Psikofakt

January 20, 2017 | 8:23

Bashkëjetesë me dhunën

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Mesa duket media nuk do të mbarojë ndonjëherë së publikuari lajme dhune. Dhuna si fillim fshihet pas mureve të shtëpisë, vazhdon në rrugë, dhe gjendet në bankat e shkollës. Faktikisht ngjarjet me përmbajtje dhune klikohen më së shumti nëpër portale. Duket sikur kjo shoqëri është e etur për pamje të tilla që realisht janë të frikshne. Çuditërisht nga ana tjetër modelet e dhunës kritikohen më shumë nëpër media, por vazhdon ende të jetë zgjidhja jonë e parë në raste konfliktesh.

Po përse ka kaq shumë dhunë?

Të zgjohesh në mëngjes me orarin fiks se duhet të vraposh për punë. Të shtyhesh me njerëzit për të hipur në autobus. Të durosh shefin në punë. Të kesh frikë se nesër punën e ke të pasigurt. Të menaxhosh paratë çdo fillim muaji. Të jesh i papunë dhe të lëvizësh kuturu. Të gjitha këto veprime krijojnë mendje dhunuese. Dhunuese ndaj vetes si fillim, sepse vetë stresi dhunon zemrën, lodh trurin dhe vret dëshirën për të jetuar.

Ndaj çdokujt prej nesh i ka ndodhur me shumë së një herë të nevrikosemi aq shumë sa të donim të përplasnim diçka në tokë, ta ndjenim tek zhurmonte dhe të shfrynim dufin e brendshëm. E gjithë kjo zgjat vetëm për disa minuta. Por këto minuta mund të bëhen të përjetshme, nëse ne në vend që të përplasim diçka në tokë, kemi dhunuar dikë. Një shuplakë ndaj dikujt do të thotë që ke hyrë në një të ardhme me dhunë. Ai dikush që dhunove, diku do të dhunojë sërish. Funksionon tamam si zinxhiri ushqimor tek kafshët.

1

Kur do mbarojë dhuna?

Dhuna nuk mund të këtë kurrë fund, sepse ajo ka forma të ndryshme. Jo vetëm shpulla është e frikshme për një fëmijë. Edhe dhuna psikologjike dëmton së tepërmi. Imagjinoni një vogëlush që rritet gjatë gjithë kohës me idenë se ai nuk di, nuk mundet, sepse i thonë qullash. Kjo dhunë psikologjike ka vrarë të ardhmen e tij. Ndaj dhuna po fshihet tek ne, madje po lulëzon fare pa e kuptuar. Madje edhe kur nuk po dhunojmë dikë, ne mund të dhunojmë edhe veten me dëshirën për të patur më shumë, për të fituar më shumë para, për t’ja kaluar fqinjit, për t’ja hedhur shokut.

Fatmirësisht me kalimin e kohës diçka kemi kuptuar: dhuna duhet dënuar. Nuk është edukator i mirë ai që ofendon. Nuk është shok i duhur ai që grushton. Si dhe as prindit nuk i falet dhuna ndaj fëmijës së tij. Madje prindërit kanë rolin më të madh. Nuk quhesh prind vetëm kur lind fëmijë e pret ta edukojë shkolla dhe rruga. Nuk quhesh prind kur mëson djalin të dhunojë dhe të përdorë fjalë fyese. Nuk quhesh prind, nëse nuk i mëson fëmijës edukatën primare.

Ka me qindra arsye pse jemi shoqëri dhunuese, por pak shpresa për ta zhdukur atë. Të paktën ta zbutim dhunën duke menduar për të ardhmen e brezit të ri.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top