Biseda me veten fillon kur je e gatshme ta dëgjosh zërin tënd të brendshëm, kur ndalon së vrapuari dhe pyet veten si je, si po ndihesh?
Kur bie në kontakt me veten, kur bashkëbisedon me të, sigurisht që ti po kryen një akt dashurie ndaj saj. Po e dëgjon mesazhin që do të japë. P.sh. truri na jep sinjale kur është mbingarkuar dhe ti e ke në dorë për ta çlodhur atë në shumë mënyra.
Trupi na flet kur diçka nuk shkon si duhet. Thjesht duhet të ndërgjegjësohemi për ta dëgjuar këtë gjuhë të brendshme, këtë sistem të ndërtuar mrekullisht, që na tregon për gjithçka.
Bashkëbisedimi me veten gjithashtu të ballafaqon me shumë konflikte personale, të cilat nga nxitimi apo arsye të tjera i anashkalojmë. Duke i vetëkopsitur problemet, ti aftësohesh dhe merr energji për të vazhduar më tej. Në këtë mënyrë kjo të ndihmon në organizimin e ideve dhe vendosjen e qëllimeve, të cilat vihen në funksion të përmbushjes vetjake.
E ke pyetur ndonjëherë veten çfarë dëshiron më shumë të bësh apo të kesh? Çfarë të fal ty kënaqësi? Po ia jep vetes privilegjin e të qenit i lumtur?
Pyetje të tilla të ndihmojnë që t’i ridimensiosh energjitë personale, pasi të fokusojnë ty, tek thelbi yt, te gjërat që do më shumë. Sill shpesh ndërmend se jeta është shumë e shkurtër dhe të gjithë jemi kalimtarë të përkohshëm. Ndaj fliti vetes me pozitivitet e dashuri, motivoje atë, relaksoje, jepi mundësi çlodhjeje, mos e mbingarko. Atë do e kesh deri në fund të udhëtimit tënd. Ndërto dhe zhvillo këtë formë sjelljeje me veten. Është e këshillueshme të formohet si zakon. Nuk ka rëndësi nëse bashkëbisedon me veten që në mëngjes, gjatë ditës apo para gjumit. Mjafton që të jesh në kontakt me të, pasi kjo mënyrë sjelljeje e lehtëson ditën tënde.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.