Moaza Al Matrooshi, 24-vjeç është femra e parë, që pas një menopauze të parakohshme, për shkak të talasemisë ka sjellë në jetë një fëmijë. Al Matrooshi ka lindur në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ajo i është nënshtruar kimioterapisë për të trajtuar këtë çrregullim vdekjeprurës të gjakut (talasemi beta), që kur ishte nëntë vjeçe.
Terapia është rraskapitëse dhe shanset janë që të dëmtohen vezoret, por mjekët vendosën që t’ia hiqnin ato para se të fillonin trajtimin dhe t’i mbanin të ngrira.
Vitin e kaluar kirurgët danezë i bashkangjitën indet në vezoren e saj të majtë, e cila ishte dobësuar nga kimioterapia. Pas një trajtimi të sukseshëm me IVF ajo lindi një djalë në spitalin Portland, në Londër, të martën.
“Është si një mrekulli. E kemi pritur kaq gjatë këtë rezultat, një fëmijë të shëndetshëm. Gjithmonë kam besuar se do të behem nënë. Nuk rreshta së shpresuari dhe tani kam këtë fëmijë. Është një ndjenjë e papërshkrueshme”, është shprehur ajo.
Sipas mjekëve, realizimi i një misioni kaq të vështirë, është një hap tepër i madh për të gjitha gratë me sëmundje gjaku, imuniteti apo kancer.
“E dinim se transplanti i vezores funksionon te femrat në moshë më të madhe, por s’do ta kishim besuar kurrë se mund të merrnim inde nga një fëmijë, t’i ngrinim dhe t’i ngjiznim sërish”, tregon e gëzuar gjinekologia Sara Matthews.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.