Në fokus

April 26, 2016 | 7:38

Aurela Gaçe: Kurrë s’e mohova origjinën time

Nuk ka rëndësi se nga vjen, por çfarë bën.

Me mbërritjen në New York, e gjithë jeta e saj ndryshoi. “Toka e premtuar” ishte vërtet ashtu siç ia kishin përshkruar, ama në thelb të karakterit, ajo mbeti po e njëjta, Aurela Gaçe. Mbi të gjitha, vajza nga fshati Llakatund i Vlorës, kurrë s’e mohoi origjinën, përkundrazi atë mundohet ta përmendë me zë të lartë, kudo ku e pyesin për të kaluarën, prindërit apo familjen. “Nuk e mohoj origjinën time, sepse është vendi ku kam lindur dhe jam rritur. Unë i mëshoj këtij fakti, që nëse dikush ndodhet sot në një fshat apo pozitë ku mendon se nuk ka shpresë të bëhet çfarë ëndërron, ta dijë se çdo gjë është e mundur. Për mua nuk ka rëndësi nga vjen, por çfarë bën”, thekson për revistën “Psikologji”, këngëtarja. Ajo vetë e ka të zorshme të besojë, ndonëse është përballur me shumë personazhe publikë, që preferojnë të heshtin përballë prejardhjes së tyre, apo prindërve që i kanë sjellë në jetë. Frikë nga paragjykimi? Edhe ndodh, por vetë këngëtarja as që e ka çuar nëpër mend të bëjë diçka të ngjashme. “Nëse unë nuk do të rridhja nga ata prindër, nga ata njerëz që më kanë rrethuar, nga një ambient ku secili thotë atë që mendon pa përdorur filtra, atëherë nuk do isha kjo që jam. E respektoj të kaluarën time, familjen dhe sidomos nënën dhe babain. Personalisht do t’i doja dhe do t’i vlerësoja njëlloj, edhe nëse ata do të ishin dy personalitete në poste drejtuese, apo edhe dy njerëz të thjeshtë siç janë sot”, vijon Gaçe. E rëndësishme për të nuk është se ku e ka çuar fëmijërinë e vet, se kush janë prindërit që e kanë lindur. Për të rëndësi ka se si e ka çuar fëmijërinë e vet: “Fëmijëria ime ka qenë nga ato më të lumturat… Të kisha pasur mundësi të kthehesha edhe një herë në natën e ndërrimit të viteve, kur mblidheshim të gjithë bashkë, ku në sobën me dru piqej gjeli i detit, kulaçi me të cilin bëhej dollma. Ose të kthehesha prapa në muajt e verës, ku nuk lija më fiq, kumbulla, e hardhi rrushi pa u ngjitur në bahçen e prindërve të mamit…”, thotë Aurela. Sot, për fatin e saj është në Amerikë. Është vendi, thotë Aurela, ku askush nuk e ndjen gjykimin për kombësinë e vet. Ama, përçmimin ndaj kombësisë shqiptare, e ka ndjerë. Por, kryesisht në ato kur i është dashur të trokasë dyerve të ambasadave për t’u pajisur me vizë. Nuk është se origjina i ka prishur punë, por ngjan se në realitetet shqiptare, një artist mund të ndihet i privilegjuar në skenë, por në jetë rrallë ndodh. Sidoqoftë, talenti dhe profesionalizmi që Aurela ushqen për muzikën, e kanë vënë në podiumin e këngëtarëve më të suksesshëm, ndërsa origjinën e mban me vete si gjënë më të pamohueshme të një njeriu, që shpeshherë e identifikon kudo ku ajo është e pranishme.

Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top