Për t’i shpëtuar përndjekjes naziste në Gjermaninë e vitit 1936, familja Shvart emigron në Shtetet e Bashkuara, në një qytezë në periferi të Nju-Jorkut. Babai, një ish-mësues në shkollë të mesme, i nënshtrohet së vetmes punë që mund të gjejë: varrmihës dhe mbikëqyrës i varrezës. Aktet e dhunshme raciste mbi familjen Shvart në Amerikën e vitit 1940 e vështirësojnë edhe më shumë mbijetesën e tyre. Paragjykimi lokal dhe brishtësia emocionale e vetë familjes Shvart çojnë në një tragjedi të paimagjinueshme, ku e bija varrmihësit, Rebeka Shvart, mbetet jetime që e mitur. Pas tragjedisë, ajo fillon aventurën e saj nëpër Amerikë, e përfshirë në një odise të jashtëzakonshme e të rrezikshme erotike, në një vorbull misteri dhe zbulimi të vetvetes. Por, teksa Rebeka përpiqet të gjejë rrugën e saj në shoqëri, duke fituar legjitimitet përmes martesës dhe mëmësisë, e shkuara e ashpër dhe e pashmangshme, ndërhyn në një mënyrë a në një tjetër. Bija e varrmihësit është një roman për identitetin dhe sfidat me të cilat përballemi për të triumfuar në të shkuarën tonë dhe për të fituar pranimin e të tjerëve.
Bija e varrmihësit është romani i 36-të i Joyce Carol Oates-it. Ngjarja e romanit është bazuar në jetën e gjyshes së saj. Oates-i shpjegon se vendosi të shkruante për familjen e saj vetëm pasi i vdiqën prindërit (në vitin 2000 dhe 2003), duke shtuar se “historia e familjes ishte e mbushur me xhepa heshtjeje. M’u desh të përdorja shumë imagjinatë për ta rikrijuar”.
Bija e varrmihësit u botua në vitin 2007 dhe është përfshirë në listën e librave bestseller në gazetën New York Times. Romani gjithashtu ka qenë nja nga librat finalistë, kandidat për çmimin National Book Critics Circle Award në prozë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.