Mirëqenie

December 29, 2015 | 14:42

Bakllavaja… “mbretëresha” e natës së Vitit të Ri!

Bakllavaja me arra, lajthia ose stika të mbështjella me petë të holla brumi, me sherbet të ëmbël, mjaltë dhe erëza, të cilat shfaqen në shumë forma dhe shije, mbetet ëmbëlsira e preferuar në shumë anë të botës. Prej shumë vitesh tashmë, traditë e natës së ndërrimit të viteve në Shqipëri,  bakllavaja mbetet “qershia mbi tortë” e festës së Vitit të Ri.

1

Të gjithë e dëshirojnë në Mesdhe, Lindjen e Mesme dhe në Ballkan, dhe kjo është mjaft e kuptueshme. Shumë popuj e përvetësojnë dhe e gatuajnë sipas zakoneve dhe vetive të zonës. Ndër më të zjarrtit janë grekët, turqit, boshnjakët, shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, maqedonasit etj.

Por si ka ardhur në shekuj bërja e bakllavasë, Gisht kanë shumë popuj. Të parët që kanë gatuar bakllavanë konsiderohen Asirianët, mandej hapin e parë revolucionar në gatimin e saj e kanë bërë grekët e lashtë.

3

Një gjë është e sigurt, bakllavaja është e përkryer në kuzhinat e pallatit Topkapi, gjatë kohës së perandorisë Osmane. Ka qenë ëmbëlsira e preferuar e Sulltanit. Rëndësia e saj nuk është vetëm se konsiderohet si simbol i pasurisë dhe i të sofistikuarës, por edhe për faktin se vlerësohet si traditë shtetërore. Parada e bakllavasë, e cila ka filluar nga fundi i shekullit 17 dhe fillimi i shekullit 18, është shembull për atë traditë. Kur ushtarët morën pagën e tre muajve nga Sulltani, u përgatit edhe ushqim, dhe në ditën e 15 të Ramazanit gostitën me bakllava. Në ditën e 15 të Ramazanit, Sulltani shkoi të shohë pelerinën e të dërguarit të Zotit, Muhammed, e cila ruhet në pallatin Topkapi dhe atëherë jeniçerët u gostitën me bakllava, nga një pjatë për 10 ushtarë. Më vonë, kjo traditë u shndërrua në paradë.

Në shtëpitë e familjeve myslimane, pavarësisht në ishin të pasur apo të varfër, bakllavaja është ëmbëlsira kryesore , tradicionale për festën e Bajramit.

2

RECETA

Për 10 persona duhen:

1/2 kg bajame të qëruara

400 g gjalpë

40 g kanellë

40 g karafil

1 kg petë bakllavaje

PËR SHURUPIN:

1/2 kg mjaltë

700 g sheqer

1/2 l ujë

aroma të ndryshme

Mënyra e gatimit

I përvëlojmë me ujë të nxehtë bajamet dhe u qërojmë cipën (po të duam nuk ua heqim, por i hedhim ashtu siç janë) dhe si t’i thajmë duke i fërkuar pak me një pecetë, i shtypim ose i presim me thikë.  Shtypim njëkohësisht kanellën bashkë me karafilin, pastaj vëmë gjalpin të shkrijë në zjarr. Marrim një tepsi të përshtatshme, të llogaritur me shtresat e petëve, e lyejmë mirë me gjalpë dhe shtrojmë në të, dy petë bashkë, lyejmë sipërfaqen e petës me gjalpë dhe hedhim mbi të disa thërrime bajamesh e pak pluhur erëzash (kanellë e karafil). Shtrojmë mbi to një petë tjetër e, si ta lyejmë me gjalpë, hedhim përsëri mbi të bajame dhe kanellë. Vazhdojmë pastaj duke shtruar nga dy petë e mbi to një shtresë bajame, duke pasur parasysh se, më në fund, do të shtrohen përsipër 3 petë, të lyera me gjalpë, por pa shtresë bajamesh mbi to.

Së fundi lyejmë mirë me gjalpë edhe sipërfaqen me majën e një thike të mprehtë. Maja e thikës duhet të futet derisa të cikë petët e fundit e të shkojë pa ndërprerje deri në fund të çdo vije, por cipat të mbeten të bashkuara njëra me tjetrën. Gjithashtu, petët nuk duhet të ngjeshën gjatë heqjes së vijave, prandaj thika duhet të jetë e mprehur mirë. Pasi ta kemi përgatitur në këtë mënyrë, tepsinë e vëmë në furrë me nxehtësi mesatare, që bakllavaja të piqet për afro një gjysmë ore. E lëmë pastaj të ftohet pothuaj krejt dhe vetëm atëherë i hedhim përsipër shurupin, e jo kur është ende e nxehtë.

Përgatiti:Orjona Tresa

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top