjekuri të plotë. Por le të ta nisim pak më herët, aty ku në fakt përvetësohen bazat, vlerat, edukata e një individi apo akoma më shumë e një shoqërie të tërë.

shk

Emblema e një mësimdhënieje të mirë do të nisë pikërisht në fëmijëri. Fëmijëria është kopshti ku luajmë dhe rritemi. Andaj momenti ku prindi beson fëmijën ta dërgojë në kopsht, padyshim është i vështirë, por njëkohësisht një hap përpara drejt shpresës, se do të mësojë se si të bëhet pjesë e shoqërisë, të mësojë të ndajë me njëri-tjetrin, dhe më kryesorja, të marrë dashuri, të cilën do ta reflektojë kudo në rrugën e mrekullueshme të dijes. Do kalojë fazat e rritjes nga fëmijë në nxënës edhe së fundmi në student. Më tej shtrohet pyetja, se cili ka qenë modeli i mësuesit që i ka mbetur në mendje gjatë ecurisë së nxënies?

E besoj fort shprehjen se, nga mësuesi mësohen  të gjitha profesionet e tjera. Atëherë, që ta konkretizojmë qëllimin e këtij profesioni human, nuk mjafton thjesht të mbarohen studimet përkatëse. Por duhet të gjejmë atë qëllimin, që të jemi frymëzues për këdo, për masën dhe jo vetëm për individin. Nëse nuk e arrijmë dot, atëherë le të përpiqemi pak më shumë të bëhemi të tillë. Sigurisht që, jo çdokush ka lindur gjeni apo me dhunti në atë që ushtron, por secili mund të gjejë teknikën për të dhënë maksimumin e zgjedhjes, të profesionit. Në fund të fundit, të ushtruarit të bën mjeshtër apo siç do thuhej në zhargon të përditshëm, të bën të zotin.

Pothuajse përherë dëgjohen përkufizime të edukatorëve, të mësuesve apo dhe të pedagogëve ndaj individëve si p.sh: “Nuk më dëgjon”, “nuk e ka mendjen”, apo “nuk do të marrë pjesë”, por nëse do t’ia atribuojmë fëmijës, nxënësit, studentit, a nuk do të ishte zgjidhja më e thjeshtë? Pra, unë si mësimdhënës duhet të shtroj pyetjen: “Sa u përpoqa t’ia fitoj zemrën atij fëmije, që ndoshta interesimin e ka diku gjetkë?”; “Atij nxënësi , që ndoshta po merret me diçka tjetër, apo studentin, të arrij ta bëj pjesë të leksionit dhe pse jo ta përfshijë në diskutim?”; A kam bërë mjaftueshëm unë, si timonieri i kësaj anije, e cila pret po nga unë, të marrë drejtimin e udhëtimit të saj?”…

Sigurisht, koha e vrullshme dhe kushtet e sotme janë pengesë për realizimin e saj, por nuk duhet të jetë hendeku, pas të cilit fshihemi dhe heqim dorë nga misioni fisnik. Është vështirë për t’u arritur statusi i mësuesit të mirë, atij që të frymëzon, atij që të ndryshon tërësisht mënyrën e të menduarit, e të shprehurit si dhe të informacionit. Nëse do të zgjidhej mësimdhënia, si thjesht një mundësi e fundit apo më e lehta për t’u ushtruar, duhet patur parasysh misioni sublim i tij ndaj individëve, ku nëpërmjet jush po mësojnë të ndërtuarin e identitetit vetjak të ndarë nga familja, procesin e zhvillimit të elementëve identifikues, që së bashku me punën tuaj do t’i ndihmojnë të krijojnë bashkësinë e re së cilës do t’i përkasin.

Kjo është pikërisht sfida për ty, i dashur mësimdhënës, nëse arrin ta krijosh urën lidhëse dhe në fund ta shijosh arritjen e përbashkët. Mos të harrojmë se në sytë e atyre që ju dëgjojnë me apo pa vëmendje, jeni modeli, që ndoshta frymëzon!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top