Në fokus

April 28, 2016 | 8:27

Aurel Plasari: Një rrëfim për…

STUDIUESI & SHKRIMTARI – Ja ku jam po unë: “një copet”. Vetëm se në dy hipostaza, që duken si të ndryshme, nëpërmjet të cilave shkarkoj po të njëjtën zjarrmi timen mendore. Në të vërtetë, mund të jenë edhe dy sheshpushime, njëri prej të cilëve ndihmon çlodhjen prej lodhjes nga tjetri. Fat i madh duhet të jetë kjo mundësi ndërkëmbimi, ma besoni. Zor se do të zgjidhja të isha vetëm njëri prej të dyve. Ndërkaq, me thënë të vërtetën e së vërtetës, sikur të jetoja në një vend më të qetë se Shqipëria, më komod, ëndërroj t’i kisha kushtet për të shkruar letërsi, vetëm e vetëm letërsi. Por kjo është bisedë me “sikur”. I kam ëndërr vende të tilla, sepse në to një shkrimtar i mirë – le të themi edhe mesatar – mund të çojë jetë modestisht të qetë me letërsinë e vet. Meqë pyetët për punë letërsie, ma lejoni të fus në këtë përgjigje disa vargje të një poeti të dashur spanjoll që, qysh se e kam pasë përkthyer, më ngacmojnë mendjen: Në një vend të vjetëruar e të rrëgjuar /si puna e Spanjës mes dy luftërash civile,/në një fshat buzë detit/të kem një shtëpi, një pëllëmbë tokë të kem/dhe kujtesë aspak. Asgjësend pa lexuar,/pa vuar, pa shkruar, pa paguar/haraç, të rroj si një sojli i rënë nga vahti/mes rrënojave të zgjuarsisë sime. Mirëpo e çojmë jetën në Shqipëri, këtu t’atilla kushte nuk ekzistojnë, kjo do të thotë vetëm që shumë subjekte të mia, ëndrra të mia, tregime që ia tregoj vetes, do t’i mbaj në vete dhe mbase do t’i marr po me vete. Rroftë, pra, “studiuesi”!

LIBRI & BIBLIOTEKA – Biblioteka? Po cila? Biblioteka ime vetjake, d.m.th. ajo e shtëpisë? Apo kjo hijerënda, kombëtarja, ku punoj? Bibliotekat e ndryshme të botës, ku kam pasur fatin të endem e të rrëmoj? Apo ajo tjetra, sekretja, që e kam në tru? Libri dhe biblioteka, në një kuptim, janë për mua bota. Afërmendsh, siç thashë, në një kuptim: në kuptimin e botës më të madhe që njohja ime rrok, të një bote virtuale, pallogaritshmërisht më të madhe nga kjo realja, botë pa caqet që i quajmë “kohë” dhe “hapësirë”, nëpër të cilën njeriu mund të vejë e të vijë pa u penguar prej këtyre dy palë caqesh.

Duhet të shtoj se brenda kësaj bote, të librave, të bibliotekave etj., shtoj edhe koleksionet e muzikës, – disqe gramafoni etj.,- tanimë edhe filmat dhe më the e të thashë. Ndoshta arrini ta përfytyroni se sa e stërmadhe dhe sa e lakmueshme është bota për të cilën po ju them: nuk dihet në do të na dalë jeta ta përshkojmë të gjithën tej-e-ndanë, t’i biem pash më pash, siç thuhet. Gjithsesi ndihem i lumtur që gjalloj brenda saj: brenda saj lëviz, brenda saj mësoj, brenda saj prodhoj, brenda saj dashuroj, madje edhe nëse zhgënjehem brenda saj, – rrallë e tek, – ju siguroj që është shumë më bukur të zhgënjehesh aty sesa në botën e vogël reale.

SEKSI & EROSI – I quaj, të kyçur bashkë, moventin e jetës, vënësin në lëvizje, si t’jua them ndryshe..? Όρμάω ka qenë në greqishten e vjetër folja “me vënë në lëvizje”. Prej saj ka ardhur në shkencë termi “hormon-hormone”, që sot shkencërisht nuk është veçse një mesagjer kimik që transmeton sinjale nga një qelizë ose grup qelizash te një tjetër qelizë ose grup qelizash. Shumë e shumë më parë se t’i kthjellonte shkenca punët e këtyre mesazheve ose mesagjerëve, ato i kanë ditur bukur mirë shkrimtarët e lashtë. Për vete besoj se i kam njohur seksin dhe erosin duke filluar prej tyre dhe jo, fjala vjen, prej kimisë organike. Ja të hap ndonjë libërth këtu pranë tryezës: Marcialin e shek. I-II. “Masturboheshin mbrapa portave skllavet frigjiane,/ Çdo herë që nusja ia hipte kalit të Hektorit…” (XI, 105). “Kur ti, me dorën tënde plakë, nis e më ngacmon/ Nervin e gjallë, më lë pa frymë, Filis, gishti yt i madh…” (XI, 30). Madje Marciali na tregon se edhe zonja e nderuar Penelopë, pa pikë marre, ia bënte këtë punë Uliksit: “Sado e turpshme, ndërsa mbreti i Itakës gërrhiste,/ Penelopës ia kishte ënda ta kishte dorën aty…” (XI, po aty). E veçanta ime për ç’u takon raporteve seks-eros mendoj se është dëshira që meshkuj dhe femra t’i mendonin punët seksuale në plotërinë e tyre, si punë të pastra, pa e ndier veten aspak “pis”. Mund të thoni ju se për të vepruar, ne ende nuk mund të veprojmë seksualisht ashtu si na e ka ënda. Vërtet. Por së paku tanimë e kemi mbërritur aftësinë për të menduar erotikisht me plotëri dhe kthjelltësi. E kam pasë pohuar edhe një herë që për shijet e mia të leximit, me sa duket edhe të shkrimit, librat me goca “të ndershme” dhe çuna “të virtytshëm” kanë vetëm një emër: broçkulla. Një mashkull dhe një femër nuk do të thotë thjesht një mashkull dhe një femër. Do të thotë një rrjetë e tërë marrëdhëniesh të ndërlikuara. Do të thotë një mbështjellim ndjesish seksuale, që ziejnë, si edhe mendimesh seksuale që vetëm truri mund t’i shkoklavisë. Plotëria njerëzore, për mendimin tim, do të bëhet e mundshme vetëm po qe se veprimi ynë seksual, nga njëra anë, dhe mendimi ynë erotik, nga tjetra, do të vijnë në harmoni, d.m.th. po qe se njëri nuk do ta pengojë tjetrin.

FAMILJA & MIQTË – Familja ime, në kuptimin e ngushtë, është minimalisht e vogël, prej dy vetash: një bijë që e dua dhe e vlerësoj dhe një baba që besoj se e duan dhe e vlerësojnë. Në kuptimin më të gjerë, të rrethit familjar, mund t’ju them se atë e quaj fort të këndshëm dhe që më përplotëson: një vëlla të jashtëzakonshëm, me të cilin duhemi shumë; një motër mjaft të dhembshur, të cilës padrejtësisht nuk i kushtoj dot kohën që meriton; një mbesë (vajzë vëllai), që e kam mikeshë të vyer dhe njëherësh kolege arti; një mbesë tjetër (vajzë motre), që më gëzon me arritjet e saj profesionale, por që e kam larg, sikurse po larg kam edhe një nip (djalë motre) tjetër, mandej të mos harroj një tjetër nip (djalë vëllai) tanimë zotëri burrë etj. Por, fundja, ç’u duhen lexuesve këto hollësi? Për ç’u takon miqve, rrethin e kam edhe më të ngushtë, të selektuar, me gjasë sepse për nga natyra kam qëlluar buzëhollë. Për ta i qëndroj pohimit që kam bërë edhe vite më parë: parapëlqej për miq njerëz të thjeshtë, në kohë e sipër që përpiqem t’i reshtem “kulturës mikroborgjeze”, e cila më ngjan se sjell mbas vetes rëndomësi dhe madje papastërti. Njerëzit e thjeshtë me të cilët parapëlqej të rri, të pi kafe ose “një gotë”, të shkëmbej duhan e të diskutoj gjatë, madje të mësoj prej tyre, ruajnë për mua një sharm të veçantë, i cili gradualisht humb gjatë “kulturimit mikroborgjez”. Besoj se është sharmi i vërtetë intelektual, i cili haset përsëri në një shkallë shumë të lartë kulture. Jam i një mendjeje me Pasolinin në këtë pikë, që kultura e mesme është “zvetënuese”, “prishëse”.

POLITIKA & ARTI – Punët me të cilat jam marrë deri sot kanë qenë previum politicae, d.m.th. nga ato që vijnë para politikës, si puna e minatorit nën tokë. Në këtë kuptim, pozicionin e atij që quhet “njeri i artit” ose “njeri i intelektit” e kam përcaktuar në kundërvënie me atë të politikanit. Vepra e punëtorëve të mendjes synon drejt kthjellimit të gjërave, ndërsa politikanët priren rëndom t’i ngatërrojnë gjërat më keq nga ç’janë. Atëherë të jesh i së djathtës është po ajo punë si të jesh i së majtës: një nga mënyrat e shumta për të qenë lolo. Kur ndodh që, prej këtij qëndrimi, më qortojnë për “skepticizëm”, ngulmoj duke pohuar se ky qëndrim imi përkon si me detyrën qytetare të intelektualit, ashtu me detyrën intelektuale të qytetarit. Ka qenë një nga karakteristikat e pushtetarëve të kësaj bote që si krijuesit, edhe mendimtarët, në përgjithësi ata që i quajta “punëtorë të mendjes”, t’i përfillin si atribute të tyret. Ashtu si çifligarët që mburreshin me tokat e veta, madje dhe me “shpirtrat” që zotëronin, ka pushtetarë që i regjistrojnë edhe krijuesit ndër pronat e veta. Vanitetit mijëravjeçar të pushtetarëve të kësaj bote për të pasur në zotërim troje, “memuriet dhe ar”, i shtohet ai për të poseduar artistë, shkrimtarë, deri dhe mendimtarë. Pa këtë posedim a thua se kurorëzimi i tyre do të dilte hirit. Punëtorët e mendjes, nga ana e tyre, është e natyrshme t’i kundërqëndrojnë kësaj ndjenje të mbrapshtë pronësie.

MITI & REALITETI – Po kjo pyetje? Me sa bëj llogaritë e mia, nuk më del të jem marrë ndonjëherë me “mitologji”. Jam marrë, po, dhe merrem me histori. Të dyja janë domene të ndara, me kufij të qartë, pa kurrfarë “mbivendosje prone”, siç do të thuhej sot juridikisht. Vetë nuk gaboj t’i ndërkall njërin te tjetri. Mos synonit me këtë pyetje “çështjen Skënderbe”, me të cilën jam marrë tani e 15 vjet? Gjergj Kastrioti, i njohur si “Skënderbe”, është imponuar tanimë në historinë e Shqipërisë si figurë “heroi kombëtar”, madje si “simbol” i identitetit të shqiptarëve dhe i qëndresës dhe/ose i luftërave të tyre. Si i tillë është vlerësuar ai veçanërisht prej një filoni të historiografisë europiane, që e zë fillin te tradita humanisto-iluministe, dhe vijon të vlerësohet ende sot e gjithë ditën. Merret vesh vetiu që figura si e tija, në historinë e çdo kombi, vuajnë jo vetëm rrezikun e ngatërrimit të kufijve mes realitetit dhe mitit, por edhe të shpjegimit të njëanshëm të tyre: jashtë kontekstit të kohës ose pa lidhje me idetë e zhvilluara a me lëvizjet e organizuara përbrenda të cilave ata vetë kanë jetuar, vepruar, luftuar. Është edhe kjo një arsye që “historia e Skënderbeut” vijon të shtrojë pyetje para specialistëve shumëfarësh, dhe për të cilën ajo lypset rishkruar: punë tanimë që ka lidhje vetëm me historinë dhe funksionon automatikisht si refuzim i mitologjive. Skënderbeun e kam cilësuar “heroi semantik i shqiptarëve”: pjesa tjetër, ajo mitologjikja, pothuajse nuk më ka intriguar.

Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top