Në fokus

May 30, 2019 | 8:30

Arti i të qenit të lirë dhe të lumtur

Çdo ditë është një betejë. Të mësoni të negocioni të gjitha betejat është një sfidë me të cilën përballet secili prej nesh. Nëse doni të jeni të lirë dhe të shndërroheni në variantin më të vërtetë e origjinal të vetes, mund të filloni të bëni aktivisht disa hapa për të jetuar jetën që doni të bëni. Merrni përgjegjësitë e zgjedhjeve tuaja dhe jetojini ato deri në fund.

A ekziston vërtet liria? Dhe, nëse ekziston, ku është? Si është? Si ta përcaktojmë? Po nëse nuk ekziston, përse të gjithë flasin për të, e kërkojnë, e pretendojnë? Në fakt, për të qenë të lirë, duhet kurajë. Duke parë botën dhe njerëzit, ajo që shfaqet është një skenë mbi të cilën të gjithë shprehen duke veshur maska të ndryshme, të imponuara nga ekzistenca, por secili prej nesh, sidomos në ato momente kur është vetëm me veten përjeton edhe ndjesinë për të qenë ndryshe dhe veçmas pjesës tjetër, për të qenë unik.

Shkëndija e të qenit të lirë lind nga kjo vetëdije për të mbështetur atë që është e nevojshme, por me kurajë: kuraja për t’u shkëputur nga mendimi dominues dhe për të zbuluar vlera të reja ku të besojmë; kurajë për të marrë mbi vete bindje që na mbysin dhe për të ndërtuar një marrëdhënie origjinale me të tjerët dhe vetveten; kurajë për të qenë të lirë për t’u shndërruar me të vërtetë në atë që jemi.

  1. Vendosni çfarë do të thotë për ju liri absolute

Mund të jeni të lirë duke jetuar në të njëjtën shtëpi me prindërit? Mund të jeni të lirë nëse ju burgosin apo nëse jetoni në një regjim totalitarist? Mund të jeni të lirë duke punuar gjithmonë, nga ora nëntë e mëngjesit deri në pesë pasdite? Vetëm ju mund ta përmirësoni aktivisht veten dhe vendin tuaj në botë, duke u afruar me variantin më të çlirët të vetes. Për shumë njerëz, transferimi jashtë shtetit për të studiuar, do të thotë të jenë më në fund të lirë. Nuk u duhet më të ndjekin rregullat e vendosura nga prindërit, mund të luajnë gjithë ditën apo të ndajnë me të tjerë dhomën e gjumit. Por jeta e universitetit është gjithsesi një botë e mbyllur brenda një flluske, ku vaktet e ushqimin konsumohen vetëm pasi kanë kaluar kartën e studentit dhe duhet të jetojnë në bazë të rregullave që diktohen nga të tjerët, nëse duan të diplomohen.

  1. Kuptoni se çfarë dëshironi nga jeta

Imagjinoni sikur tashmë jeni në moshën e tretë. Duke parë pas, çfarë shpresoni të shihni? Dashuri dhe sukses? Festa pa fund? Dëshironi t’ju respektojnë e t’ju kenë frikë apo dëshironi të jetoni qetësisht, në mënyrë vetmitare dhe plotësuese? Mundohuni të dalloni se çfarë ju bën realisht të lumtur dhe cili është lloji i jetës që mund t’ju garantojë këtë lumturi.

Shumë persona, instinktivisht mendojnë se të kenë një shumë të konsiderueshme të hollash shtyn drejt një lirie dhe lumturie të pakufi. Nëse nga njëra anë, kjo gjë mund të jetë e vërtetë, mundohuni të mendoni për atë që do të bënit nëse do të kishit shumë lekë. Çfarë do të ishte më e thjeshtë? Çfarë do të bënit nëse lekët të mos ishin një problem? Si do ta kalonit kohën tuaj?

  1. Jini impulsiv vetëm nëse është e nevojshme

Ditën e mërkurë ju teket të hani kallamarë të skuqur për mëngjes? Përse jo? Gjatë javës nuk keni pse hani patjetër qumësht, drithëra dhe kafe. Nëse ju duket një ide e mirë dhe që nuk ju dëmton, mund të hani dhe kallamarë. Të thyeni monotoninë dhe të ndiqni impulset tuaja mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të bërë një jetë të freskët e stimuluese. Jetoni momentin! Ndonjëherë lejojini vetes të thyeni rregulla të vogla, pasi mund të jetë një mënyrë e mirë për të pasur liri më të madhe në brendësi të botës suaj. Vini një këngë që ju pëlqen, edhe nëse keni përreth njerëz të tjerë që nuk duan të dëgjojnë vazhdimisht të njëjtën këngë.

  1. Vizitoni vende të reja

Të zgjeroni këndvështrimin që keni për botën dhe të mësoni të përqafoni lirinë herë pas herë, do të thotë që të dilni nga zona juaj e rehatisë dhe të përjetoni diçka të re. Vizitoni vende të reja, provoni aktivitete të reja, hani ushqime që nuk i keni provuar ndonjëherë. Eksploroni botën dhe jetoni plotësisht këtë përvojë. Mund të udhëtoni edhe në vende të afërta ku nuk keni qenë ndonjëherë më parë. Nuk duhet të shkoni në Amerikën e Jugut me çantën hedhur në shpinë, për të udhëtuar dhe përjetuar diçka të re.

Vizitoni pjesë të qytetit, të cilat nuk i njihni apo shkoni në një qytet të afërt e që nuk e keni parë më parë dhe nuk njihni askënd dhe asimiloni gjithçka. Nëse një destinacion është i ri për ju, do të jetë interesant, kudo që të shkoni.

  1. Gëzojuni çdo gjëje që keni arritur

Lejojini vetes mundësinë për të qenë krenarë me veten. Gëzojuni dhe festoni sukseset tuaja, por edhe momentet ku çdo gjë shkon qetësisht. Kaloni kohë me njerëz që ju pëlqejnë dhe jepini vetes arsye të mira për të punuar fort.

 

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top