“Le të mbushen kupat”… sot kemi privilegjin të shprehim urimin tonë më të ngrohtë për një ditëlindje të shquar, të njërit prej mjeshtrave më të mëdhenj të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Robert Ndrenika. Një jetë e përkushtuar artistike, një pasion i palëkundur për artin dhe një kontribut i pazëvendësueshëm në rrugën e filmit dhe teatrit shqiptar!
Robert Ndrenika mbush 82 vjet, dhe ne i urojmë shëndet më së pari, jetë të gjatë për të festuar me të gjithë dashamirësit e tij kudo që ndodhen, dhe shumë e shumë festa të tilla.
Në këtë ditë të veçantë, shprehim admirimin tonë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e kinematografisë dhe teatrit. Jeta e Robert Ndrenikës është një udhëtim artistik që ka ndriçuar ekranet dhe skenat shqiptare me emocionin dhe shpirtin e tij të vërtetë. Por njëherësh, i ka dhënë emër Shqipërisë duke e pasuruar dhe e bërë një vend më të ndritur në nivel artistik.
Artisti i Popullit Robert Ndrenika shquhet për aftësitë e rralla aktoriale dhe interpretimet e thella që kanë prekur zemrat e shikuesve. Ai ka bërë të mundur që publiku të lidhet me çdo karakter, duke krijuar një lidhje magjike mes ekranit dhe shpirtit të tyre. Janë të shumta personazhet që ai ka vënë në teatër dhe pelikulë, të cilat i shohin e i shohim pa u mërzitur asnjëherë.
Në këtë ditë të veçantë, dëshirojmë vazhdimin e sukseseve për një personalitet si Robert Ndrenika, shëndetin e mirë për të dhe akoma më shumë momente të mahnitshme artistike.
Faleminderit për kontributin tuaj të pashoq i madhi Robert Ndrenika!
BIOGRAFIA
Robert Ndrenika lindi më 10 janar të vitit 1942 në Tiranë. Familja e tij është nga fshati Vuno i Himarës. Në vitet 1960-1964 studioi për aktor në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu”. Deri më 1970 punoi si aktor në teatrin “Skampa” të Elbasanit; Në vitet 1970-1974 në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve, i quajtur ndryshe Teatri i të Rinjve dhe më pas në Teatrin Kombëtar deri në vitin 2001, kur doli në pension. Ka kryer detyrën e Drejtorit të Teatrit Kombëtar në vitet 1993-1944. Në vitet 1992-1996 ka qenë i zgjedhur si deputet i Kuvendit Popullor. Robert Ndrenika shquhet për larminë e roleve, për kalime të natyrshme nga drama dhe tragjedia në komedi dhe grotesk.
Është lehtësisht i transformueshëm, i vërtetë, i besueshëm, me sens të spikatur realist, skicues i karaktereve të goditura, rëndom të ardhura nga shtresat rurale a të ulëta të shoqërisë, por jo pak syresh edhe nga radhët e intelektualëve, zyrtarëve etj.
Përjetimi i tij është i thellë dhe tejet organik, buron dhe shkakton emocion. Qysh student me regjisorin dhe pedagogun Kujtim Spahivogli spikati në disa role komike, sidomos me rolin e Bendikut në komedinë “Shumë zhurmë për asgjë” të Shekspirit, 1959, dhe në versionin e saj në vitin 1972 me Teatrin e të Rinjve.
Në teatrin “Skampa” nga rolet më mbresëlënëse ishte ai i Filimonit, tek komedia “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, 1965. Këtë rol e përsëriti në shfaqjen e Teatrit Popullor më 1983 dhe sërish, pas gati 25 vjetësh, më 2007 në teatrin “Skampa”. Në vitin 1973 luajti Pobjednosikovin tek komedia “Banja e Majakovskit” me regjisor Kujtim Spahivogli. Në këtë rol ra në sy aftësia e tij për të gërshetuar elementët e sarkazmës therëse, në talljen e zyrtarëve të lartë burokratë të shtetit të korruptuar sovjetik të viteve ‘20-‘30.
Më 1974 mishëroi me një gjuhë realiste figurën e Qazim Mulletit në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës, ku aktrimi i tij u dallua për “seriozitetin” dhe “rëndësinë” që i dha këtij personazhi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash ka interpretuar në role kryesore: Koz Dynjaja te “Lumi i vdekur”, 1975, e Kudret Velçës, xha Ramadani tek “Komunistet” e Ruzhdi Pulahës 1981; Teli te “Shënomëni dhe mua” e Hyjnor Minarollit, 1974; nënpunësi te “Shkallët” e Ruzhdi Pulahës, 1990 etj.
Nga dramaturgjia e huaj interpretoi: Malvolion te “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit; Uill Lomenin te “Vdekja e një komisionari” e Artur Milerit, Alfred Uilin te “Vizita e damës plakë” e Friedrich Durenmat, 1990, Brosharin te “Darka e të marrëve” e Francis Veberit, 1998; rolin e Di Spetes te “Magjia e madhe” e Eduardo De Filipos ku u nderua me kupën si “Aktori më i Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit” më 1994 . Në vitin 2004 luajti Harpagonin te komedia “Koprraci” e Molierit;
Në kinematografi ka interpretuar në mbi 38 filma, kryesisht role kryesore. Loja e tij shquhet për saktësinë e të vepruarit, për një ndjenjë të thellë e të brendshme. Në fillim “Mësonjëtorja”, 1979, luajti rolin e Kostës, nderuar me Medaljonin e Festivalit; Nënprefektin në filmin “Koncert në vitin ‘36” (1978). Në Festivalin e Filmit 1979 me këtë rol ai u nderua me çmimin “Aktori më i Mirë”. Më 1980 luajti rolin e Agushit në filmin “Një shoqe nga fshati”; Me rolin e Zenunit në filmin “Kur vjen një ditë”, me të cilin u nderua me “Medaljoni e Festivalit VI të Filmit” dhe me çmimin “Aleksandër Moisiu”; me rolin e Vangjelit te filmi “Përrallë nga e kaluara” 1987.
Për shumë vite Robert Ndrenika ka punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit në Akademinë e Arteve. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në një legjislaturë. Mban titullin “Artist i Popullit”.
Burimi i Biografisë nga Aktoret Shqiptare
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.