Dëshmi

May 14, 2019 | 10:29

Avni Ponari, profili i një biznesmeni / 20 vjet nga themelimi i kompanisë së parë të sigurimeve SIGAL

Gjithçka për njeriun që themeloi 20 vjet më parë kompaninë e parë të sigurimeve SIGAL, në një mision të pandërprerë dhe ambicioz, si dhe shumëçka për jetën e tij familjare e pasionet.

ponari-1

Për ata që nuk ju njohin, çfarë do të thoshte më shumë zoti Ponari për veten?

Të gjithë e fillojnë intervistën me fjalët, është e vështirë të flasësh për veten, por unë do thoja që, secili ka diçka për të thënë që nganjëherë, njerëzit nuk i dinë, por që janë gjëra që edhe mund të kenë interes. Kam mbaruar gjimnazin në qytetin Bajram Curri dhe kam qenë nga nxënësit më të mirë atje. Në vitin 1976 u largova për të vazhduar shkollën e lartë të Marinës në Vlorë, një nga shkollat më të mira që kishte Shqipëria në atë kohë, ku përgatiteshin njëkohësisht kapitenët, inxhinierët dhe që në atë kohë ishte e vetmja diplomë e njohur në arenën ndërkombëtare. Duke mbaruar atë shkollë m’u dha mundësia që pak e kishin, të udhëtonim edhe jashtë vendit, dhe natyrisht të bënim krahasimin midis asaj që ne jetonim dhe asaj që shikonim. Pa dyshim që ajo ishte një goditje e rëndë dhe shumë e vështirë të përballohej. Disa herë kam menduar që të qëndroj atje, por kurthi ishte shumë i madh. Pasojat mbi prindërit, vëllezërit, motrat ishin të mëdha, dhe kjo na bënte të ktheheshim unë bashkë me shokët e mi. Ktheheshim, por të tjetërsuar duke u ruajtuar ngado që shkonim e me këdo që flisnim. E veçanta ishte se ne bisedonim me njëri-tjetrin si shokë, por të gjithë jetonim frikën e atyre viteve. Atëherë nuk kursehej askush dhe për asgjë nëse lakmonte diçka jashtë kufirit.

E konsideroni veten një biznesmen të suksesshëm?

Nuk e di se çfarë mendojnë të tjerët, unë jam përpjekur të bëj atë që duhet sipas meje dhe natyrisht, në punët që kam bërë dhe bizneset që drejtoj apo që janë në pronësinë time, janë në krye sipas fushave të veprimtarisë apo janë mbi nivelin mesatar. Natyrisht që kjo nuk u vjen përshtat dhe nuk gëzon njeri, pasi xhelozia dhe konkurrenca po bëhen mjet shumë i keq sot, për të gjithë ne që jemi kontribuues në ndërtimin e këtij vendi të stërlodhur.

Kur SIGAL-i u bë pjesë e UNIQA Group Austria, pas duedeligences me një ekip prej 25 vetësh dhe natyrisht ata gjetën një standard mjaft të lartë në kompani. Kjo nuk më gëzoi vetëm mua, por ishte në të njëjtën kohë, një sinjal pozitiv për të gjitha bizneset. “Në Shqipëri ka standard të lartë në bizneset ekzistuese”. Kjo ishte edhe kryefjala e gazetave austriake në 2007- 2008-ën.

ponari-kongresmeni

Cilat janë sipas jush “standardet shqiptare” të një biznesmeni të suksesshëm?

Duhet bërë dallimi midis atyre që kanë para dhe natyrisht atyre që bëjnë biznes. Biznesmen i suksesshëm është ai që ka krijuar një standard të caktuar në një sipërmarrje, dhe një standard social njerëzor në përputhje me kushtet e vendit. Të jesh biznesmen i suksesshëm do të thotë të kesh dhe raporte të suksesshme me punëmarrësit, të përmbushësh detyrimet ligjore ndaj strukturave shtetërore dhe të jesh njeri social e kontribuues në zhvillimin e jetës sociale, sportit, artit e veprimtarive shoqërore. Pra në fund të fundit, të jesh në radhë të parë njeri me virtyte njerëzore.

Jua bëra pyetjen e mësipërme jo pa qëllim. Në publikun shqiptar shpesh fjala “biznesmen” mbart një konotacion të rënduar për shkak se këtë titull të nderuar shoqëror e kanë përvetësuar edhe njerëz që pak kanë të bëjnë me biznesin dhe pasurimin e ligjshëm… Pra si të mundet një qytetar i thjeshtë të dallojë biznesmenin e vërtetë?

Kanë kaluar vetëm 28 vjet që Shqipëria filloi ndryshimet rrënjësore, ose më mirë shtriu hapat drejt ndërtimit të ekonomisë së tregut. Në këtë betejë, disa iu vunë politikës, disa zyrave të shtetit dhe një pjesë jo e vogël, biznesit. Në këtë rrugë pati jo pak që u tërhoqën, por dhe jo pak që janë sot financuesit e buxhetit të Shtetit Shqiptar. Natyrisht, në këtë klimë biznesi dhe biznesmenësh kemi të bëjmë me biznese të mbështetura nga politika dhe biznese që mirëfilltas e ushtrojnë aktivitetin pa asnjë mbështetje apo pa asnjë përkrahje. Kjo është e vështirë dhe natyrisht kjo kategori biznesesh jo vetëm që kanë struktura të rregullta, por edhe janë taksapaguesit më të mëdhenj. Për transparencë le të bëhet transparenca e secilit taksapagues individual për të parë pozicionin e secilit biznes dhe biznesmen në Shqipëri.

ponari-fshb

Pas hapjes Shqipëria dhe shqiptarët nuk kishin asnjë përvojë në të bërit biznes, shteti socialist diktatorial shkatërroi çdo element të pronës private dhe të bërit biznes. Ju si u ndodhët apo si vendosët të bëni biznes?

Të gjithë biznesmenët kanë një arsye të fillimit të të bërit biznes, ka një shkak, dhe përvoja e emrave të mëdhenj në botën e biznesit e tregon këtë. Unë kisha një arsim të lartë ekselent, një profesion që ishte i lakmueshëm dhe që mbetet i lakmueshëm edhe sot, edhe pse është i vështirë, por e doja. Për një fejton në gazetë më nxorën nga Ministria e Mbrojtjes edhe pse isha 33 vjeç, ik më thanë. Dhe u jam mirënjohës, sepse ma krijuan mundësinë të përballesha realisht me jetën. Pastaj janë shumë elementë që bashkohen, familja, integriteti, profesioni dhe shumë faktorë të tjerë që të detyrojnë të zgjedhësh rrugën dhe të kërkosh të mbash dhe të rrisësh përgjegjësinë tënde para familjes dhe shoqërisë. Kjo më detyroi që të dal në tregun e lirë që ishte i hapur për të gjithë, por që disa zgjodhën rrugën e politikës, disa rrogën shtetërore, disa rrugët e emigrimit etj. Më bëjnë përshtypje komentet e disa njerëzve që bëjnë analizat e nxjerrin konkluzione për njerëzit që bëjnë biznes. Ata të gjithë kanë një ngarkesë të jashtëzakonshme. E para është përgjegjësia për njerëzit që kanë në punë, pastaj vjen produkti dhe pozicioni në treg, menaxhimi i administratës është një nga vështirësitë më të mëdha, dhe mbajtja e biznesit. Ata që nuk e njohin nuk e dinë. Ata që vetëm i komentojnë biznesmenët e bizneset në çfarëdo këndi natyrisht që nuk kuptojnë ku kemi qenë, ku jemi dhe ku do shkojmë. Nuk më pëlqen të marr modelin Amerikan të të bërit biznes, sepse ai është modeli i shkëlqyer, je kush je apo kush ishe, nëse prek atë tokë dhe do të bësh biznes jo vetëm ke përkrahje por ke mbështetje nga të gjithë nga i punësuari, nga shteti, nga  kolegu dhe nga të gjitha anët. Këtu mjerisht është e kundërta.

Ju thatë që njeriu zgjedh rrugën më të mirë, por i ndikuar edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm që nuk janë në dorën tënde?

Do të sjell një kujtim të vogël nga jeta ime. Isha vetëm 22 vjeç kur kam dalë për herë të parë jashtë me anijen “Skënderbeg”, anije tregtare 5000-tonëshe dhe udhëtimi i parë ishte për në Maltë, dërgonim çimento. Natyrisht që ishte një ngjarje e madhe atëherë, ishte viti 1980. Bëmë rrugën e parë, dolëm në Maltë me 10 dollarë që kishim dietë për 10 ditë qëndrim, dhe u kthyem me dy gjëra të vogla që blemë. Kur u kthyem në Durrës, Durrësi dukej i zi. Ika pranë familjes dhe në mendje kisha një mendim, që rrugën tjetër do ikja jashtë, por nuk do kthehesha në Shqipëri. Një vendim i vështirë pasi i dija pasojat për familjen, por e mora këtë vendim. Dhe këtë vendim ia thashë babait tim. Më pa, heshti, dhe më tha: “Mirë e ke vendosur”. Po i thashë. “Por me një kusht”,- vijoi ai. “Më merr dhe mua me vete”. Kjo ishte e pamundur. Po kjo nuk bëhet i them unë. “Atëherë pa mua mos ik”,-  më tha babai. Jam i bindur që nëse më thoshte s’ke për të ikur, ose të më kundërshtonte në çdo formë tjetër unë do ikja. Dhe mbas asaj bisede unë e harrova vendimin që mora. Bëra edhe disa rrugë dhe përfundimisht jam këtu, nuk u largova as në ‘91, as në ‘92, as më vonë. Njeriu ka fatin e tij, vetëm se duhet të dijë ta kërkojë dhe ta kapë atë. Sfidat ishin të mëdha natyrisht dhe vendimi për t’u marrë me biznes ishte vendim i vështirë për shumë arsye. Dikush që filloi biznesin kishte lidhjet shtetërore tregtare, dikush thonë u mbështet financiarisht, dikujt u dhanë kredinë që nuk e ktheu kurrë, por një gjë është interesante, asnjë ekonomist nuk pati kurajën të fillojë biznes dhe sot numërohen me gishtat e dorës ata ekonomistë që kanë biznese. Shqipëria, pas hapjes, sipas meje, kishte tre probleme themelore për të konsoliduar. I pari ishte çështja kombëtare, pra pavarësia e Kosovës, e cila ishte pjesë e rëndësishme e këtij tranzicioni të gjatë, që tashmë konsiderohet e realizuar. I dyti, ishte sigurimi i integritetit të vendit, pra pranimi i Shqipërisë në NATO. E treta është konsolidimi i biznesit në tërësinë e tij. Kjo do të thotë ndërtimi real i partneritetit shtet-biznes. Kjo nuk është arritur dhe natyrisht kërkon shumë kohë, pasi formalizmi në shumë raste, është mbytës për pjesën tjetër të biznesit dhe veçanërisht të biznesit real taksa-pagues.

Lidhur me pyetjen që më bëtë më herët, se si mundet një qytetar i thjeshtë të dallojë biznesmenin e vërtetë, nuk është e lehtë të përgjigjesh. Nuk janë makinat që ato përdorin për të klasifikuar klasin e biznesmenit, që mjerisht po bëhet trend alla shqiptar kjo lloj mburrjeje, po nejse, problem i tyre, pasi për biznesmenët nuk kanë vlerë, sepse janë pjesë e mjeteve të tyre të punës, që jo rrallë kanë nevojë për më shumë sy e duar, për të bërë njëkohësisht disa punë. Biznesmenët janë njerëz si të tjerët, por me një vështrim më të largët se pjesa tjetër e shoqërisë, pasi ata mbijetojnë vetëm me ato elementë që parashohin më larg se të tjerët. Të jetosh me elementët e konkurrencës, me egërsinë e një tregu në zhvillim, me struktura të prapambetura mbikëqyrëse dhe me emocionet e vendimeve të paligjshme të një mbajtësi të një karrigeje shtetërore, është e vështirë. Kështu që, natyra e biznesmenit, po ta vështrosh me kujdes, gjatë ditës merr shumë shprehje që mjerisht reflektohen në jetën e tij të përditshme.

 
avni-ponari

Shumë nga lexuesit në reagimet e tyre na shkruajnë shpesh që, përballë problemeve ekonomike të vendit ose problemeve të demokracisë së brishtë shqiptare, ku përfshihet edhe marrëdhënia shpesh e vështirë mes biznesit dhe qeverive, zëri i biznesmenëve shqiptarë është i vakët. E thënë shqip, njerëzit mendojnë që nëse një njeri financiarisht i fuqishëm nuk i kundërvihet një devijimi, ose nuk reagon ndaj padrejtësive të shkaktuara nga politikat e këqija, si mundet ta bëjë këtë një i varfër, apo një rrogëtar? Keni ju si përfaqësues i biznesit një përgjigje për këtë mentalitet le ta quajmë popullor?

Në demokraci të gjithë janë njëlloj, pasi vota është me të njëjtën vlerë, si për biznesmenin, për politikanin, ashtu dhe për njeriun e thjeshtë. Natyrisht, zëri i një biznesmeni është më i rëndësishëm në jetën e përditshme dhe natyrisht biznesi e thotë përmes shoqatave të biznesit, organizmave kombëtare apo ndërkombëtare, por një gjë duhet theksuar, që zëri i biznesit apo biznesmenëve, ka vlerë kur shoqëria e ka vlerësuar atë si krijues të mirash materiale dhe shteti e konsideron partner real në ndërtimin e vendit. Por në jetën e përditshme biznesmenët janë në një sulm alla fshatçe do thoja. Të sulmuar nga politika, të sulmuar nga populli, të sulmuar nga konkurrenca. Shikoni çfarë bën politika dhe opinionistët ndaj biznesit, çfarë denigrimi kolektiv u bëjnë. U thonë oligarkë, u thonë do ju marrim pasuritë dhe do u vendosim taksa të mëdha progresive, dhe në fakt sistemi i taksave i godet ashpër të gjitha bizneset e pa lidhura me politikën. Një parkim para zyrës i kushton një biznesmeni 4.5 milion lekë në vit, pa llogaritur taksat e tjera kur bizneset e tjera të mesme janë shkërmoqur, ndarë në 5 apo 6 biznese për të mos paguar taksat. Po a nuk është më mirë që taksa e parkingut të jetë 1 milion lekë dhe biznesi të punësojë një njeri me këto para, apo është më mirë të punësojë një makinë?! Në pikëpamjen e të bërit biznes gjërat kanë marrë për keq dhe duhen ndryshuar.

Nuk do ndalem sot, pasi kam aq shumë për të thënë. Unë vlerësoj edhe zërin individual të bizneseve shqiptare, apo të përbashkëta përmes shtypit, radios apo TV-ve. Pavarësisht se nganjëherë ato janë deformuar për shkak të interesave të tyre, por në fund të fundit, janë një zë që del nga një opinion i caktuar dhe gjykimi bëhet nga masa e gjerë. Sa për atë që ju mendoni se zëri i biznesmenëve shqiptarë është i vakët, do thoja anën tjetër, është zëri i mediave i vakët. Ato kërkojnë mendimin vetëm tek politika dhe politikanët më shumë për show se sa për të thënë të vërtetat dhe kjo e ka politizuar gjithë jetën e vendit. Një ngjarje ndodh dhe gjithë kamerat i drejtohen politikës, ose mbushin studiot me politikanë që nga kryetar komune, analistë gjoja, e ku di unë, lloj-lloj (politikanësh) dhe nuk i drejtohen njerëzve që në fund të fundit, kanë bërë diçka, kanë krijuar diçka, pasi natyrisht ato kanë një meritë të veçantë dhe janë në gjendje të japin konkluzione të sakta dhe natyrisht vlerësime të sakta për ngjarjen. Zëri i biznesit në media është totalisht i vakët dhe pa asnjë hapësirë për të thënë atë që duhet dhe që ato janë në fund të fundit krijuesit dhe taksapaguesit më të mëdhenj. Dhe natyrisht mund të themi se nganjëherë jemi për ekonomi tregu apo ekonomi socialiste?! Nëse jemi për ekonomi tregu, tregu duhet të thotë fort fjalën e tij.

Po ç’duhet bërë që të ndryshojë mendimi për biznesin?

Jo vetëm për biznesin, sepse nuk është vetëm ai i sulmuar. Ka plot profesione e profesionistë, doktorët, mësuesit e pedagogët, gjyqtarët, prokurorët, policët, pothuajse gjithë profesionet janë denigruar, një frymë populiste diku i mban ndezur dhe i shtyn. Pra nuk po ndërtojmë dot klasën e biznesmenëve, sepse ato janë nën akuza të përditshme dhe shtresën e mesme që edhe ato janë nën akuza. Ndërtojmë ekonominë e tregut dhe sulmojmë ata që e udhëheqin atë. Kjo nuk shkon, duhet urgjent të fillojë era e ndryshimit ndaj kësaj kategorie që sot është e rrezikuar  dhe e sulmuar.

Sa e vështirë është të bësh biznesmenin në Shqipëri?

Vërtet shumë. Politika ikën dhe vjen dhe xhelozia e atyre që vijnë është e paparë dhe nuk duhet nënvleftësuar. Ajo që të merr më shumë kohë është menaxhimi i strukturave shtetërore, madje po ta bësh një ndarje të kohës, drejtuesit dhe biznesmenët, pjesën dërrmuese të kohës e kalojnë duke menaxhuar zyrtarët dhe jo duke zhvilluar ide për biznesin. Kjo kohë e humbur vjen vetëm pas informatizimit të gjithçkaje dhe kur secili ka të përcaktuar detyrat e veta dhe bën punën e vet. Vetëm gjatë vitit 2018 ka pasur mbi 12 kontrolle në kompaninë time në Shqipëri dhe kanë marrë pjesë deri në 10 vetë në kontroll. Në Maqedoni ka pasur një kontroll vetëm 30 minuta dhe vetëm një njeri. Pse? Duhet një intervistë tjetër e gjatë për ta shpjeguar.

 

ponari-sigal-staf

Jeni President i Federatës së Basketbollit, President i Shoqatës së Siguruesve, anëtar bordi në disa dhoma tregtie dhe keni angazhim të madh në biznes në 3 shtete: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Sa e vështirë është të kryeni gjithë këto angazhime njëkohësisht?

Natyrisht kërkohet angazhim shumë i madh për drejtimin e bizneseve të mia në të tri shtetet, gjithashtu edhe përgjegjësi për secilën nga këto detyra që janë honorifike dhe kanë vetëm shpenzime financiare. Por mua më japin kënaqësinë e angazhimit dhe kontributit tim për komunitetin. Duke qenë President i Federatës së Basketbollit, ndjej nga afër dëshirën e atyre që e duan basketbollin dhe kjo më jep adrenalinën e duhur jo vetëm t’i ndihmoj, por edhe të jem mbështetës i tyre kudo ku janë. Është e vështirë të menaxhosh klubet e sportit, por ia kam dalë me kujdes edhe pse në kushtet e Shqipërisë është sfidë më vete. Ndërsa si Konsull Nderi i vendit të tretë në botë për zhvillimin ekonomik, Japonisë, jo vetëm që është nder, por nga ana tjetër është përgjegjësi ndaj vendit dhe ndaj mbështetjes së çdo të interesuari për Japoninë dhe investimet e saj në Shqipëri.

Flitet shpesh për masat që duhet të marrë qeveria për të ndihmuar biznesin, por situatat përsëriten, duket që zgjidhjet nuk janë afatgjata. Si i konsideroni marrëdhëniet e biznesit shqiptar me qeveritë?

Nuk jam dakord që duhen marrë masa për të ndihmuar biznesin nga shteti, por themelore është që shteti të përcaktojë rregulla që të mos e pengojnë biznesin. Biznesi ka nevojë të ketë hapësira të zhvillojë aktivitetin dhe të ketë frymëmarrje. Natyrisht, një sistem taksash i rregulluar dhe jo i inatosur ndaj biznesit nevojitet. Ekonomia jonë e brishtë dhe biznesi ynë shumë i brishtë, kërkon edhe kohë, edhe mbështetje, edhe përgjegjësi shtetërore.

Mendoni se Shqipëria është një vend i mirë për investime?

Po patjetër. Madje do të thoja që është më i miri në rajon, sepse është vendi im dhe do të dëshiroja të investoja në çdo cep të tij. Ajo që kërkohet është ndërtimi i politikave zhvilluese të ekonomisë në çdo cep të Shqipërisë. Le të marrim një shembull dhe të shkëmbejmë një ide. Zonat malore po mbeten shumë të varfra dhe njerëzit po i drejtohen metropolit. Nëse zhvillohet një politikë më racionale ose më e mirë fiskale, duke mundësuar investimet në këto zona, bie fjala përjashtime nga taksat për 10 apo 20 vjet, atëherë do kishim plot hotele në Valbonë, në Theth, në Voskopojë, në Lurë, etj, etj. Këtu duhet të synojë shteti me politika mbështetëse e favorizuese. Gjërat po rregullohen, por me një burokraci jo të tolerueshme për biznesin. Le të shohim industrinë financiare jobankare. Ekspertët e quajnë fytyrën e vërtetë të ekonomisë së tregut. Sigurimet janë në një situatë mjaft të keqe, 30 euro për frymë në vit. Pensionet private nuk kanë fare frymëmarrje, bursa nuk ekziston akoma. Do bëhen thonë. 28 vjet tranzicion janë shumë për biznesin. Që do bëhet dihet, po kur, kjo nuk dihet.

Dhe në fund të kësaj pjese të parë z.Ponari, një pyetje që ju bëhet kudo në botë biznesmenëve kur intervistohen. Si e bëtë milionin e parë?

Nuk di për cilin milion pyesni, në lek apo në monedha të tjera. E kam thënë edhe në një interviste tjetër. Deti më lidhi me Italinë në vitet ‘90. Me para borxh bleva Peugeot-in e parë. Atëherë jetoja në Lezhë. Ishte një Peugeot i bardhë më duket, 3005 me benzine dhe këtu zë fill biznesi im. Mund të them që ishte makina e parë private që kishte hyrë në Lezhë. Fati e solli që unë të jem edhe përfaqësuesi i PEUGEOT në Shqipëri më vonë. E thashë në fillim gjërat sikur janë të shkruara.

Familja…

familja-ponari-3

Cila është familja e zotit Ponari?

Kam një djalë dhe një vajzë. Të dy kanë mbaruar universitetet në Angli. Janë kthyer në Shqipëri, jetojnë me shqetësimet e mia të biznesit dhe janë pjesë morale, pavarësisht se po punojnë në drejtime të tjera. Shkëputja nga Shqipëria u kërkon atyre të bëjnë lidhjet e reja dhe të integrohen me ambientin këtu. I vlerësoj shumë, nuk kanë pasur asnjë shqetësim dhe jetojnë jetën normale të qytetit të Tiranës.

Meqë po afron stina e verës, ku do t’i kaloni pushimet? Brenda apo jashtë Shqipërisë?

Pushimet e biznesit janë pushime me telefon në vesh, aq sa unë bëj “sherr” me familjen time, më shumë me gocën, e cila nervozohet kur më shikon që bisedoj. Vendi im i preferuar është Rana e Hedhun në Lezhë dhe do thoja që është vendi më i mirë në Shqipëri për pushime. Nuk e di, s’ka marrë akoma emrin e saj, por do vijë një ditë që do jetë shumë i lakmuar si vend. Vetëm 70 km nga Tirana është. Ka gjithçka përveç infrastrukturës. Le të presim!

Po t’u jepej mundësia, a do largoheshit nga Shqipëria për të jetuar diku tjetër?

Ju thashë që kam pasur mundësi të largohem herët nga Shqipëria, kur isha 20 vjeç dhe nuk u largova. Më pëlqen Shqipëria, e dua ashtu si e mendoj, por nganjëherë mërzitem. Sidoqoftë është vendi më i mirë në botë.

Si është dita e zotit Ponari?

Dita ime është e ngarkuar dhe programuar. Në përgjithësi jam në punë para punonjësve të mi dhe kuptohet, largohem shumë më vonë pas tyre. Më pëlqejnë ata punonjës që janë korrekt, kur unë jam dhe nuk jam në zyrë. Për shkak të shumë ngarkesave që ka biznesi i sigurimeve, jam gjithë ditën i ngarkuar dhe natyrisht ka shumë gjëra për të bërë. Ajo që më pëlqen më shumë në punën time është mirëkuptimi me njerëzit që kam afër dhe punoj me ta prej  20-25 vitesh. Kuptohemi fare thjeshtë dhe natyrisht punët ecin normal. Drekën e ha në SIGAL, pasi kemi restorantin tonë dhe drekat janë gjithmonë dreka pune.

Impenjimet që keni u mbajnë shumë kohë larg familjes. U mungon koha për të qëndruar më shumë me të?

Këtu qëndron edhe kontradikta ime, madje nganjëherë më thonë Workholic, dhe sherret këtu fillojnë. Për çdo biznesmen mendoj se është një nga pikat e dobëta, pasi puna të kërkon orar e pa orar. Dikur, mbaj mend, gjithë punët bëheshin nëpër kafene, tani po rrallohen shyqyr, njerëzit janë kthyer në zyra dhe gjërat kanë ndryshuar. E diela në përgjithësi është për familjen, ndërsa e shtuna është ditë pune. Mirë nuk është, por ja që jemi në tranzicion. Ngadalë ne po kalojmë edhe vendet më të zhvilluara për pushimet që kemi. Një ditë u tregova punonjësve të mi sa ditë ligjore pushimi kemi, dhe doli që kemi rreth 200 ditë pushime zyrtare në vit. Nuk jemi të përgatitur për kaq pushime ne akoma mendoj unë.

Botuar në revistën “Psikologjia”, numri 143

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top