Marrëdhënie

April 30, 2016 | 6:30

Behar Gjoka: Thembra e Akilit… të flasim për gjithçka me fëmijën

Asnjëherë nuk ka tentuar t’i imponohet së bijës me zgjedhjet e tij! Përkundrazi! I ka besuar verbërisht aftësive të saj. Nuk i ka qëndruar si çekan mbi kokë, as kur ajo mësonte për orë të tëra dhe ngrysej mbi libra… as sot kur ajo është përballë një vendimi të rëndësishëm që mund të vulosë të ardhmen e saj profesionale. Marrëdhënia që studiuesi Behar Gjoka ka krijuar me vajzën e tij maturante, Blertën, është një nga ato të veçantat, që nuk ka krahasime, por që mbi të gjitha është ai raporti unik mes një babai dhe vajzës së tij.

Deri në ç’moshë i keni qëndruar mbi kokë vajzës?

Ne më shumë bisedojmë si shokë të mirë, që do të thotë se aq sa i rri unë mbi kokë, po aq më rri edhe ajo mua. Me një fjalë, deri më tani nuk ka qenë nevoja që të shkëputemi. Megjithatë, prindi, pra edhe unë, e ka të vështirë dhe mezi e kupton që fëmija po rritet ose është rritur, dhe për një mijë arsye nuk e pranon këtë fakt, çka shndërrohet në njëfarë konflikti. Mbarimi i adoleshencës, e cila ka raste që vjen shpejt, por edhe mund të zgjasë, për mua mbaron koha e bezdisë, duke i qëndruar mbi kokë.

Sa i pranishëm keni qenë gjatë mbarëvajtjes studimore të saj?

Niveli i shkollës shqiptare, e dimë se ku është. Përmbysjet e teksteve dhe programeve mësimore, ndërrimi i paarsyeshëm i mësuesve, e ka bërë të domosdoshme që të mos i rri larg, gjithnjë në kuptimin e një përvoje didaktike e metodike, por edhe si një kënaqësi e bisedës, sepse ka gjasa të kuptosh botën dhe interesat e saj. Jam përpjekur që t’i jap çelësat (metodikën) e shmangies së vështirësive nga njëri cikël në tjetrin, por edhe nga njëra klasë në tjetrën, sepse ka vështirësi të prekshme.

Si e keni menaxhuar kohën me të, duke marrë parasysh orët e studimit, orientimit në letërsi, histori etj?

Së pari, kam respektuar mësimdhënësit, pavarësisht nivelit dhe lëndës, por më tepër ka pasur biseda rreth problematikave të vështira, të lëndëve shoqërore, histori, gjeografi dhe njohuri shoqërore, e sidomos në letërsi. Së dyti, duke respektuar dijen dhe personalitetin e Blertës, sepse po mungoi ky aspekt është i vështirë komunikimi me grupmoshën, por edhe me çdo njeri të zakonshëm.

Deri në ç’pikë e keni ndihmuar?

Nuk mund të flitet për ndihmë në kuptimin më të ngushtë të kësaj fjale, pra për të bërë detyrat a diçka tjetër, por në komunikimin e vazhdueshëm për të gjitha problematikat që ka sjellë koha, sepse shkolla ka një mision të vështirë, të japë dije dhe të përgatisë qytetarët e ardhshëm.

Po komunikimi juaj me profesorët? I keni ndjekur për të kuptuar dy anët e medaljes?

Prej natyre jam kureshtar dhe aktiv. Në të gjithë udhën e bërë nga klasa e parë e deri në maturë, për shumë nga problematikat e klasës, madje edhe të shkollave ku ka studiuar, jam përpjekur të kuptoj vështirësitë dhe sakrificat e mësimdhënëseve, por nuk duhet harruar nga askush, që qendra e shkollës është nxënësi si objekt dhe subjekt, si njeri dhe karakter që duhet respektuar, në mënyrë që të kemi paksa më shumë qytetari nesër. Të dështosh duke mësuar, kjo është njëfarë filozofie ku prindi, nxënësi dhe mësuesi do të duhet ta kuptojnë e mirëkuptojnë njëri-tjetrin. Madje, të dështosh jo në kuptimin maksimal të kësaj fjale, do të thotë të rritesh, do të thotë të zbulosh botën, që të rrethon si dhe vetveten, çka në fakt është një mister, që nuk është shpjeguar plotësisht gjer më tani.

Si e menaxhoni ju një krizë të tipit super-ngarkesë mësimesh tek vajza?

Thembra e Akilit, me çdo njeri, e sidomos me nxënësin ose fëmijën, është biseda, duke i besuar dhe duke folur hapur për gjithçka, pra duke shmangur të gjitha tabutë e mëparshme. Kriza e tillë, sipas idesë sime, është fiktive dhe e tejkalueshme, por mbase thyerja e besimit, mungesa e komunikimit normal, krijon pasigurinë dhe krizën që nuk dihet se çfarë pasojash krijon. Njihe dhe situatën dhe vepro më qetësi, pavarësisht ngarkesave që bart. Do të qe gabim i pafalshëm, qoftë për mësuesin, po ashtu edhe për prindin, që të mbërrinte puna deri aty, sa të humbasim dëshirën për një lëndë ose edhe për shkollën në përgjithësi, e cila çon në një mbyllje të paimagjinueshme, në humbje të komunikimit.

Po tani që vajza është në prag të fakultetit, sa pjesëmarrës jeni në zgjedhjen e paramenduar të vajzës, apo jeni tërhequr?

Është moment jo i lehtë për nxënësin, prindin dhe arsimtarin. Nxënësi vendoset nën presionin e notave, si dhe të sugjerimeve të panevojshme, sidomos kur imponohen. Nga ana tjetër prindi, i tmerruar nga fakti se këtu merr udhë fati i fëmijës, lëshon klithma, shumicën e herëve të panevojshme. Mbase nuk do të më kuptoni. Blerta ka një prirje për ta analizuar dhe interpretuar letërsinë, sa ka raste që më vë në pozitë të vështirë, por shumë kohë më parë i jam lutur të mos ndikohet nga fakti që unë merrem me letërsi. Pra, m’u desh që t’ia largoja një ëndërr mashtruese, me njëfarë mundi, me pikësynimin që ta kërkojë vetë, tek vetja, atë çfarë i pëlqen dhe mund të bëjë në jetë. Nëse do të më pyesë nga jeta dhe përvoja ime, diçka do t’i them, por vetëm si një sugjerim, që edhe mund të mos merret parasysh.

Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top