Në shumë vende të botës, sot realizohen ndërhyrje kirurgjikale estetike në fytyrat e gjalla njerëzore, për të korrigjuar njëkohësisht defektet e anës funksionale dhe asaj estetike, vetëm nëpërmjet një bisturie fine. Hunda, një ndër organet më të rëndësishme, ka funksion të pesëfishtë: si organ i frymëmarrjes; i nuhatjes; i mbrojtjes; rezonator; estetik. Arti i operacioneve estetike të hundës është tepër i vështirë për t’u realizuar. Doktor Gustav Aufrict thotë se: Rhinoseptoplastika estetike duhet të jetë një operacion i lehtë, por është tepër e vështirë që ajo të paraqesë rezultate të mira vazhdimisht. Deri tani, rezultatet e mira janë çelësi i ndryshimit të një praktike të suksesshme nga kirurgët mjeshtër. Me bisturinë time të hollë, tepër të mprehtë, por të sigurt, kam bërë një transformim të madh në fytyrat e rreth pesëdhjetë personazheve publikë vendës, por edhe të huaj, si dhe të mjaft emigrantëve në SHBA, Kanada, Angli, Holandë, Turqi, Maqedoni, Kosovë e në mbarë Europën etj. Gjatë përvojës njëzetvjeçare kam përjetuar emocione të jashtëzakonshme, sidomos para operacioneve. Sepse para së gjithash, kirurgu i estetikës duhet të jetë edhe psikolog për t’ia bërë sa më të lehtë operacionin pacientit. Ai merr përgjegjësi morale e sociale për të realizuar një operacion ideal për të zbukuruar fytyrën njerëzore, duke mos e llogaritur fare shkallën e shpërfytyrimeve në të. Ai duhet të jetë “një piktor”, të kryejë punën e një skulptori plot talent, të skalisë çdo detaj kockor të hundës për të hequr shëmtimin dhe për t’i sjellë fytyrës bukurinë e dëshiruar nga pacienti.
Raporti femra-meshkuj 7 me 1
Gjatë punës si kirurg kam vënë re se ndërhyrjet më të mëdha kirurgjikale kanë qenë për transformimin e hundës. Kjo dyndje konsiston në atë që dëmtimet, traumat e ndryshme veprojnë në pjesën ballore të fytyrës, ku hunda është pjesa më e dalë e saj. Hunda thuhet se zë një pozicion të rëndësishëm në përcaktimin e bukurisë së fytyrës. Bukuria mendohet se është virtyt i femrave, prandaj dhe operacionet plastike mbi to janë të shumta. Sot prestigji i Shqipërisë është rritur mjaft në arenën ndërkombëtare sa u takon operacioneve plastikoestetike. Rezultatet e arritura janë të padiskutueshme dhe mund të krahasohen me ato të kirurgëve europianë e botërorë të estetikës, pavarësisht vështirësive. Personalisht kam bërë rreth 3000 operacione plastike estetike të hundës, rreth 600 operacione estetike të veshëve, rreth 13 operacione lifting të fytyrës e shumë operacione estetike të ndryshme në kokë, fytyrë, qafë, buzë etj. Ndër to, mund të përmend operacionin që doli me sukses ndaj një këngëtareje nga SHBA, me origjinë shqiptare, G.A, e cila bëri ndërhyrje estetike të hundës. Gjatë karrierës, rasti më i vështirë për t’u korrigjuar ka qenë një pacient nga Athina, D.F. një 29-vjeçar, i cili kishte pësuar një aksident me motor në 2002. Këtë operacion implantimnagal unë e realizova në spitalin ushtarak në Tiranë me sukses të plotë, duke i marrë një pjesë të kockave pacientit nga baçini (legeni) e duke ia vendosur në hundën e zhytur plotësisht. Stresi më i madh ka qenë në përballimin e urgjencave kirurgjikale nga pasojat e shpërthimit në Gërdec. Një vajzë e vogël, 7 vjeçe sillet me autoambulancë ushtarake me krahun e këputur. Së bashku me doktor Viktorin, mjek reminator i SQU, atë ditë shpëtuam një jetë fëmije.
Këshilla para & post operatore
Çdo pacient përjeton një ngarkesë psiko-emocionale negative, e cila shtohet nga prindërit, shokët e të afërmit. Disa pyesin shumë për kë kirurg të vendosin ta operojë. Pas takimit, pacienti duhet t’i zbatojë me rigorozitet këshillat që kirurgu i ka dhënë. Atë nuk e zë gjumi para operacionit, duke menduar mjekun me bisturinë e frikshme në dorë, krejt ndryshe mendojnë pas operacioneve estetike të hundës dhe fytyrës, sepse operacioni kryhet pa dhembje, pa hemorragji dhe pa asnjë shenjë nga bisturia. Kirurgjia plastiko-estetike e hundës në veçanti ka disa veçori për secilin seks. Te femrat nuk lejohet që ndërhyrja kirurgjikale në hundë të bëhet para moshës 15 vjeç, sepse ato nuk kanë arritur ende pjekurinë fiziologjike, e cila thuhet se përfundon me ardhjen e ciklit menstrual të tyre. Te meshkujt nuk lejohet që ndërhyrja kirurgjikale në hundë të bëhet para moshës 18 vjeç, sepse ata nuk kanë arritur moshën e pjekurisë normale fiziologjike, që thuhet se përfundon pasi meshkujt fillojnë të vënë brisk në faqe. Ndërhyrjet kirurgjikale estetike nuk lejohen për të dyja gjinitë që të bëhen kur ata kanë kaluar sëmundje të rënda të zemrës, të gjakut, të veshkave, të mëlçisë, përdoruesit e lëndëve narkotike etj. Operacionet plastiko-estetike të fytyrës është mirë të bëhen në stinët e ftohta (vjeshtë, dimër) për arsye se infeksionet janë tepër të kufizuara. Për realizimin me sukses të kirurgjisë plastiko-estetike ekzistojnë disa rregulla bazë dhe tepër strikte, që vendosen para operacionit. Këto rregulla vendosen nga kirurgu i estetikës. Para operacionit i bëhen të qarta pacientit anët pozitive: heqja e shëmtimit, zbukurimi pa dhembje dhe pa asnjë shenjë në lëkurë dhe anët negative të anestezisë e operacionit: reaksionet e ilaçeve, rreziku i gjakderdhjes, infeksionet etj. Pacienti duhet patjetër të bjerë dakord me këto këshilla bazë, të plotësojë një pyetësor për sëmundjet që ka kaluar; të plotësojë aktmarrëveshjen mjek-pacient.
Studimi
Duke u mbështetur në faktorët psikologjikë dr.Mikel Koningham, profesor estetist i psikologjisë në Universitetin e Luiseill në Kentaky, ka përcaktuar matematikisht bukurinë e gjallë të fytyrës njerëzore. Ai pyeti 150 studentë e kolegë të tij të vlerësonin tërheqjen pas bukurisë joshëse të 50 femrave (27 prej të cilave ishin finalistet e një shfaqjeje ndërkombëtare të bukurisë). Ai kalkuloi matematikisht bukurinë fizike duke thënë se: Sytë e mëdhenj, një hundë e mjekër e vogël, mollëzat e faqeve më të mëdha dhe buzëqeshjet e mëdha janë tipare të një fytyre femërore të bukur. Për sa i përket fytyrës së mashkullit, ai thotë se: Fytyra e mashkullit përfshin sytë e mëdhenj, një hundë relativisht e vogël, vetulla leshtore, mollëzat e faqeve të larta dhe një mjekër të madhe. Një buzëqeshje e madhe është kërkesë për të dyja gjinitë bashkë. Teoria e Koningham është bazuar në kushtin paraprak që fytyra ideale e përkryer është një përzierje e elementëve të pëlqimit të fëmijërisë dhe pjekurisë.
Nuk ka rrezik për kancerin e lëkurës
Gjatë 20 viteve si rhinokirurg në Spitalin Ushtarak jam përballur me situata nga më të ndryshmet dhe më të rëndat për jetën, si rezultat i politraumave të fytyrës. Fatmirësisht s’kam pasur asnjë humbje jete dhe kam dalë në konkluzion se: kur ndihma jepet e specializuar nga rhinokirurgët e ORL në urgjencë, operacionet plastiko-estetike të mëvonshme bëhen të panevojshme. Operacionet e lëkurës së fytyrës janë nga më të ndryshmet dhe ato bëhen për të hequr me bisturi nishanet, cystet, atheromat, tumoret me natyrë të mirë (benine), cikatriçet (shenjat), tatuazhet etj. Këto operacione nuk përbëjnë asnjë rrezik për kancer në lëkurën e pacientit. Ndryshe nga artet e tjera, arti i operacioneve estetike mbi fytyrat e gjalla njerëzore nga kirurgët “e çmendur” është tepër i çmuar dhe me vlera të mëdha profesionale. Si kirurg i vjetër nuk kam parë asnjë rast të shfaqjes së kancerit të lëkurës, sepse shkencërisht nuk ndodh asnjëherë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.