Të jesh prind është një ndjenjë e mrekullueshme. Kur një baba i ri mban fëmijën e sapolindur kupton për herë të parë se sa shumë jeta e tij është gati të ndryshojë. Sigurisht, foshnjat janë një burim i gëzimit dhe vënë në provë ekuilibrin tonë emocional. Do të vuani mungesën e gjumit, stresin mendor e fizik të të qenit prind i ri, por përballja me këto emocione të ndihmon të ecësh përpara. Është fakt që atësia jo gjithmonë jetohet në rrethana ideale. Bota jonë është duke ndryshuar dhe të jesh prind sa vjen e bëhet më e vështirë. Unë ende besoj thellësisht se përkundër të gjitha këtyre sfidave, të bërit prind mbetet një nga aventurat më të mëdha që një njeri mund të jetojë. Të kesh një fëmijë është një dhuratë e çmuar dhe shpërblimi më i madh është kur të dëgjoni për herë të parë fjalën “Ba…ba”. Ndaj, mbajeni mend shprehjen e psikiatrit amerikan Frank Pittman, i cili thotë: “Djemtë që i frikësohen të bërit prindër, nuk e kuptojnë se babai nuk është roli që kryejnë në mënyrë të përsosur, por diçka që përsos burrat”.
PËR HERË TË PARË BABA
Lorik Cana – Emocionet për ndjenjën e parë të atësisë ia dhuroi Boiken, djali nga martesa me italianen Monica. Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana është bërë baba në fundshtatorin e vitit që lamë pas. Statusi i Canës u shoqërua në rrjetet sociale me shkrimin: “Mirë se erdhe Boiken!!! Ndjenja më e bukur e jetës sime”. Cana, i cili së fundmi është transferuar në ekipin francez të Nantes, ka kurorëzuar dashurinë me modelen italiane dy vite më parë në Prishtinë.
Alban Skënderaj – Vajza e çiftit të këngëtarëve erdhi në jetë më 28 nëntor, në ditën e festës së Flamurit, duke shtuar shumëfish dozën e krenarisë dhe gëzimit. “Ditën e lindjes së vajzës time e festojnë të gjithë shqiptarët! Nuk mund të isha një njeri më i lumtur në jetë. Nuk ka bekim më të madh se një fëmijë. Ameli ju uron të gjithëve Gëzuar Festën e Flamurit”, shkroi Albani në profilin e tij, duke postuar edhe një foto të dorës së të voglës me të dhënat e lindjes, e cila gjendej e sigurtë mes dy pëllëmbëve të prindërve, Miriam Cani e Alban Skënderaj.
Salsano Rrapi – Aktori i humorit është bërë për herë të parë baba. Partnerja e tij, po ashtu aktore, Eriona Kakeli, ka sjellë në jetë një vajzë. Çifti edhe këtë herë është treguar “tradicional”, pasi e kanëruajtur me fanatizëm privatësinë e foshnjës dhe të tyren gjithashtu.
Kledi Kadiu – Balerini i famshëm u tregua një baba modern. Ai nuk ka mundur të përmbahet nga emocionet dhe pavarësisht besëtytnive ka hedhur në rrjetin social “Facebook” një foto të familjes së tij të re. Ai nuk ka ngurruar që të bëjë publik imazhin e parë të vogëlushes, të cilën së bashku me partneren e tij Charlotte Lazzari e kanë pagëzuar me emrin Lea.
Përgatiti: Anisa Xhani
Botuar në revistën Psikologjia nr. 104
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.