Përktheu: Qerim Raqi
Të dashur miq! Gjëja e parë që duhet të bëj është të falenderoj dhe këtë e bëj me gjithë zemër. Çmimi i Paqes i Librarive Gjermane ka një shkëlqim të tillë rreth vetes dhe përjetohet si një mirënjohje kaq e madhe sa pothuajse t’i dridhen duart atij që e merr. Dhe tani unë qëndroj këtu, në vendin ku përgjatë viteve kaq shumë burra dhe gra të mençura kanë shprehur mendimet tyre, shpresat e tyre për të ardhmen e njerëzimit dhe për paqen e përjetshme të cilën e dëshirojmë të gjithë. Çfarë mund të them tjetër nga ajo që nuk është thënë tashmë më mirë se unë?
Të flasësh për paqen do të thotë të flasësh për diçka që nuk ekziston. Paqja e vërtetë nuk ekziston në rruzullin tonë dhe ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë përveçse si një qëllim që, me sa duket, nuk mund ta arrijmë. Për sa kohë që njeriu ka jetuar në këtë rruzull, ai është përfshirë në dhunë dhe luftë, dhe ajo paqe e brishtë që ekziston është vazhdimisht e kërcënuar.
Tani për tani, e gjithë bota jeton me frikën e një lufte të re, e cila do të na shkatërrojë të gjithëve. Përballë këtij kërcënimi, shumë njerëz, më shumë se kurrë më parë, po punojnë për paqe dhe çarmatim, kjo është e vërtetë. Kjo do të mund të ishte një shpresë, por është shumë e vështirë të jetë shpresëdhënëse.
Politikanët mblidhen në grupe të mëdha nëpër samite dhe flasin aq ngrohtë për çarmatimin, por vetëm për atë çarmatim që duhet ta bëjnë të tjerët. Vendi yt duhet të çarmatoset, por jo imi! Askush nuk dëshiron të fillojë me veten e tij, askush nuk guxon të fillojë, sepse të gjithë janë kaq të frikësuar dhe kanë kaq pak besim në vullnetin e të tjerëve. Dhe ndërsa konferencat e çarmatimit po marrin radhë, riarmatimi më i çmendur në historinë njerëzore është duke u zhvilluar.
Nuk është e çuditshme që ne të gjithë kemi frikë, pavarësisht nëse jetojmë në lindje apo perëndim, në veri apo në jug, nëse jetojmë në një vend superfuqi apo në një vend të vogël neutral. Ne e dimë se një luftë e re e madhe do të mund ta përfshijë gjithë njerëzimin dhe nëse unë mbetem e vdekur në një grumbull gërmadhash të një shteti neutral apo joneutral kjo nuk është me rëndësi.
Pas gjithë këtyre mijëvjeçarëve të luftërave të vazhdueshme, a nuk duhet vallë ta pyesim veten mos ekziston ndonjë e metë strukturore në gjithë specien njerëzore, ngaqë ne gjithmonë përdorim dhunë? Dhe a jemi të dënuar të vdesim për shkak të agresioneve tona? Të gjithë duam paqe.
Atëherë a s’ka asnjë mundësi që ne të ndryshojmë, para se të jetë tepër vonë? Që të mësojmë të distancohemi nga dhuna? Të përpiqemi, thjeshtë të jemi një soj i ri njerëzish. Por si do të bëhej kjo, dhe, nga t’ia fillojmë?
Mendoj se duhet të fillojmë nga fillimi. Me fëmijët. Ju i keni dhënë një shkrimtareje për fëmijë çmimin tuaj të paqes, prandaj, nuk mund të prisni nga unë t’ju jap perspektiva të mëdha politike dhe propozime për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. Dua të flas për fëmijët. Për shqetësimet dhe shpresat e mia për ta. Ata që tani janë fëmijë, një ditë do të marrin përsipër menaxhimin e botës sonë, nëse do të mbetet diçka prej saj. Ata do të vendosin për luftën dhe paqen, për llojin e një shoqërie që duan, një shoqëri ku dhuna vazhdon të rritet apo një shoqëri ku njerëzit do të jetojnë në paqe dhe në shoqëri me njëri-tjetrin. A ka fare shpresë se ata do të jenë në gjendje të krijojnë një botë më paqësore nga sa kemi arritur ta krijojmë ne? Dhe pse kemi pasur sukses kaq të dobët me gjithë vullnetin e mirë?
Mbaj mend se çfarë tronditjeje ishte për mua kur, në rininë time të hershme, papritmas kuptova se ata që sundonin fatet e vendeve të tyre dhe të botës, nuk ishin perëndi që kishin ndonjë dhunti superiore apo ndonjë mprehtësi hyjnore. Ata ishin njerëz me të njëjtat dobësi njerëzore si unë. Por ata kishin pushtet dhe në çdo moment mund të merrnin vendimet më fatale, varësisht nga impulset që i dirigjonin. Nëse donin të bëni keq, mund të bëhej luftë për shkak të dëshirës së një personi të vetëm për pushtet, hakmarrje, për shkak të një obsesioni ose dëshire për përfitime ose – që dukej se ishte më e zakonshme – bindjes së tepruar për dhunën si mjeti më efektiv në të gjitha situatat. Dhe në të njëjtën mënyrë, një person i vetëm, i mirë, i arsyeshëm, ndonjëherë mund të shmangte fatkeqësitë pikërisht duke qenë i sjellshëm dhe i përmbajtur dhe duke u distancuar nga dhuna. Përfundimi i kësaj mund të jetë vetëm ky: janë individët ata që vendosin për fatin e botës. Pse nuk ishin të gjithë të mirë dhe të arsyeshëm atëherë? Pse kishte kaq shumë që donin vetëm dhunë dhe pushtet? A kishte një vullnet të lig të lindur tek disa? Nuk mund ta besoja dhe nuk e besoj as sot.
Inteligjenca, dhuntitë e arsyes janë të lindura, por tek një fëmijë i porsalindur nuk ekziston një farë ku mbin automatikisht e mira apo e keqja. Nëse fëmija do të bëhet një person i ngrohtë, i hapur, besimplotë me aftësinë për shoqëri apo një ujk i vetmuar, destruktiv, emocionalisht i ftohtë, varet nga ata që e pranojnë fëmijën në botë dhe i mësojnë atij se çfarë është dashuria ose nuk arrijnë t’ia tregojnë se çfarë është dashuria.
“Überall lernt man nur von dem, den man liebt”, ka thënë Gëteja, dhe sigurisht kjo është e vërtetë. Një fëmijë që trajtohet me dashuri dhe që i do prindërit e tij, mëson prej tyre një qëndrim të dashur ndaj gjithë botës përreth dhe e ruan këtë qëndrim bazë për jetën. Kjo është gjë e mirë, edhe nëse ai ose ajo nuk do të jetë kurrë një nga ata që do të vendosin për fatin e botës. Dhe nëse ndodh që ai ose ajo të jetë një nga ata që vendosin për fatin e botës, atëherë është fat për të gjithë ne, nëse qëndrimi bazë i tij është dashuria dhe jo dhuna.
Edhe shtetarët dhe politikanët e ardhshëm e formojnë karakterin e tyre, para se të mbushin pesë vjeç, e tmerrshme, por kjo është e vërtetë. Dhe nëse tani shikojmë prapa se si janë trajtuar dhe edukuar fëmijët për aq sa mund ta ndjekim këtë gjatë shekujve, a nuk ishte fjala në të shumtën e herëve për thyerjen e vullnetit të tyre me forcë të njëfarë mënyre fizike apo mendore?
Sa fëmijë kanë marrë edukimin e tyre të parë për dhunën me ‘von denen, die man liebt’ nga prindërit e tyre dhe më pas duke e përcjellë atë mësim brez pas brezi. “Kurse shkopin, prish fëmijën”, thuhet në Dhiatën e Vjetër. Shumë baballarë dhe nëna kanë besuar në këtë që atëherë. Ata e kanë përdorë me zell shkopin dhe këtë e kanë quajtur dashuri. Por a thua, si ka qenë fëmijëria e gjithë atyre vogëlushëve “të shkatërruar” me sojin e të cilëve për momentin përballet rruzulli ynë, diktatorëve, tiranëve, shtypësve, torturuesve; kjo do të duhej të hulumtohet. Mendoj se pas shumicës së tyre qëndron një baba apo një edukator tjetër me shkop apo thupër në dorë. A nuk duhet të dëshpëroheni atëherë, kur befas bëhet thirrje për një kthim në sistemin e vjetër autoritar?
Kjo është ajo që po ndodh tani në shumë pjesë të botës. Tani ata duan një “shtrëngim më të fortë” dhe “frerë më të shtrënguar” duke besuar se kjo do të ndihmojë kundër të gjitha sjelljeve të këqija rinore, duke fajësuar lirinë e tepërt dhe shumë pak ashpërsinë në edukim. Kjo është një përpjekje për të dëbuar djallin me Belsebub dhe në një kohë më të gjatë vetëm sa do të çojë në më shumë dhunë dhe hendek më të madh e më të rrezikshëm midis brezave. Këta të shumëpriturit “frerë të shtrënguar” ndoshta do të mund të kishin një efekt sipërfaqësor që mund të interpretohej si një përmirësim nga idhtarët e tyre. Derisa përfundimisht ata u detyruan ta kuptonin se dhuna ngjall dhunë – siç ka ndodhur gjithmonë. Sigurisht që shumë prindër janë të shqetësuar për këto sinjale të reja dhe mund të fillojnë të pyesin veten nëse kanë vepruar gabim. A është edukimi liberal diçka i dëmshëm? Vetëm nëse keqkuptohet. Një edukim liberal nuk do të thotë që fëmijët duhet të lihen në stihi dhe të lejohen të bëjnë çfarëdo që duan. Kjo nuk do të thotë se ata duhet të rriten pa norma, dhe meqë ra fjala, ata as që e duan këtë.
Normat e veprimit u nevojiten si fëmijëve ashtu edhe të rriturve, dhe fëmijët mësojnë më shumë nga shembujt e prindërve sesa nga çdo gjë tjetër.
Sigurisht, fëmijët duhet të kenë respekt për prindërit e tyre, por, gjithsesi, edhe prindërit duhet të kenë respekt për fëmijët e tyre dhe të mos abuzojnë me epërsinë e tyre natyrore ndaj tyre. Një respekt i ndërsjellë, i bazuar në dashuri, këtë do t’ua dëshironim gjithë prindërve dhe gjithë fëmijëve. Dhe atyre që tani po bëjnë thirrje me kaq padurim për shtrëngime më të forta dhe frerë më të shtrënguar, do të doja t’ju tregoja atë që më tha dikur një grua e moshuar. Ajo ishte një nënë e re, në kohën kur njerëzit ende besonin në metodën “kurse shkopin, shkatërro djaloshin”. Ajo nuk besonte vërtetë në këtë, por një herë djali i saj i vogël kishte bërë diçka, kështu që ajo mendoi se djali duhej ta merrte një dënim, të parin në jetën e tij. Ajo i tha djalit që ai vetë të dilte dhe të gjente një thupër për vete. Djali i vogël shkoi dhe u largua për një kohë të gjatë. Më në fund u kthye duke qarë dhe tha: “Nuk gjeta thupër, por ja ku e ke një gur me të cilin mund të më godasësh”. Atëherë nëna filloi të qajë, sepse papritmas pa gjithçka me sytë e fëmijës. Fëmija duhet të ketë menduar se “nëna ime në të vërtetë dëshiron të më bëjë keq, prandaj bën të më godas edhe me një gur.”
Ajo e përqafoi djalin dhe të dy qanë së bashku për një moment. Pastaj ajo e vendosi gurin në një raft të kuzhinës dhe e la aty si një kujtim të përjetshëm të një premtimi që i bëri vetes në atë moment: Kurrë dhunë!
Po nëse tani ne i rrisim fëmijët tanë pa dhunë dhe pa ashpërsi të çfarëdo lloji, a do të shfaqet atëherë një lloj i ri njeriu, që do të jetojë në paqe të përjetshme? Vetëm një shkrimtare për fëmijë mund të shpresojë për diçka kaq të thjeshtë! E di që është një utopi.
Dhe sigurisht që ka shumë gjëra të tjera në botën tonë të varfër e të sëmurë që po ashtu duhet të ndryshohen në mënyrë që të ketë paqe. Por koha në të cilën jetojmë – ndonëse pa luftë – ka kaq shumë mizori, dhunë dhe shtypje të paimagjinueshme në botë, sa fëmijët sigurisht nuk janë të paditur për këtë.
Ata shohin, dëgjojnë dhe lexojnë për çdo ditë dhe mbase besojnë më në fund se dhuna është një gjendje e natyrshme. Të paktën a nuk duhet që nëpër shtëpitë tona të tregojmë, me shembullin tonë, se ka një mënyrë tjetër jetese?
Ndoshta do të ishte mirë sikur të vendosnim një gur të vogël në raftin e kuzhinës si kujtim, si për fëmijët ashtu edhe për veten tonë: kurrë dhunë! Ndoshta me kalimin e kohës ky do të ishte një kontribut i vogël për paqen botërore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.