Mendimi se sëmundja nuk mund të shërohet vetëm nga pikëpamja mjekësore, është i bashkëndarë edhe në fushën shkencore të mjekësisë, por debati filozofik është ende i hapur. Platoni ishte mbështetësi i parë i një pozicioni dualist: shpirti dhe trupi janë dy substanca të dallueshme të panënshtrura ndaj njëra-tjetrës, të pavarura. Në veçanti, shpirti është i pavdekshëm dhe jo vetëm vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit, por ka ekzistuar edhe para trupit, me të cilin është i lidhur si me zinxhir. Shpirti është qendra e jetës intelektuale dhe etike të njeriut, është thelbi i njeriut dhe shihet si jo materiale. Aristoteli, në të kundërtën, refuzon dualizmin platonik: dhe pse përqendrohet në domethënien e shpirtit si jetë, beson se ai nuk mund të ndahet nga trupi, por madje identifikon shpirtin me aftësi të veçanta të trupit me ato aftësi që e lejojnë organizmin të jetojë. Pra, dallimi mes shpirtit dhe trupit vihet re vetëm në nivel filozofik. Mbështetësi më i famshëm i dualizmit është Dekarti, i cili e koncepton njeriun të përbërë nga dy substanca: res cogitans (mendja/shpirti) dhe res extensa (trupi). Trupi ynë ndikohet nga shpirti kur bën lëvizje të vullnetshme dhe shpirti ynë ndikohet nga trupi në rastin e ndjenjave dhe pasioneve. Por si ndodh ky ndikim reciprok?
Shpirti është pa materie, i pandashëm. Nuk gjendet në asnjë pjesë të trupit, por është i përhapur në të gjithë trupin. Edhe pse bashkë me trupin ai e ushtron veprimin e tij në një organ të veçantë. Ky është truri, më konkretisht gjendra pineale (gjendra e hipofizës). Dekarti e koncepton trupin si një makinë që funksionon në një mënyrë mekanike, një mekanizëm i përsosur i krahasueshëm me një makinë hidraulike ku funksioni i tij shpjegohet me anën e një interpretimi mekanik.
Është i përbërë nga materia dhe funksionon si një mekanizëm. Shpirti, në të kundërt, mendon dhe nuk ka materie. Është qendra e ideve. Sipas Dekartit, këto të fundit mund të rrjedhin nga shqisat, nga kujtesa ose imagjinata – duke përbërë kështu lidhjen midis mendjes dhe objekteve – ose mund të jenë të lindura që burojnë direkt nga mendja si parime absolutisht themelore që duhet të zbulohen nga njeriu, duke filluar nga përvoja. Empirikët Locke, Hume dhe Kanti, duke mos e mohuar ekzistencën e shpirtit dhe ligjshmërinë e një hetimi metafizik të esencës së tij, dallojnë mes “produkteve” të shpirtit, proceseve, efekteve dhe sustancës që e përbën. Në këtë kuptim, të parët mund të studiohen shkencërisht (proceset, efektet), ndërsa të dytët nëpërmjet metafizikës (substanza që përbën shpirtin). Perspektiva e këtyre autorëve nuk merr në konsideratë “mendjen” si entitet, por aktivitetin, stadet ose funksionet mendore nga një anë dhe nga ana tjetër studimin e marrëdhënieve mendje-trup.
Në botën perëndimore vazhdojmë të gjendemi nën ndikimin e një kulture të Dekartit (Karteziane) dhe Njutonit, që ngaherë theksojnë një ndarje të qartë ndërmjet res cogitans (mendja) dhe res extensa (trupi). Nga ana tjetër, urtësia lindore e ka konsideruar gjithmonë qenien njerëzore si një unitet energjik jetësor, i përbërë nga trupi, mendja dhe shpirti, të cilat reciprokisht influencohen. Koncepti perëndimor i njeriut është i ndryshëm nga ai lindor. Nocioni i “unit” është i rrënjosur thellë te perëndimorët dhe vuajtja jetësohet si një dobësi individuale. Ndërsa për lindorët ajo është më parë universale se sa subjektive. Çdo shkencë shihet si një disiplinë që ka një lidhje të ngushtë me të gjitha të tjerat në një projekt global të të nxënit dhe të edukimit, që synojnë rritjen e qenies njerëzore nga të gjitha pikëpamjet. Konceptimi dualist mendje-trup ka filluar të dobësohet dhe në perëndim, për t’i lënë hapësirë një vizioni më të integruar të natyrës njerëzore. Objektivi i psikologjisë dhe mbi të gjitha ai i psikoterapisë është njohja e qenies njerëzore në tërësinë e tij (mendje, emocion, sjellje dhe shpirt), me qëllim që të ndërgjegjësojë dhe të ndryshojë ato procese mendore, emotive
dhe sjellore, që në njëfarë mënyre pengojnë mirëqenien globale të personit, cilësinë e jetës së tij.
Ideja e mirëqenies në psikologji është shumë më e ngjashme me atë lindore. Ne perëndimorët zakonisht për mirëqenie kuptojmë mungesën e sëmundjeve dhe një gjendje të mirë psikofizike. Lindorët, ndyshe nga përëndimorët e lidhin idenë e
mirëqenies me të ndjerit mirë në 360 gradë: nga pikëpamja shëndetësore e trupit, por edhe shpirtërore, psikike, me njerëzit, me mjedisin në tërësinë e tij. Por jo vetëm: ekziston edhe një marrëdhënie me gjërat që kontribuojnë në mirëqenie si: shtëpia, mobilimi dhe natyra, të cilat kanë rol qendror. Njerëzit janë në marrëdhënie me tokën dhe ajrin. Trupi, në fund të fundit, nuk është diçka plotësisht i ndarë nga realiteti në të cilën është i përfshirë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përcaktuar mirëqenien si gjendje mendore psikike, sociale dhe shpirtërore, që u lejon njerëzve arritjen dhe mbajtjen e potencialit të tyre personal në shoqëri. Në nivel personal, një instrument i rëndësishëm është meditimi. Shumë studime shkencore kanë treguar se edhe pesë minuta meditim në ditë, thjesht duke u përqendruar te frymëmarrja që hyn dhe del nga hunda, mund të vijë në ndihmë për të gjithë organizmin. Trupi është tempulli i shpirtit tonë dhe është e nevojshme që të kujdesemi për të.
(B. Spinoza, Etika)
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.