Aktualitet

May 24, 2023 | 8:30

Bledar Çakalli, piktori i muraleve që zëvendësoi shkarravinat raciste dhe banale me heronjtë kombëtarë në Urën e Dajlanit (video)

 

Nga Orjona TRESA

 

Ura e Dajlanit, një vepër jetëgjatë historike, ekonomike dhe kulturore ndërtuar në vitin 1914, pas rindërtimit, përfunduar në vitin 2003, u konceptua nga jodashamirës si një tabelë shfryrjeje, për të shkarravitur çdolloj banaliteti. Që nga mbishkrimet raciste në gjuhën serbe, deri tek çdolloj shpifësire që e shëmtonte në çdo faqe të saj këtë vepër të madhe në fushën inxhinierike në Ballkan. Sot, asaj po i rikthehet faqja, falë mbështetjes së një aktivisti të shoqërisë civile, piktorit Bledar Çakalli. Prej më shumë se një muaji, gjithkush ka kaluar në këtë korridor rrugor që lidh Durrësin dhe Portin Detar me veriun, jugun dhe qendrën e Shqipërisë, nuk mund të ketë udhëtuar pa vënë re angazhimin pozitiv të artistit.

b-3

Mjetet e punës janë të vendosura në rendin e tyre në trotuar, janë aty kutitë e bojërave, lapsat dhe penelat po ashtu, skeletët për të nisur një proces për realizimin e veprave në sipërfaqet e mureve, të pastruara më herë nga vetë ai, piktori. Kjo është një iniciativë e madhe, sepse janë jo pak, por 12 kilometra rrugë.

Bledari është një artist që ndjenjës patriotike i ka dhënë forcën edhe pushtetin e penelit të tij, për t’i shndërruar faqet e 8 kolonave mbajtëse të Urës së Dajlanit, në një hapësirë tërheqëse dedikuar figurave historike të kombit tonë.

b-2Mbretëresha Teuta, Pirroja i Epirit, mbreti Bardhyl i Dardanisë, Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Adem Jashari, Nënë Tereza dhe plot figura të tjera pritet të realizohen nga Bledar Çakalli. Në fillim të sezonit turistik gjithçka do të jetë gati, dhe Ura e Dajlanit do të marrë pamjen e një mozaiku historik arti, i cili që gjatë procesit ka marrë miratimin e të gjithë njerëzve që e kanë parë.

 

INTERVISTA

Kur përfundon e gjitha?

Para sezonit turistik do jetë çdo gjë e përfunduar.

b-1

Sa kuadro ke përfunduar deri tani dhe sa figura të tjera pritet të plotësosh?

Tek pjesa e pikturës jemi gjatë përfundimit, ndërsa tek pjesa e fshirjes së mbishkrimeve jemi tek Lagjja 17 dhe 13, është zona e plazhit ku duhet ndërhyrë.

 

Është një hapësirë shumë e madhe?

Janë 12 kilometra rrugë.

b-2

Ju jeni aktivist i shoqërisë civile për mbrojtjen për çështjen kombëtare njëkohësisht dhe artist, piktor. Sa të ka përmbushur kjo ide për kaq sa figura ke realizuar deri tani dhe cili ka qenë opinioni i kalimtarëve?

Duke e ditur se në Shqipëri ka shumë pak informacion për historinë, sidomos atë të ilirëve, të flitet për të, ia nisa prej historisë së ilirëve me mbretëreshën Teutë, Pirron e Epirit dhe Bardhylin, mbretin e Dardanisë, por që kam vendosur figurat kryesore të historisë tonë kombëtare. Normalisht që duhet akoma më shumë që të ringjallim çdo figurë, por këto janë kryesoret.

 

Ka ndjeshmëri nga njerëzit kur kalojnë?

Ka ndjeshmëri. E duan njerëzit këtë gjë që po bëj. Por thjesht është ajo që duhet t’i ngacmosh pak shqiptarët që të arrish diçka.

b-6

Ju bashkëngjitur me portretet e realizuara keni vendosur dhe nja një mbishkrim të shkurtër, në rastin konkret, fjalët e Nënë Terezës, ngjarjes siç është Lidhja e Prizrenit si dhe keni bërë bashkë dy figura?

Në fakt nuk isha me idenë që të bëja mbishkrime, por duke qenë se ka shumë mungesë informacioni për historinë, isha i detyruar t’i vendosja.

 

E kujt ishte ideja që keni vendosur Gjergj Kastriotin me Adem Jasharin?

Janë dy idhujt e mi dhe ishte e pamundur që të mos i bëja.

 

Kush të ka munduar më shumë nga figurat e realizuara?

Çdo figurë e bëj me kënaqësi dhe e kam për nder që e bëj dhe talentin tim kam vendosur që t’ia shpërblej Shqipërisë. Si proces është Lidhja e Prizrenit, e cila është ende e papërfunduar, por nuk më lodhin, i bëj me dëshirën më të madhe.

 

Përveç kësaj pasqyre pune që ne po të njohim ty sot si piktor, po vepra të tjera…

Unë kam qenë aktiv në të gjitha trevat shqiptare, tek shqiptarët e Malit të Zi, Preshevë, Iliri,  Çamëri.

b-4

Vetëm me këtë proces pune, murale apo zhanre të tjera?

Varet nga zona dhe rreziku që ke. Me muralet punoj kryesisht. Kam pasur probleme në Çamëri, nuk ishte e mundur ta përfundoja portretin siç duhej. Kam bërë veshjen popullore çame në Pilat.

 

Çfarë ndodhi?

Siç dihet, në shtetin grek Çamëria nuk ekziston, dhe të shkruash diçka për Çamërinë…

 

Pate incident konkret?

Nuk dua të jap shumë informacion.

b-4

Çfarë ke në planet tua të ardhshme?

Kryesisht cek pjesët më të dhimbshme të trevave shqiptare siç është Manastiri sot, Lugina e Preshevës, Bujanovci, Plava, Gucia… janë shumë treva që kanë nevojë për këtë frymë patriotike.

 

Një mesazh të veçantë?

Mesazhi i veçantë është që ne shqiptarët mund të bëhemi bashkë edhe pa politikën, siç e arrita unë mund ta arrijë edhe dikush tjetër.

bb-2

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top