Mirëqenie

June 12, 2017 | 15:30

Aurora Ndreu: Piktura, arti i bukur që zgjoi ëndrrën për poezinë

Kalkulimet matematikore mes shifrash e planesh ekonomike në profesion, i kanë shërbyer gjithaq një misioni po aq të veçantë, që në rrjedhën e jetës së saj, u shndërruan në një qëllim po kaq të shëndetshëm për familjen ku jetonte. Përtej zhdërvjellimit profesional, të ushtruarit si ekonomiste, e ka ndihmuar Aurora Ndreun të zbulojë talente të reja brenda vetes. Mes praktikave dorëshkruese, ajo u takua fillimisht me pikturën, gjininë pas së cilës arriti të shprehë vetveten dhe ndjesitë që përçoheshin së brendshmi si me magji, për të përvijuar nga një gjini në tjetrën brenda artit, duke e shpërfaqur talentin e saj me poezi.

Aurora Ndreu (Cakaj), një ekonomiste në profesion, por njëherësh poete dhe piktore e afirmuar, jeton në Tiranë me familjen e saj, bashkëshortin dhe dy fëmijët. Pasioni dhe dëshira për artin e bukur të ngjyrave, i ka ardhur që në moshë të vogël, me skica të cilat i vizatonte pa fund, në copëza kartonësh me laps, në bardh e zi. Me poezinë, ‘u takua’ disa vite më vonë, një pasion i trashëguar nga babai i saj, shkrimtar dhe publicist i njohur.  Mama e dy fëmijëve, Arbër dhe Joana, tashmë të rritur e të diplomuar në profesionet e tyre dhe bashkëshortin ushtarak, Aurora Ndreu vjen në një rrëfim mbi jetën e saj si piktore, lidhjen me poezinë dhe artin në përgjithësi.

copy-2-of-11160450_745473482216638_797949517_n

Si erdhi piktura tek ju? Po poezia?

Jam lindur në një familje intelektuale, babai, shkrimtar i njohur, Ferhat Cakaj, publicist, prozator, autor  i dhjetëra romaneve, nëna me profesion mësuese. Jam edukuar më së miri nga të dy, me shumë dashuri dhe përkushtim. Duke u rritur, sa vinte e shtohej dëshira për ngjyrat, për të bukurën, për poezinë dhe për artin në përgjithësi. Dy mësuesit që më kanë ndihmuar shumë kanë qenë dy piktorë të njohur Alajdin Tabaku dhe Pjetër Marku. Qyteti im shquhej për talente në fushën e shkrimeve dhe pikturës.

Piktore, por me profesion ekonomiste, pse kjo zgjidhje?

Do të thosha që, nuk e kam pasur shumë të lehtë. Aty rreth viteve 80-të, kur isha vetëm 14-vjeçe, për arsye ekonomike m’u desh të punoja dhe njëkohësish të vazhdoja dhe shkollën ekonomike, duke  ndihmuar sadopak familjen time. Ndodh ndonjëherë që kushtet dhe rrethanat bëjnë që rrjedha e jetës merr një drejtim krejt tjetër. Me kalimin e viteve, sa vinte e shtohej dëshira për të bukurën, poezinë, ngjyrat dhe rritesha fizikisht dhe artistikisht. Aktualisht punoj prej më shumë se 25 vitesh si ekonomiste në bankë, profesion të cilin e dashuroj dhe punoj me shumë përkushtim, një punë të cilën mbaj familjen time ndërsa me pikturën mbaj të gjallë shpirtin.

Çfarë ju frymëzon më shumë në veprat tuaja në pikturë dhe letërsi?

Kur punoj, futem në botën e ngjyrave, përhumbem në magjinë e tyre dhe nuk resht derisa ta mbaroj. Zgjodha të merrem me pikturë dhe pse jo atë profesioniste për të plotësuar veten. Piktura do një karakter të fortë, i cili shpaloset në çdo tablo të çdo krijuesi në punën e tij. Artin në përgjithësi do ta krahasoja  me një galaktikë ku ka qindra yje, dhe ku çdo yll shkëlqen më shumë se tjetri. Zakonisht, piktorët e krijojnë identitetin e tyre, secili zgjedh një drejtim në pikturë. Mua më pëlqen shumë portreti shprehës. Është shumë i vështirë. Zakonisht punoj fundjavave dhe natën vonë, kam ngjarë nga im atë. Ai i shkroi veprat e tij natën vonë, ku i gjithë qyteti bie në qetësi, duke dëgjuar muzikën timë të preferuar në kufje. Shpesh më thërrasin, por nuk i dëgjoj, pasi jam bërë njësh me tablonë që kam përpara. Me një pikturë të bukur shpesh dashurohesh  dhe të bëhet pjesë e jotja, nuk dëshiron ta shesësh apo t’ia dhurosh dikujt tjetër. Mendoj që një pikturë e bukur duhet të jetë e gjallë, optimiste, të flasë me gjuhën e ngjyrave, të pikturosh identitetin tënd, pasi e urrej kopjen. Zakonisht kur blej një tablo, rrugës për në shtëpi, mendoj çfarë do krijoj, dhe mezi pres të vijë fundjava, pasi jam e lirë të bëj diçka të bukur.

nena

Cilat janë mesazhet që përcillni përmes këtyre dy fushave artistike?

Arti, pasioni dhe talenti, thonë, lind me njeriun, por nganjëherë shpërthen si uragan në një moment kyç në jetë. Ky shpërthim të ndjek nga pas gjithë jetën. Kjo ndodhi me mua para 4 vitesh kur humba  babanë, heroin e jetës sime. Fillova të shkruaj poezi dhe të pikturoj, thjesht për të harruar dhimbjen që më la pas humbja e tim ati. Tani, kjo dhimbje u kthye në pasion për artin e bukur të pikturës dhe për këtë jam shumë e lumtur. Ëndrra ime e madhe është të kem një atelie të mirëfilltë arti, ku të shpalos talentin tim. Shpresoj të mos mbetet vetëm një ëndërr.

Ku e gjeni veten, te peizazhi, kompozimi apo portreti?

Natyra  gjithmonë më ka mrekulluar në gjithë dimensionin e saj, tokën, detin, pemët, ujëvarat. Shpesh kur dalim me familjen, sytë gjithmonë më shkojnë te gurët, në mal ose në plazh, dhe filloj të përfytyroj ç’mund të bëj me to, një mozaik të bukur, një kompozim ndryshe. Kam lindur dhe jam rritur në një qytet  të bukur në veri të Shqipërisë, në Kukës. Aty kam kaluar fëmijërinë. Është qytet i bukur, me njerëz të mrekullueshëm, ku në dimër bie shumë borë, në të ardhmen mendoj të bëj disa tablo të bukura me dëborë, dhe pse jo, të çel një ekspozitë atje.

Po piktura abstrakte sa është në preferencat tuaja?

Kam guxuar, dhe shumë nga punët e mia janë abstrakte. Kjo është një gjini tepër e bukur. Jo të gjithë e kuptojnë. Për mua do mbetet një gjini tepër e veçantë.

14068285_1802752736627274_6939010319612769677_n

Cili është guximi juaj më i madh në pikturë?

Më ka pëlqyer gjithmonë figura e bukur e femrës. Femra është krijesa më e bukur që ka krijuar natyra, format trupore, sytë, flokët, në gjithësinë e saj, është e bukur në pikturë. Kam guxuar dhe kam bërë ndot e para. Më vonë jam marrë kryesisht me portretin, pasi ai është pjesa që më pëlqen më shumë. Portreti më jep emocion. Unë veten time do ta klasifikoja te portreti shprehës femëror në veçanti.

A keni marrë pjesë në ndonjë ekspozitë?

Në fund të tetorit do çel ekspozitën time në parë, pasi m’u desh një gjysmë shekulli, që të rimarr penelin në dorë dhe të bëj pikturën time të parë, tani në atelienë time mund të numëroj pa frikë  rreth 70 punime të ndryshme, në akrilik, vaj, mozaik, laps bardh e zi, etj. Po eksperimentoj dhe në skulpturë, punime në allçi, knawf, gurë etj. Gjithashtu një risi tjetër surprizë në ekspozitë, do të jenë dhe punime me bojëra akrilik mbi veshje, si dhe fustane mbrëmjeje në mëndafsh.

femra

Ku ngulmoni më shumë te akuareli apo vaji?

Fillova të eksperimentoja me ngjyrat, duke i ndërthurur dhe shpalosur fantazinë, lojën e dritë-hijeve. Kisha filluar të mos e shikoja më bardh e zi. Pasioni për dritën, ngjyrat  dhe për jetën, të skajshmen dhe të tejskajshmen. Adhuroja natyrën në të gjithë dimensionin e saj. Vjeshta më mrekullonte, një krijuese për të gjithë piktorët dhe, gjithmonë objektet i shihja me syrin e një piktori. “Qëllimi i artit është të pastrojë pluhurin e të përditshmes prej shpirtrave tanë”, thoshte i madhi, Pablo Picasso dhe pikërisht këtë bëri arti i pikturës me mua, shëroi dhe plotësoi jetën time. Fillimisht kam punuar me akrilik në telajo, material i cili thahej shpejt dhe pikturën e mbaroja për dy orë, por përsëri nuk ndjehesha e mbushur, pasi me tharjen e bojës, piktura zbehej, prishej nga uji dhe nuk kishte shkëlqimin e duhur dhe rezistent në kohë. Prandaj mora dhe eksperimentova me bojërat e vajit, dhe pa frikë mund të them se ishte një magji. Vërtet kërkon shumë kohë në dispozicion, por shkëlqimi dhe bukuria që i jep pikturës, ishte magjike.

18835721_1963503827218830_1995897349817576465_n

Cilët janë artistët që ju frymëzojnë?

Ndjek me vëmendje ekspozitat e piktorëve shqiptarë dhe të huaj dhe kam marrë pjesë në ekspozitë të përbashkët disa herë. Në botën e akuarelit, do të veçoja z.Helidon Haliti, kurator në Bienalen  Ndërkombëtare të Akuarelit. Ky popull e do artin. Artistët shqiptarë janë vërtetë të talentuar, kanë shkëlqyer kudo në botë me ekspozitat e tyre. Do veçoja disa nga piktorët tanë: z.Buron Kaceli, Sefedin Stafa, Pashk Pervathi, Guri Madhi, etj. Piktura klasike është dhe mbetet një thesar pa fund si dhe gjithë rrymat e tjera. Do veçoja Caravaggio-n, i cili për mua është i paarritshëm, stili barok me Michelangelo-n, Tiziano etj. Periudha  impresioniste (Cesanne, Monet, Renoir, Van Gogh). Piktura  surrealiste (Devaux, Magritte o Dali..)

18839172_1965754656993747_980225668313173025_n 18556349_1956967087872504_7362545119809372580_nFolëm për pikturën, por një vend po kaq pasionant e zë dhe poezia. Kur daton kjo periudhë?

Që në moshë të vogël falë babait tim shkrimtar, vjershat e para botoheshin në revistat e asaj kohe “Fatosi” dhe “Pioneri”. Në shkollën e mesme lexoja shumë, pasi në shtëpinë time kishim një bibliotekë shumë të pasur. Në këtë kohë rritesha fizikisht dhe artistikisht. Mendoj që poezia është e lidhur shumë me pikturën, ndërthurja e tyre bën atë që ne e quajmë art.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Po punoj në pikturë, njëkohësisht dhe në poezi. Jam në prag të botimit të veprës sime të parë me poezi “Kur dhimbja mund një qytet” një vepër e cila flet për problemet sociale. Shpresoj ta botoj së shpejti, pa lënë pas dore edhe pikturën, ëndrrën time të madhe. Asgjë nuk do ishte e mundur pa ndihmën e familjes sime të mrekullueshme, bashkëshortit dhe fëmijëve.

Intervistoi: Revista “Psikologjia”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top