Emrat e shumë mendimtarëve të filozofisë perëndimore dhe lindore arrijnë të kenë ndikim për një kohë të gjatë dhe të prekin disiplina të ndryshme në fushën e shkencës, filozofisë dhe letërsisë. Të gjitha thëniet e tyre janë kuptimplote, duke përçuar mesazhe të qarta dhe mendjekthyese për jetën e secilit prej nesh. Po përmendim disa prej tyre, të cilat janë më të populluarat:
Artur Schopenhauer u lind në Gdansk më 22 shkurt të vitit 1788 dhe vdiq 21 shtator 1860. Vendlindja e filozofit, Gdansku, do të thotë “Qytet i lirë”, dhe në atë kohë ishte Prusi. Ai ishte i pari nga dy fëmijët e çiftit, Hejnrih Floris Shopenhaur dhe Johana Henriett Trosinier. Babai i tij, Hajnrih Flori ishte një njeri i iluminuar dhe një republikan i zjarrtë. E ëma, Johana Henriett, një fisnike e shumënjohur dhe me ndikim shumë pozitiv në shoqërinë e asaj kohe.
Kjo ishte shkurt prejardhja e një prej mendjeve më të ndritura dhe më kurajoze, vazhdues dhe frymëzues i forcës lëvizëse të vullnetit.
Në moshën 25-vjeçare, në vitin 1818, ai botoi disertacionin e doktoraturës, “On the Fourfold Root of the Principle of Sufficient Reason”, e cila ekzaminoi pyetjen themelore: A mundet arsyeja e vetme të japë përgjigje mbi botën? Punimi më me ndikim nga Schopenhauer, “The World as Will and Representation” (Bota si Vullnet dhe Përfaqësim), theksoi rolin e motivimit themelor të njeriut, që Schopenhaueri e quan vullnet. Analiza e Schopenhauerit mbi vullnetin e çoi atë në përfundimin se dëshirat emocionale, fizike, dhe seksuale nuk mund të përmbushen kurrë.
Shopenhauer ishte ndër mendimtarët e parë të filozofisë perëndimore që ndau dhe afirmoi parimet e rëndësishme të filozofisë lindore. Edhe pse veprimtaria e pareshtur filozofike nuk pati vëmendjen e merituar sa ishte gjallë, idetë e tij pas vdekjes prekën filozofinë, letërsinë dhe shkencën. Ky ndikim dallon qartë tek romanet e Lev Tolstoit, Tomas Hardit, Marsel Prustit dhe të Tomas Manit, në dramat e Anton Çehovit dhe në operat e Rikard Vagnerit, por edhe në filozofinë e Fridrih Niçes dhe në psikoanalizën e Frojdit. Të gjitha thëniet e tij janë kuptimplote.
Përmendim disa prej tyre të cilat janë më të populluarat:
“Asgjë nuk mund të jetë e bukur pa të vërtetën.”
“Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlen edhe për lavdinë.”
“Zakonisht është humbja ajo që na bën të dimë vlerën e gjërave.”
“Talenti e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta godasë. Gjeniu e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta shohë.”
“Njerëzit e zakonshëm thjeshtë mendojnë se si duhet ta shpenzojnë kohën e tyre, i talentuari dhe inteligjenti tenton ta përdorë atë.”
“Ceremonitë vezulluese të çdo lloji janë si skenografitë e teatrit, të cilave u mungon thelbësorja.”
“Shoqëria, në njëfarë mënyre mund të krahasohet me zjarrin: të mençurit ngrohen duke ndenjur në largësinë e duhur, torollakët, pasi janë përcëlluar, struken në të ftohtin e vetmisë, duke u ankuar se zjarri djeg.”
“Mjaft njerëz të pakujdesshëm, jetojnë shumë në të sotmen, ndërsa shpirtrat e trazuar dhe të shqetësuar jetojnë shumë në të nesërmen e mbarsur me aspirata dhe shpresa. Të gjesh masën e duhur është një gjë e rrallë.”
“Përsa i përket jetës, edhe ne sillemi si udhëtari: përgjatë shtegtimit, objektet marrin një pamje të ndryshme nga ajo që tregonin së largu dhe ndryshojnë sipas largësisë. E njëjta gjë ndodh edhe me dëshirat.”
“Burrat janë nga natyra thjesht indiferentë ndaj njëri-tjetrit, por gratë nga natyra janë armike.”
“Shoqëria e mirë dhe e vërtetë” domosdoshmërish nuk mund të jetë e panumërt, prandaj festat më elegante dhe argëtimet më të zhurmshme kanë në vetvete gjithmonë diçka boshe dhe të rreme.”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.