Në fokus

July 31, 2016 | 10:15

Autonomia e femrës, peng i shoqërisë patriarkale

1Çdo ditë ne bëhemi lexues, teleshikues apo dëshmitarë okularë të kronikave të mbushura plot me histori të grave/vajzave të dhunuara, numri i të cilave nga viti në vit sa vjen e rritet falë edhe ndërgjegjësimit të femrës për ta denoncuar këtë fenomen. Sipas të dhënave që ofrojnë organizatat që e luftojnë këtë dukuri, 30% e grave shqiptare të moshave 15 deri 49 vjeç kane përjetuar njërën nga format e dhunës ose njëherazi forma të ndryshme të saj: emocionale, psikologjike, fizike ose seksuale dhe dhuna mund t’ju ndodhë grave, pavarësisht moshës, nivelit arsimor, statusit të punësimit, fesë dhe vendit të banimit. Në 87% të rasteve, dhunuesit kanë qenë i fejuari, bashkëshorti, bashkëjetuesi ose ish-burri. Mund të na duken shifra mbase të fryra, sepse ato janë rezultat vetëm i dëshmive të marra nga gratë (dëshmia e burrit mungon), megjithatë, numri i grave të dhunuara pas vitit ’90 sa vjen e rritet gjithnjë e më shumë.

Përse meshkujt dhunojnë?

Duhet theksuar që në fillim se nuk janë dhunues vetëm meshkujt shqiptarë. Ky është një fenomen që ka ndodhur ndër shekuj dhe ndodh në të gjithë botën. Shifrat janë shqetësuese edhe në vendet më të zhvilluara. Specialistët e kësaj fushe nga ana psikologjike nga shumë vende të botës, bien dakord kur theksojnë se: shkaku kryesor i kësaj dhune është: Autonomia e femrës, përpjekja e saj për të gëzuar të drejta të barabarta me meshkujt. Në shoqërinë patriarkale, atë që jetojmë edhe sot, babai është “padron” i shtëpisë dhe Zot i familjes, kurse gruaja ka vetëm rolin e nënës dhe të mësueses për fëmijët. Betejat feministe të shekullit të kaluar duhet ta nxirrnin gruan nga pozicioni nënshtrues në emër të barazisë gjinore, në emër të barazisë burrë-grua. Gratë luftuan për të drejta të njëjta, për të qenë edhe femër edhe grua, edhe nënë (beteja e votës, ligji mbi abortin, divorcin, seksualitetin, zbulimi i trupit etj). Ky revolucion kulturor bëri që gruaja t’i “fusë hundët” edhe jashtë mureve të shtëpisë në sektorë të ndryshëm të jetës. Në këtë destabilizim të traditave dhe zakoneve, burri mbeti i ngurtë. Ai nuk pësoi ndonjë revolucion, ai mbeti në pozitat që ishte, të bashkëshortit e kryefamiljarit, ndërsa gruaja në kërkim të identitetit që e kualifikonte atë si femër, grua dhe nënë. Në këtë kërkim gruaja “pushtoi” hapësirën e burrit duke shkaktuar tek ai një nga pasionet e njeriut, Urrejtjen, e cila manifestohet edhe si xhelozi. Tjetra i merr diçka që është e drejta e tij si mashkull. Sa më shumë gruaja përpiqet të afirmohet si e barabartë me burrin në dinjitet, vlera, aq më shumë zvogëlohet territori i pushtetit të tij, e aq më shumë rritet urrejtja karshi femrës. Kështu që kufiri midis urrejtjes dhe dashurisë midis dy njerëzve që duhen, bëhet i paqëndrueshëm. Urrejtja dominon mbi dashurinë, dashuria sëmurët. Kjo marrëdhënie dashurie e sëmurë bëhet e padurueshme për femrën, ajo rebelohet ndaj trajtimit të saj si pronë. Kjo mosbindje ndaj autoritetit të mashkullit e bën mashkullin agresiv dhe të dhunshëm. Burrat dhunues duhet ta dinë dhe nuk duhet ta harrojnë se: dashuria varet nga personi tjetër. Kjo varësi nuk përjashton kurrë autonominë. Për të dashuruar duhet të jesh gati edhe të heqësh dorë nga diçka, tjetra nuk është e tëra në dispozicionin tuaj. Nëse tjetrën e trajton si objekt, ajo bën rezistencë. Duhet të lini vend për tjetrën për ta dëgjuar, për ta njohur. Pra, autonomia e femrës nuk duhet parë si rrezik. Midis femrës e mashkullit nuk duhet të ketë konkurrencë ndërgjinore. Femra/gruaja/mamaja nuk është armik, por partner për të ndërtuar rrugën e jetës dhe ajo nuk mund të jetë e bukur nëse femra ndihet vetëm një objekt me të cilën do ndani qëllimet, detyrat dhe respektin.

Përse ky fenomen vjen në rritje në vendin tonë?

Ndër shumë, më kryesoret janë dy: sepse femra shqiptare shumë të drejta të fituara, i pati dhuratë. Ajo nuk luftoi, nuk mori pjesë në shumë nga betejat që zhvilluan femrat në botë, edhe pse ato janë duke rendur ende. Ato janë më të prapambetura sesa të ngjashmet e tyre në perëndim. Ato kanë humbur shumë kohë. Globalizmi e evidentoi më shumë këtë ndryshim, ndaj femrat shqiptare medoemos duhet të rendin për çështjen e tyre në mënyrën më agresive që të jenë të barabarta me meshkujt. Për mashkullin shqiptar është i papranueshëm gëzimi i të drejtave të marra dhuratë dhe rendja e femrës akoma edhe më tepër kur ky ndryshim po ndodh brenda një periudhe shumë të shkurtër. Përvoja ka treguar se as indinjata, as denoncimi dhe as ligjet e forta nuk kanë mjaftuar për ta ndaluar dhunën ndaj femrës. E vetmja zgjidhje është që meshkujt, siç thotë L.Alcott: “Latinishtja, greqishtja dhe matematika ishin që të gjitha fort të vyera, por njohja e vetvetes,… dhe vetëkontrolli ishin më të rëndësishme”.

Dhuna nuk është dashuri, por kontroll

Periudha e dhunës mbaroi, më pas?! Më pas gruaja duhet të luftojë për të rimarrë jetën e saj. Po si? Një përgjigje të vetme nuk ka, por studiuesit japin disa këshilla esenciale që duhet t’i ndjekë një femër e dhunuar, në mënyrë që drita në fund të tunelit në të cilin gjendet, sa më shpejt t’i ngrohë çdo pore.

• Dhuna nuk është faji juaj.

• Siguria juaj dhe e fëmijëve tuaj është prioriteti numër NJË.

• Kërkoni menjëherë këshilla ligjore.

• Sigurohuni që do të merrni të gjitha të drejtat tuaja. Jini të vetëdijshme për to.

• Kërkoni ndihmë: nga policia, këshilluesit profesionistë, shoqatat që luftojnë dhunën në familje, nga miqtë, forumet në internet etj.

• Krijoni një rrjet social. Aty është gjithmonë dikush që është i shqetësuar për ju, edhe nëse dhunuesi ju ka thënë të kundërtën. Fëmijët janë të prekur nga dhuna në familje, prandaj duhet të përdorni rrjetin social të krijuar për t’i ndihmuar ata.

• Kontaktoni një këshilltar financiar, në mënyrë që financat tuaja të jenë të sigurta. Sa më shpejt të kërkoni ndihmë, aq më e lehtë do të jetë.

• Merrni kohë për veten tuaj. Trajtojeni veten me butësi, mos nxitoni në procesin e shërimit dhe mos prisni të arrini gjithçka që dëshironi menjëherë. Ju mund të ndiheni të vetmuar dhe të izoluar, por kjo do të zgjasë për pak kohë.

• Përqendrohuni në të ardhmen tuaj dhe në atë që ju doni nga e ardhmja, duke i vendosur vetes qëllime afatshkurtra dhe afatgjata.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top