“Nëse keni planifikuar të dërgoni fëmijët jashtë vendit tek të afërmit tuaj, për pushime apo në kampe verore, policia kufitare do t’u ndalojë fëmijëve qarkullimin, nëse ata nuk do të jenë të shoqëruar nga prindërit ose të afërmit e tyre”.
Dhjetëra fëmijë kthehen dite pas dite nga të gjitha pikat kufitare pas çdo kontrolli rutinë, pasi një Urdhër i Ministrisë së Brendshme, disiplinon lëvizjen e lirë të fëmijëve në këtë rast, duke caktuar kufizimet përkatëse për këtë qëllim.
Për këtë arsye, shumë fëmijë “djegin” pushimet, kurset verore, shkollat e gjuhës, mundësinë për t’u takuar me njërin nga prindërit apo me të afërmit e tyre jashtë vendit, duke djegur sakaq padrejtësisht dhe një pjesë të buxhetit të familjeve të tyre, në të gjitha rastet kur ata nuk mund të shoqërohen nga prindërit apo të afërmit e tyre.
“Për shkak të masave që organet kompetente po marrin kundër azilkërkimit në vendet e Bashkimit Europian”, sqarohet në këtë Urdhër nga ana e MB. Një Urdhër i cili sjell çdo ditë konfuzion e penalizon dhjetëra fëmijë, të cilët duhet për një mori arsyesh të lëvizin jashtë vendit, ditë pas dite.
Një Urdhër që nuk zgjidh “problematikën” kurrsesi, ndërsa vë në lëvizje prindërit e gjithë të interesuarit, të gjejnë forma e mënyra për të kaluar fëmijët jashtë kufirit, duke rritur pse jo dhe mundësinë për korrupsion.
E në fakt, disa fëmijë “ia dalin” të kalojnë matanë kufirit, ndërsa shumë të tjerë jo.
Veç pak minuta përpara fluturimit, në mënyrë të përciptë e shpesh të paqartë, personat përgjegjës në pikat kufitare, u sqarojnë fëmijëve dhe personave që i shoqërojnë, “arsyet” e kthimit të tyre.
Padrejtësisht është vendosur të penalizohen fëmijë që janë të detyruar nga dhjetëra rrethana të mos lëvizin jashtë vendit me prindërit, shpesh dhe pa të afërm, nga një Urdhër i cili rezulton i pakonsultuar me grupet e interesit apo me profesionistë të fushës këtu, i cili nuk ofron asnjë zgjidhje, përkundrazi.
Nuk mësoi askush nga të interesuarit, në u krye apo jo një studim për këtë shkak dhe çfarë elementesh rezultuan të dëmshëm paskësaj?
Si rezultuan të provuara rastet e braktisjes pas studimit, me shoqërues familjarë apo me të tjerë shoqërues?
A solli ndryshime ky kufizim, apo nuk u mor më njeri me këtë pjesë pas daljes së këtij urdhri?
A ia vlejti në fakt të penalizoheshin dhjetëra fëmijë e familje njëherësh për këtë shkak apo pati e solli më shumë manovra e korrupsion, sesa rezultat?
Solli ndryshim në fakt ky penalizim apo më shumë konfuzion e ngatërresa sesa zgjidhje të mirëfilltë?
Këtë nuk e thotë askush, për fatin tonë të keq.
Pse nuk u vlerësua në këtë rast dhe dëshira dhe vullneti i fëmijëve lidhur me shoqëruesin, apo në rastet kur ai nuk pranon të udhëtojë me të afërmit?
Po në rastet kur fëmija për arsye shëndetësore apo për shkak të aktiviteteve të ndryshme duhet të udhëtojë doemos jashtë vendit, duhet kufizuar rishtas pse nuk shoqërohet me të afërm???
A mund të penalizohen në këtë formë qindra fëmijë, që për dhjetëra arsye nuk mund të udhëtojnë me prindërit apo me të afërmit jashtë vendit?
Si mund të dënosh këtë kategori fëmijësh, të mos pushojë, të shkollohet apo të vizitojë të afërmit në çdo rast, vetëm për faktin se prindërit e tyre për dhjetëra arsye nuk mund t’i shoqërojnë?
Është fare e lehtë të vendosësh në Kodin Penal, sanksione të rrepta për këto raste, për prindërit dhe shoqëruesit e fëmijëve, në çdo rast të konstatimit të shpërdorimit të këtyre të drejtave, por kurrsesi të pengosh lëvizjen e lirë.
Kufizimi i lëvizjes së lirë të fëmijëve është vendosur në këtë rast duke cenuar standardet bazë të lëvizjes së lirë, përfshirë këtu dhe të drejtat e fëmijëve si dhe të përfaqësuesve ligjore apo familjeve kujdestare të tyre, duke u mohuar këtyre të fundit në mënyrë arbitrare aksesin dhe të drejtën që u njeh ligji, për të vepruar brenda tagreve përkatëse, në emër dhe për llogari të fëmijëve, ç’ka do të thotë që prindi kufizohet në këtë rast padrejtësisht të zgjedhë shoqëruesin e fëmijës, pas këtë e vendos shteti.
Lëvizja e fëmijëve jashtë vendit, bëhet e mundur në çdo rast veç me marrëveshjen e dy prindërve (me një deklaratë të posaçme redaktuar përpara noterit) e në mungesë të saj për arsye të posaçme apo specifike, me vendim të posaçëm gjykate.
Në këtë kontekst, dhjetëra dispozita në ligjet respektive, normojnë dhe garantojnë të drejtat e fëmijëve të inkorporuara në akte të rëndësishme, si K.Civil, K.Penal, K.Familjes si dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, akti themeltar i shtetit, i cili adreson gjithashtu orientime bazë për çështje që kanë lidhje me fëmijët dhe kujdestarët ligjore të tyre, ndërsa të gjitha këto norma së bashku, unifikojnë rregulla bazë me qëllim garancitë gjithëpërfshirëse në aspektin e mbrojtjes së të drejtave eksplicite të fëmijëve, duke normuar në mënyrë të drejtpërdrejtë sakaq dhe detyrimet përkatëse të prindërve dhe organeve kompetente këtu.
Legjislacioni shqiptar si dhe aktet e ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.