Sot baballarët kanë ndryshuar. Janë më të disponueshëm, krahasuar me dhjetëvjeçarët e shkuar, për të përgatitur biberonin e bebit apo për të ndërruar pelenat. Sondazhet thonë se 53.4% e burrave e shfrytëzojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre të lirë për fëmijët. E megjithatë, figura e babait mbetet themelore në rritjen e fëmijës: “I pranishëm ose jo, i aftë ose jo, është një pikë referimi që ndihmon në krijimin e identitetit të fëmijës së vet”. Nevojitet pra t’u lëmë hapësirë baballarëve…
Cili është roli i babait në zhvillimin dhe edukimin e fëmijës? Studimet që kanë analizuar ndikimin e prindërve në sjelljet dhe edukimin e fëmijëve, shpesh kanë lënë pas dore dhe në vend të dytë rolin e babait. Tani, një studim i bërë pranë Brigham Young University (BYU) është fokusuar në ndikimin që stili i edukimit të baballarëve ka në sjelljet e fëmijëve, duke treguar se si prindi mashkull mund të luajë një rol vendimtar në favorizimin e zhvillimit në moshën e adoleshencës. Me termin rol vendimtar nënkuptohet ndikimi i tij që lidhet me kokëfortësinë dhe vendosmërinë që fëmija të përmbushë objektivat në jetë.
Autorët e këtij studimi të gjatë, Laura Padilla-Walker dhe Day Randal, profesorë të BYU kanë arritur në këtë përfundim pasi studiuan 325 familje për disa vjet. Nga vëzhgimet e bëra ata mundën të shihnin sesi ruajtja e këmbënguljes si rezultat i stilit edukues autoritar të babait, ishte e lidhur me një rritje të përkushtimit shkollor dhe me nivele për të ulëta të rrugaçërisë. Profesoresha Padilla-Walker nënvizon se studimi, rezultatet e të cilit u botuan në “Journal of Early Adolescence”, nxjerr në pah rolin e veçantë që baballarët mund të kenë në edukimin e fëmijëve, duke treguar se këmbëngulja – e konsideruar si një dimension emotiv që përfaqëson çelësin e suksesit në jetën e fëmijës – mund të mësohet në jetë.
Karakteristikat për të vënë në praktikë këtë stil “autoritar” janë tre:
• Fëmija ndjen dashurinë e babait
• Babai është i prirur t’i shpjegojë arsyet mbi të cilat krijohen rregullat
• Fëmijës i garantohet niveli i duhur i pavarësisë
Sipas këtij studimi, ndikimi i baballarëve te fëmijët e tyre lidhet me një performancë më të mirë shkollore dhe me nivele më të ulëta të sjelljeve rrugaçërore. Fëmiët e përfshirë në këtë studim ishin të moshës 11-14 vjeç dhe jetonin me të dy prindërit. Studiuesit, megjithatë, nënvizojnë që edhe adoleshentët që jetojnë vetëm me njërin prind mund të përfitojnë nga një stil edukativ që favorizon këmbënguljen. Sipas Laura Padilla-Walker: “Baballarët duhet të vazhdojnë të jenë të përfshirë në jetën e fëmijëve të tyre dhe të përkushtohen në ndërveprime cilësore, edhe pse sasia e këtyre ndërveprimeve mund të jetë më e pakët për shkak se ata mund të jenë të ndarë.”
Prania e babait është e nevojshme në çdo moshë
Psikologët e sintetizojnë rolin e babait në tri etapa bazë të rritjes
Foshnjëria: me praninë e tij, babai pret në mënyrë simbolike kordonin ombelikal, duke lejuar që i vogli të shkëputet nga nëna për të ndërtuar, hap pas hapi, ekzistencën e vet.
Fëmijëria: babai nxit kapërcimin e kufijve, duke e shtyrë fëmijën drejt horizonteve të reja dhe stimulon kureshtjen. Paralelisht e përball me realitetin, duke e bërë të dalë nga iluzioni se është i gjithëfuqishëm.
Adoleshenca: babai luan një rol të rëndësishëm në identitetin seksual të fëmijës. Për djemtë është personi me të cilin identifikohen dhe përballen. Për vajzat është ai që duke u hedhur një vështrim mashkullor, i siguron për feminitetin e tyre.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.