Këshilla & Arsye

September 1, 2016 | 9:33

Autizmi e ka zanafillën që në shtatzëni

Studiuesit e Universitetit të Kalifornisë kanë kryer një studim, i cili tregon prova të reja, të qarta se autizmi fillon që në shtatzëni.

Ky studim u botua në muajin e kaluar në revistën “New England Journal of Medicine”. Eric Courchesne, profesor i shkencës së trurit dhe drejtor i Qendrës së Autizmit në San Diego, Ed S.Lein nga Instituti Allen për shkencën e trurit në Seattle dhe Rich Stoner nga Qendra e Autizmit në San Diego analizuan 25 gjene në indet e trurit të fëmijëve me dhe pa autizëm, pas vdekjes. Kjo përfshin gjene që shërbejnë si tregues për llojet e qelizave të trurit në shtresa të ndryshme të kores, gjenet e autizmit dhe disa gjene të kontrollit. “Ndërtimi i trurit të një foshnje gjatë shtatzënisë përfshin krijimin e kores, e cila përmban 6 shtresa, – tha Courchesne. – Ne zbuluam pjesë të pazhvilluara në shtresat e kores te shumica e fëmijëve me autizëm”.

Ndërsa Stoner krijoi për herë të parë modelin 3 dimensional të trurit, ku tregohen këto pjesë të paformuara ashtu siç duhet. Më pas Lein shpjegoi se “zbulimi më shokues ishte ngjashmëria e zhvillimit të kësaj patologjie pothuajse në të gjitha rastet me autizëm, sidomos duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e simptomave te pacientët me autizëm, si dhe gjenetikën komplekse që fshihet pas këtij çrregullimi”. Gjithashtu u zbulua se në qelizat në shtresa të ndryshme të trurit, te fëmijët me autizëm mungonin gjene (segmente të ADN-së). “Ky defekt, – saktësoi Courchesne, – tregon se faza thelbësore e zhvillimit dhe krijimit të gjashtë shtresave të ndryshme të trurit me qelizat përkatëse (diçka që fillon që në embrion) është ndërprerë”.

Po aq e rëndësishme, sipas shkencëtarëve, është se këto defekte të hershme qenë të pranishme në shtresat e kores, ndonëse nuk ishin uniform përgjatë kores. Pjesët më të prekura të trurit nga këto pulla të mungesës së gjeneve ishin korja frontale (ballore) dhe temporale. Megjithatë, studimi i origjinës së autizmit është mjaft i vështirë, sepse mbështetet në analizimin e trurit të të rriturve në përpjekje për të eksploruar edhe paraardhësit. “Në këtë rast, – theksoi Lein, – ne mund të studiojmë rastet e autizmit dhe ta kontrollojmë atë në moshë të re, gjë që na jep një pamje unike të trurit në zhvillim me autizëm”. Sipas shkencëtarëve, të tilla defekte, në krahasim me patologji uniforme të kores, na ndihmojnë të shpjegojmë se pse shumë të vegjël me autizëm reagojnë pozitivisht ndaj trajtimit të hershëm apo me kalimin e kohës. Këto gjetje mbështesin idenë se te fëmijët me autizëm ndonjëherë truri reagon, duke rritur shpresën se të kuptuarit e këtyre njollave, mund të hapë shtigje të reja për eksplorimin e këtyre përmirësimeve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top