Çfarë të bëjmë kur gjithçka e shëndetshme mbetet në mes të rrugës dhe fëmijët e gjejnë ngushëllimin tek ëmbëlsirat apo vetëm tek një lloj ushqimi? Apo edhe më keq – kur nuk duan ta provojnë fare atë që është në pjatë? A është ky një problem shëndetësor apo shprehje e kapërcimit nga një fazë në një tjetër zhvillimi?
Një fazë që kalon, apo një problem fiziologjik?
“Iiih, nuk e ha supën!”, “Dua të pi vetëm Cola!”, “Nuk më pëlqen gjella, dua makarona!”, – pjesës më të madhe të prindërve i tingëllojnë të njohura shprehje të tilla. Dhe pjata e gjellës së gatuar me dashuri mbetet e paprekur, ndërsa frika për mosmarrjen e kalorive të duhura i shtyn nënat drejt sobës për të vënë shpejt në zjarr ujin e makaronave. Po çfarë të bëjmë kur gjithçka e shëndetshme mbetet në mes të rrugës dhe fëmijët e gjejnë ngushëllimin tek ëmbëlsirat apo vetëm tek një lloj ushqimi? Apo edhe më keq – kur nuk duan ta provojnë fare atë që është në pjatë? A është ky një problem shëndetësor apo shprehje e kapërcimit nga një fazë në një tjetër zhvillimi? Për fat të mirë, në pjesën më të madhe të rasteve mungesa e dëshirës për të ngrënë produkte apo gatime të caktuara nuk është një problem me shkaqe organike si sëmundje, alergji apo çrregullime të oreksit. Shumë fëmijë kalojnë faza “të vështira” kur bëhet fjalë për ngrënien. Shpesh këto probleme manifestohen veçanërisht atëherë kur fëmijët kalojnë nga një mënyrë të ushqyeri në një tjetër (p.sh nga qumështi në ushqime më “të forta”), ose kur ndryshon lloji dhe ambienti rrethues i gatimit (nga gjellët e mamit dhe gjysheve në kuzhinat e kopshtit, shkollës etj). Sa më qetësisht të reagojnë prindërit dhe sa më pak rëndësi t’u jepet këtyre “nazeve”, aq më shpejt kalojnë dhe harrohen ato. Gjithsesi, të dhëna të ndryshme në vendet e industrializuara dëshmojnë se 15-20% e të gjithë bebeve dhe fëmijëve të vegjël shfaqin probleme të lehta deri të mesme të të ushqyerit, ndërkohë që 3-7% vuajnë nga probleme të rënda shëndetësore.
Çfarë kuptimi ka e ngrëna për fëmijët?
Marrja e ushqimit është një nevojë themeltare njerëzore, pra diçka e natyrshme – një ritual i përditshëm i bashkëjetesës me ata që na rrethojnë, i lidhur ngushtë me ndjesi dhe kënaqësi trupore e shpirtërore. Tek fëmijët e ngrëna gërshetohet në një masë edhe më të madhe se tek të rriturit me ndjesitë: ajo përbën një mjet shumë të rëndësishëm të kontaktit dhe komunikimit me botën e jashtme. Për një bebe pirja e qumështit të gjirit do të thotë jo vetëm ngopje, por edhe forma e parë e komunikimit me nënën. Fëmijët e vegjël kuptojnë shpejt se çfarë ndikimi ka e ngrëna për t´u ndier mirë. Me kalimin e viteve janë pikërisht vaktet ushqimore ato që e ndajnë ditën në pjesë të ndryshme, gjë që do të thotë se e ngrëna është më shumë se një marrje e thjeshtë e ushqimit. Ndaj dhe në situata të vështira fëmijët reagojnë përkundrejt të ngrënit në një mënyrë më të dukshme se të rriturit. Ajo që ndodh në këto raste është një lloj “çmësimi” për të dëgjuar dhe për t´iu përgjigjur si duhet sinjaleve të brendshme trupore. Duket se fëmija dëshiron të komunikojë diçka, të cilën nuk mund ta tregojë dot me mënyra të tjera. Kur problemet (si ato në tabelën e mëposhtme) manifestohen për një kohë të gjatë, ky më së shumti është një sinjal që do të thotë se kërkohet të balancohet diçka tjetër: një problem i rëndësishëm shpirtëror. Mospranim i ushqimit-Protestë e heshtur, p.sh kur fëmijët ndihen të stresuar nga mjedisi që i rrethon Ngrënie me shumicë-Reaksion ndaj ankthit dhe mungesës së sigurisë Dëshirë vetëm për gjëra të ëmblaNgushëllim ndaj zhgënjimeve apo humbjeve
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.