Aktualitet

July 6, 2021 | 15:09

“Baba, ne ikëm… Shtëpinë e braktisëm”, emocionet e një jete në poezinë e Petrit Rukës, vargjet që prekën çdo shpirt

Poeti dhe kineasti i njohur Petrit Ruka ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 67-vjecare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Petrit Ruka u bë i njohur qysh me vëllimin poetik “Atdheu fillon tek zemra”, i cili mori çmimin kombëtar në vitin 1983. Prej atëherë ai ka botuar mbi 10 vëllime të tjera me poezi dhe disa dhjetëra skenarë filmash, dokumentarë e monografi.

1

Petrit Ruka ka zënë vendin e vet në letërsinë shqiptare si një nga poetët më të mirë të saj. Me ikjen e tij letërsia shqiptare humbet një nga burimet e mëdha të saj, që vazhdonte të mbante gjallë poezinë shqiptare.

 Më poshtë sjellim një prej poezive të tij:

 

Baba ne ikëm…

Nga Petrit Ruka

 

Baba, ne ikëm

Shtëpinë e braktisëm…

Një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota

Dhe foton tënde nga muret e zbritëm

Si dryn një palë lot vendosëm tek porta…

 

Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë

Në metropole që mblidhen si punë e iriqve

(E ke parasysh kur e vjelin një pemë

Dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!)

 

U ngjeshëm këtej nëpër halle të reja

E humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën

Gjithçka e gatshme në dyqane luksoze

Dyqan psikologu, që të kallais dhe zemrën…

 

Ne ikëm dhe varrin ta kyçëm në një video

Të dielën të takojmë në xhamin vizual

Me mend i vemë lulet, dy lotë, një cigare

Jetojmë me simbole,…në një botë me manual.

 

Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete

Tani ne gjithçka e mbajmë në një kuti,

Kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,

Në xhamin e tij takon çdo njeri..

 

Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasëm,

Puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent

Dhe nënën e qan nga mijera kilometra

Kur e fusin në varr, me video konferencë.

 

Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë

Këtu lart u ndamë për jetë e për mot

S’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,

Qëllova i dobët dhe mbytem në lot.

 

Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,

Nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi

Një kohë arixhinjsh jeton sot gjithë bota

Iki edhe thur kanistra pikëllimi…

 

(BalkanWeb)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top