Margarita Kristidhi. Një nga pianistet me emër të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe pedagoge e jashtme në Akademinë e Arteve të Bukura
I ka qëndruar besnike imazhit të saj… pa bërë asnjë ndryshim që mund ta bënte të pendohej më pas… Nuk ka kërkuar kurrë të humbasë asnjë tipar të portretit të dikurshëm, me të cilin identifikohet dhe sot. Ashtu bionde, me flokët e gjatë me forma, elegante, e veshur sport, xhins dhe lino, një shall të lehtë rreth qafës për të zbutur paksa ndryshimet e moshës… Në fakt, është një kujdes që pianistja Margarita Kristidhi është përpjekur ta bëjë pjesë të përditshmërisë duke treguar vëmendje jo vetëm për pamjen, por dhe të respektojë vitet që mban mbi supe. Aty fshihen vlerat e vërteta të artistes, e cila edhe pse 73 vjeç është po aq e dallueshme me Bebin që dikur mbahej si femra më e bukur dhe tërheqëse e Tiranës… Madje, ajo është konsideruar si një model të cilin shumë gra të tjera e kanë ndjekur gati me fanatizëm, ku preferencat për ndërhyrjet plastike apo botoxet që sot janë bërë të modës në funksion të një bukurie të përjetshme, as që i kanë pasur në mend. Në fakt për Bebin, pianisten dhe pedagogen me energji të pashtershme, çdo imazh ka vlerat dhe rëndësinë e vet, në të mirë të asaj që mund të quhet respekt vetjak dhe një gjendje shpirtërore pozitive.
Sa e rëndësishme është për ju paraqitja e jashtme?
Për të gjitha kategoritë e femrave, të rejat apo të moshuarat, ka shumë rëndësi pamja e jashtme. Nuk jam për një paraqitje të jashtëzakonshme por për kujdesin që një femër duhet të tregojë për veten. Nganjëherë më thonë “Ti Bebi mbahesh shumë”, por unë them “Kujdesem, sesa mbahem”. Mosha bën të vetën. Sigurisht që po t’u futem detajeve, mendoj që një grua duhet të jetë e rregullt, e krehur (kurrë e pa krehur), edhe kur ka një punë afër shtëpisë, apo diçka fare të zakonshme, gjykoj që nuk duhet të dalë e pa kuruar. Ka gra që nuk kanë kohë të bëjnë flokët, manikyrin e pedikyrin, por kujdesi i plotëson këto boshllëqe. Madje, unë jam e mendimit se edhe në shtëpi, një grua duhet të jetë e rregullt dhe jo sepse është në shtëpi dhe duhet të neglizhojë.
Sa ju ka ndihmuar pamja e jashtme në profesion?
Shumë ka ndikuar. Të qenit i rregullt tregon respekt për veten, tregon atë çfarë ke në shpirt, çfarë mendon, si sillesh. Dhe nëse kjo pasqyrohet edhe në mënyrën sesi vishesh, është akoma më mirë. Besoj se syri i studentëve të mi është më kritik se ai i të rriturve apo bashkëmoshatarëve. Kujdesi për veten më ndryshon shpesh edhe gjendjen shpirtërore, humorin e ditës. Nëse një grua shtëpiake deri në drekë nuk ka kohë të merret me veten, sepse merret me impenjimet e shtëpisë dhe më pas i kushton rëndësi pamjes, besoj se është gjithë pasditja përpara e ngrohtë dhe me diell… gjithmonë pasi i ke kushtuar vëmendje vetes.
Ju njiheni si personazh me look të njëjtë ndër vite dhe që identifikoheni menjëherë. Mendoni se ky është një tregues personaliteti?
Shpeshherë takoj shokë që me kohë nuk i kam parë. Të them të drejtën më vjen pak mirë (megjithëse nuk e besoj deri në fund) kur më thonë: “Oh, nuk ke ndryshuar fare”. Kjo nuk është e vërtetë, por mosha dhe brezi ynë flasim të gjithë pozitivisht. Ka plakje të ndryshme. Ndonjëherë është moskujdesi për veten, ndodh të jetë edhe gjenetike, nganjëherë është edhe jeta që bën në familje. Nëse i jep vetes kohë që të dalësh, të shkosh diku në një shfaqje a koncert, të dielave të mos rrish në shtëpi duke bërë punë, sepse medoemos duhen bërë… është një lloj terapie pozitive që ndihmon në pamjen e jashtme. Nuk kam bërë kurrë dieta, por kam treguar kujdes në mënyrën e të ushqyerit. Ndoshta sepse nuk kam “neps” siç thotë populli, nuk ha shumë… nëse shtoj 2-3 kile nuk ndihem mirë me veten, nuk eci dot, nuk lëviz lehtësisht nga vendi dhe në këtë drejtim tregohem shumë e kujdesshme që të marr kaloritë e nevojshme, por që nuk më dëmtojnë në peshën trupore. Pleqëria vjen dhe duhet pranuar. Dhe nëse me këtë gjë që ndodh nuk vuan shpirtërisht, këtë e dëshmon edhe shprehja e fytyrës apo portreti që ke. E kam pritur me qetësi një rrugë nëpër të cilën kanë ecur të gjithë.
Të qenit besnike ndaj imazhit tuaj të pandryshueshëm ndër vite, mund të shihet si një shenjë e vetëvlerësimit që keni për veten? Një shenjë sigurie për atë çka jeni?
Ka shumë rëndësi. Pasi u shkëputa shumë shpejt nga jeta koncertore (kështu rrodhën ato vite pasi bëra disa koncerte në Çeki), kjo më bëri të largohesha pak nga pasioni im… nuk mund të them që pasioni im i madh ishte pedagogjia. Në vitet e para `90-ës ishte paradoks që të vinte dikush e të dëgjonte teksa luhej piano, ishte paradoks. Kjo gjë mund të kishte influencuar në gjendjen time shpirtërore, mund të më kishte mbyllur në vete, por më pas mendova: sa shumë njerëz ka në këtë botë që nuk realizojnë dot ëndrrat e tyre. Unë pata publikun tim, i prisja, më prisnin. Tani vazhdoj të jap mësim, çka më vë në lëvizje, dal nga shtëpia, përgatitem për leksionet, lexoj e shfletoj literatura… sigurisht, kjo është një mënyrë e mirë për të treguar kujdes për veten dhe për t’u paraqitur denjësisht në ambientet ku shkel.
Çfarë mendoni për femrat e ekranit që dëshirojnë të paraqiten gjithnjë e më shumë ndryshe para shikuesve. Cila mendoni se është origjina e kësaj nevoje?
Varet nga profili ku janë vendosur. Një folëse paraqitet ndryshe, një prezantuese pasdite ndryshe… në mëngjes po ashtu. Këtu nuancat nuk i gjej ndonjëherë, dhe është fatkeqësi, sepse ne kemi modelet e huaja që janë kaq pranë nesh… mund t’u referohem televizioneve italiane, që një folëse nuk vesh dekolte shumë të hapur, apo nuk vendos bizhuteri, sepse ka momente kur transmetohen lajme të trishtuara dhe kjo nuk shkon. Faktori i dytë është koha. Nëse është mëngjes, drekë, darkë, duhet të ketë një veshje të caktuar për çdo orar. Për shembull, në një prej emisioneve të mëngjesit prezantuesja është shumë e ëmbël, shumë e komunikueshme, por vishet me të zeza në një ambient kuzhine. I mban flokët e lëshuara ndërkohë që duhet të njohë ngjyrat e ndezura, të na japë gëzim.
Sipas jush, pse ekziston kjo nevojë për ndryshim të vazhdueshëm? Mos vallë është e pavetëdijshme për t’u ndjerë e plotësuar?
Tani figurat televizive, ndryshe nga më parë, janë shumë më mirë, të krehura, të veshura. Gradualisht, disa folëse që linin për të dëshiruar, janë përmirësuar në imazh ndjeshëm, janë më të bukura, të rregulluara mirë. Kur zgjedhin një spikere, duhet që ajo të paktën të ketë një gojë të bukur.
Meqenëse ju nuk bëni pjesë në këtë kategori femrash, do të thotë se ndiheni mirë me veten tuaj dhe e përmbushur maksimalisht?
Kam një nip që bën lifting dhe më thotë shpesh “eja të të bëj 10 vjet më të re”. Nuk jam dakord me këtë gjë. Ndoshta artistet e ekranit e kanë më të nevojshme, sepse duhet që të mbulojnë defektet e tyre, por për një grua normale mund jetë një gjetje jo shumë e spikatur. Sepse është shikimi që plaket, dhe ai shikim në një lëkurë e fytyrë pa asnjë rrudhë… më pas duart, qafa… të gjitha tradhtojnë moshën. Mendoj se të tilla trajtime duhet të bëhen me shumë kujdes.
Për ju është i rëndësishëm imazhi i jashtëm te një femër apo vlerat njerëzore që ajo ka? Si e gjejnë këto dy elemente ndërthurjen tek ju?
Nëse një grua nuk ka bukurinë vizuale, por ka shpirtin, ka vlera njerëzore, ajo bëhet menjëherë e bukur, mjaft të shikosh dashurinë që transmeton. Nëse i ka të dyja, ajo është idealja për mua. Unë s’kam qenë kurrë e bukur, asnjëherë… kam qenë tip sportiv, bëja shumë sport, gara me çiklizëm, kam luajtur tenis, not… këto më kanë mbajtur gjallë dhe kanë bërë të ruaj fizikun dhe pamjen deri diku.
Psikologji Janar 2011
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.