Nëna, vajza, motra! Mbrohuni nga kanceri i gjirit! Zbulimi sa më herët ju shpëton jetën! Prek, kontrollo dhe shiko të gjitha pjesët e gjirit, afër gjirit dhe pjesët e nën sqetullave. Është normale për gjinjtë tuaj që t’i ndjeni të fortë dhe të dhimbshëm
para menstruacioneve. Kanceri i gjirit mund të kurohet, mjafton të zbulohet në kohë.
Disa mënyra për të zbuluar në kohë kancerin e gjirit:
• Vetëkontrolli i gjirit mund të ndihmojë në njohjen e problemeve të mundshme. Duke filluar nga mosha 20 vjeç, bëjeni zakon kontrollin mujor të gjinjve. Kontrolli bëhet disa ditë pas mbarimit të periodave.
• Kontrolli i gjirit te mjeku, duke filluar nga mosha 25 vjeç. Bëni vizitë të gjinjve te mjeku çdo 3 vjet dhe pas moshës 50 vjeç çdo vit. Mjeku i familjes do t’ju këshillojë nëse keni nevojë për ekzaminime të tjera, përfshirë MAMOGRAFI, EKOGRAFI TË GJIRIT etj.
• Mamografia bëhet pas moshës 50 vjeç çdo 2 vjet.
• Eko e gjirit, nëse mjeku specialist shikon diçka ndryshe në gjirin tuaj.
Nëse vini re ndryshime në gji si: Kokërr, ënjtje, skuqje, ndryshime të formës,
gropëzime, rrudhosje të lëkurës, plagë tërheqje të thumbit apo rrjedhje të tij, si dhe çdo lloj ndryshimi tjetër: SHKONI MENJËHERË TE MJEKU I FAMILJES
APO KONSULTORI I GRUAS!
Roli i psikologut
Ai është këshilluesi më i mirë terapeutik për pacientin e prekur nga kanceri i gjirit. Trajtimi para dhe pas ka shumë rëndësi në ecurinë e pacientit. Gjatë diagnostikimit, e sëmura nuk duhet të humbasë besimin për jetën. Sigurisht që lodhja fizike do të shfaqet mbas ndërhyrjes kirurgjikale, por pas disa ditësh jeta duhet të kthehet në normalitet, si dikur më parë. Rikthimi në punë, shkollë, jetën sociale, të gjitha aktivitetet e mëparshme nuk duhen lënë pas. Sigurisht që, gjatë kësaj rruge dalin
pikëpyetje, dyshime, frikë, pasiguri për të ardhmen, por nuk duhet t’u dorëzohemi atyre. Përkundrazi, duhet të ndërrojmë kapitull dhe të vazhdojmë përpara, duke e jetuar jetën akoma më shëndetshëm dhe të mbushur me shumë dashuri dhe aktivitete zbavitëse. Psikologu qëndron në krah të të gjithë rrugëtimit të pacientes së prekur nga kanceri i gjirit që nga momenti i diagnostikimit e deri në trajtimin e sëmundjes.
Psikologu e nxit atë të flasë, të mos heshtë, por të tregojë çdo gjë që ajo ndien dhe po
e përjeton në trupin dhe mendjen e saj. Kjo bën në njëfarë mënyre që, pacientja të tregojë çdo brengë që atë e vret. Frika e gjymtimit, çrregullimit trupor dhe tronditja e ndjesisë së identitetit shfaqet në çdo grua të prekur. Në këtë rast, psikologu është aty
për të mbështetur çdo çrregullim të humorit, gjumit apo humbjes së kontrollit, është aty për ta drejtuar në rrugëtimin e trajtimit me sukses të sëmundjes. Për t’i rikujtuar pikat e saj të forta, familjen, fëmijët, prindërit, të afërmit, punën, shoqërinë. Çdokush nga ne ka një pikë të fortë për të cilën jeton, rizgjoje atë. Me anë të këshillimit dhe mbështetjes emocionale, psikologu arrin ta bindë pacienten të besojë dhe luftojë për ta mundur sëmundjen. Kjo punë voluminoze arrihet së bashku me stafin mjekësor dhe familjarët e tyre. Psikologu nxit gruan të bisedojë me të afërmit, me shoqet e dhomës,
por në asnjë mënyrë ta krahasojë veten me tjetrin. Gjithashtu, psikologu të fokuson në modifikimin e raportit me kohën që duhet t’i japësh vetes, rikuperimit dhe rikthimit në jetën e mëparshme dhe aspak izolimit. Perceptimi i sëmundjes shtrihet dhe tek të afërmit, të cilët e vuajnë po njëlloj ndikimin e diagnostikimit tek i afërmi i tyre. Ata shfaqin ngurtësi emocionale dhe afektive. Familjarët janë shumë të rëndësishëm në ecurinë e sëmundjes së pacientëve. Ata duhet të japin kontributin maksimal të ndihmesës së tyre. Pas fitimit të betejës, pra shërimit (fizik, psikik dhe social) të kancerit të gjirit, nuk duhet lënë pas bilanci i kontrolleve të rregullta.
“Askush në thellësi të vetvetes nuk e mendon vdekjen e tij, në pavetëdije secili nga ne është i bindur për pavdekësinë”, Freud.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.