He-ccesion e ka quajtur në ditët e sotme gjendjen e individit mashkullor, një organizëm social kanadez. Dhe më mirë se kaq nuk ka përcaktim për gjendjen e individit mashkullor, kur mendon se në Perëndim janë plot 80% e meshkujve, të cilët kanë humbur punët e tyre. Në një shikim të thjeshtë, kjo të duket si larg, por edhe fare afër me Shqipërinë, ku mungojnë statistikat për strukturat dhe fenomenet sociale, ndërsa dihet se ka një papunësi që ka prekur pjesën më të madhe të popullsisë. A është kjo një nga aspektet që e ka prekur identitetin tonë mashkullor? Besoj se po. Për shumicën e grup-moshave që jetuan socializmin, figura mashkullore muskulore e individit ishte shprehje e vitalitetit të regjimit dhe prosperitetit të tij. Pak a shumë në të gjithë përfytyrimet tona, babai, identifikimi ynë kryesor i këtij atributi, duhet të ishte i fortë, i përfshirë në një punë të mirë dhe të ishte i nderuar. Një mishmash gjendje socialiste-disi vendete. Dhe, modeli nuk mund të mendohej assesi ndryshe. Ai ishte në pankarta, në punën e artistëve, në fjalët, në gjithçka. Madje, edhe në figurën femërore, maskiliteti i saj shihej si atributi kryesor, që tregonte se ia vlente. Personalisht, për shkak të mungesës gati të përhershme të babait në shtëpi, më shumë figurën e tij mashkullore e dyzoja përmes udhëtimeve që ai bënte në të gjithë Evropën dhe “bëmave” të tij, që i dëgjoja përmes të tjerëve. “Aventura” e tij ishte dhe ajo që mendoja dhe ajo që më bënte të diferencoja individualitetin tim nga të tjerët. Në thelb s’ishte aq e lehtë. Shumica e shokëve i kishin baballarët në shtëpi dhe modelet e mia shabllone binin ndesh me atë të shumicës së fëmijëve, për të cilët baballarët ishin gjithnjë të pranishëm. Jo pak herë rrëfimet e mia të kursyera, ishin absurde për ta. Baballarët e tyre ishin të prekshëm, ndryshe nga pjesa ime, që dukej abstrakte. Kjo largësi me kohë bëri që të më duhej instinktivisht zëvendësimi i një identiteti tjetër mashkullor. Ajo me kalimin e viteve e kaloi atë të babait dhe u përhap në një si mjegullinë. Duhet të ketë qenë udhëkryq i madh ky moment. Rruga ime “e re” për të arritur, të themi një individualitet mashkullor që mund të vlerësohej, ishte sporti. Me të cilin unë lidha vite të tëra të jetës sime, duke gjetur në muskujt dhe në dinamikën që të induktonte sporti, format sesi do mund t’i prezantohesha shoqërisë. Vetëm se edhe këtu kishte një paradoks. Në mjediset sportive që ushtrohesha, në shumicën e rasteve gjendeshin fëmijë me gjendje jo të mirë ekonomike e të dobët intelektualisht, dhe modelit tim, tashmë i duhej të luftonte me modele vërtet të arrira sportive, por që asnjëherë nuk përbënin një figurë të arritur. Mungonte të themi pjesa intelektuale, e cila e bënte këtë individualitet edhe më të brishtë me muskujt. Nga adoleshenca, figura e babait iku gjithnjë e më larg. Ajo që mendonte Frojdi për instalimin e figurës së babait në çdo qendër të qenies sonë, dukej se ishte e pamundur. Në këtë kohë përmes leximit dhe vëzhgimit pashë se dimensionit të identitetit mashkullor, përveç forcës, i duheshin edhe shumë atribute të tjera. Disa prej tyre, që “de jure” vlerësoheshin, “de facto” nuk pranoheshin ose kishin kosto shumë të shtrenjtë. Ishte pikërisht kjo pjesë e fundit, e cila mori pjesën time të adoleshencës dhe e orientoi drejt figurave vetmitare, që luftonin me kurajë, duke pasur parime që pak njiheshin mes shqiptarëve. Ata ishin nëpër libra, por tek-tuk gjendeshin dhe nëpër Tiranë. Në shumë raste mbijetesa e tyre ishte krejt spontane. Ata e rrezatonin fizikisht, moralisht dhe e nderonin identitetin mashkullor me sjelljet e tyre të kursyera. Ajo që kuptova me kalimin e kohës ishte se, ky lloj identiteti mashkullor kishte nevojë që mbijetesën e tij dhe ekzistencën brenda llojit ta kuronte edhe me një lloj dinjiteti. Kjo e fundit m’u rrënjos në kokë në atë kohë nga disa personazhe, shumica e të cilëve nuk janë në jetë dhe që i kam njohur personalisht. Në një farë mënyre, aktet e tyre vetmitare përballë shoqërisë kanë qenë ngushëllimi, të themi moral, në kohën e krizave të natyrshme të rritjes në periudha të ndryshme. Sot, në një sistem tjetër, bashkë me të kanë shkuar dhe janë krejt të ndryshme shumë vlera, morale, etike të së shkuarës. Figura e babait ka humbur në brezat e rritur në post-komunizëm, ashtu si po krijohet një identitet “i ri” tek brezat e lindur pas ’90. Në një farë mënyre, ne jemi ende në kërkim të një forme alternative, që të tregojë si duhet peshën tonë në jetën reale, e cila për fat të kohës nuk mund të mendohet, në shumë raste, e pavarur nga ajo femërore. Kjo do të thotë që mashkulli i kohës sonë me muskujt e fortë, që dikur i fitonte gjërat gati me “përdhunë”, tashmë të jetë me vështirësi pas një perdeje të pakalueshme, të vrasë shumë mendjen sesi të fitojë, por mbi të gjitha të mbijetojë me rregullat e shekullit të XXI, që do të thotë të përshtatesh me të gjitha mundësitë dhe t’i shpëtosh atyre karakteristikave të personazheve të Simpsonit, ku meshkujt e familjes janë gjithnjë dembelë e të papërgjegjshëm, përndryshe femrave që kanë atribute të mira. Me pak fjalë, he-cession-i i kohës së sotme na rri si shpata e Demokleut ne meshkujve shqiptarë më së pari.
Botuar në revistën Psikologji, Nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.