Magjia e baletit është për të fryma e jetës. Nuk ka kurrë shterim energjish, vetëm punë, krijimtari dhe motivim. Kështu e gjeti edhe shfaqja më e fundit e dalë nga duart e saj. “Në majë të gishtërinjve” konfirmoi edhe një herë vullnetin dhe dashurinë e madhe që ka për kërcimin. Kjo shfaqje renditi jo veç suksesin e saj si baletmaestër, por si një grua që në karrierën e sa të gjatë di veç të shënojë arritje.
Blerina Arbana nuk është fort e dukshme nëpër ekranet shqiptare, jo se nuk i pëlqen, por sepse angazhimet e saj akademike i marrin të gjithë kohën, e asaj i duhet të jetë e kujdesshme në raport me to. Blerina së bashku me baletmaestrën tjetër, Alisa Gjoni, sollën në ArTurbina një vepër ku dhanë shpirtin e tyre artistik dhe human. Teksa e konsideron veten një grua të fortë, Blerina thotë se e gjen veten në një shprehje të Nensi Rathburn: “Një femër e fortë e kupton se logjika, vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe përdor të gjitha këto dhunti”.
“Në majë të gishtërinjve”, ishte një thirrje e vjetër që ju zgjoi të krijonit një shfaqje të tillë?
Jetën e kam konceptuar gjithmonë me lëvizje, udhërrëfyes kam dashurinë e madhe për profesionin që babai më ka injektuar qysh në fëmijëri dhe mësimet e tij i kam si hajmali, si etalon që më flet nga thellësia e shpirtit për të më bindur të bëj gjithmonë vepra të mira, artistike dhe humane, prandaj jam gjithmonë në punë, në shkollë dhe jashtë saj, me të vegjël e të rritur, me aktivitete, shfaqje e mbrëmje gala, brenda dhe jashtë vendit.
Në rolin e baletmaestrit çdo herë është përgjegjësi e madhe, sepse duhet të japësh çdo lëvizje mjeshtërisht të konceptueshme, të qartë në detaje e me profesionalizëm dhe e sigurtë për impaktin që do të marrësh. Baleti është poezia e shpirtit dhe trupit, e përzier edhe me një lloj nostalgjie. Sigurisht bashkëpunimi me solistët e TKOBAP, Adela dhe Anxhelo Muçollari si dhe me baletmaestren Alisa Gjoni ka qenë një përvojë që do të mbetet gjatë në mendjen time.
Kjo më jep një sadisfaksion të veçantë e më bën krenare për këta nxënës të mrekullueshëm, produkt i shkollës së baletit, të talentuar dhe profesionistë, që janë kaq punëtorë dhe tepër të motivuar. Erdhën si filiza të vegjël dhe u rritën duke u formësuar bukur. Janë këta balerinë që i falin spektatorit magji nga kërcimi i tyre.
Sa kënaqësi ju dha kjo shfaqje dhe sa profesionalizëm shpërfaqi në tri net?
Ishte një mbrëmje ku u përmblodhën reflektime shpirtërore, lëvizje plot elegancë, pasion dhe profesionalizëm. “Në majë të gishtërinjve” me Adela dhe Anxhelo Muçollari nxorën në pah vlerat e dy solistëve të TKOB si dhe të nxënësve të shkollës sonë, duke demonstruar aftësitë e tyre, të fituara ndër vite nga puna e përditshme ku disiplina artistike dhe përgjegjshmëria profesionale ishin evidente. Ishte një mbrëmje plot surpriza, copëza të jetës dhe rrugëtimit të bukur, por tejet të vështirë të kërcimit, në një raport shumë special artistik dhe emocionues. Adela Muçollari, një balerinë e palodhur, me ambicie, pasion dhe aftësi të jashtëzakonshme trupore, së bashku me Anxhelon demonstruan se puna, nënshtrimi i rregullave strikte, duke filluar nga mënyra se si ushtrohesh, mënyra se si ushqehesh etj, bënë që të rrezatojnë në skenë.
Çfarë ju bën ta doni kaq shumë punën dhe të mos ndaleni për asnjë çast së krijuari?
Baleti është e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja ime, dhe të tria këto mbushin frymëmarrjen time. Të më lësh pa to, do të thotë të më marrësh frymën, jetën. Me kohën gërshetohen edhe brezat. Ata janë aty për të përmbushur kohën, si akrepa ose ndjekin njëri-tjetrin për t’u dhënë kuptim minutave e orëve dhe unë jam në “vrap” për të kapur kohën, pa lejuar humbje të saj. E dua punën që bëj dhe nuk ndalem së krijuari, jam ambicioze në kuptimin e mirë, e si të mos jem kur shoh balerinët e mrekullueshëm Adela dhe Anxhelo që shkëlqejnë dhe mirëpresin çdo mësim e sugjerim për të arritur suksesin. I kemi mësuar, por edhe mësojmë prej tyre pa egoizëm, edhe pse ky art në vetvete është pak egoist. Puna jonë si pedagogë matet me koherencën e mësimdhënies, me pasion e përkushtim në mjediset e sallave të baletit, me përpikërinë e lëvizjes së përpunuar me anë të detajeve, duke i lidhur nxënësit me valët magnetike të artit të bukur të kërcimit, ku serioziteti është kumti i parë i cili duhet ngulitur në mendjen dhe shpirtin e nxënësit.
Paralel jeni të angazhuar dhe me një grup fëmijësh që do të jenë balerinët e ardhshëm.
Prej më shumë se 25 vitesh punoj me to me pasion e përkushtim, sepse është bukur të futesh dhe të eksplorosh emocionet, karakteret, personalitetet, dëshirat, ndjenjat e tyre, edhe pse janë të vegjël. Me grupin Millenium vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim edhe pse mbi shpatullat e tyre të njoma ata edukohen me ndjenjën e një përgjegjësie specifike për të debutuar si “Mjelma të vogla” e që më vonë transformohen në yje të së ardhmes. Edhe pse të vegjël e të paformuar mirë, ata punojnë çdo ditë, sepse është ajo skenë që hera-herës i hap perdet për ta, duke u bërë para kohe padronët e së ardhmes së tyre. Edukimi i pasionit për profesionin tek të vegjlit nuk vjen menjëherë, por në mënyrë graduale, duke i ngjarë stinëve, të cilat vijnë natyrshëm, sepse ndryshimi duhet të vijë i ngadaltë, ritmik dhe artistik.
Si e përkufizoni suksesin në angazhime paralele si në profesion, ashtu dhe si drejtuese e vjetër e një institucioni si Akademia e Baletit, si prind dhe bashkëshorte?
E rëndësishme për mua si drejtuese, mësuese, nënë, është të definoj suksesin sipas qëllimeve dhe rregullave specifike, sipas një vizioni të qartë, ku nxënësi është qëllimi kryesor dhe pa diskutim çdokush nga ne ndihet krenar për arritjet si çelësi kryesor i suksesit. Është bukur kur e gjen veten të rrethuar nga njerëz që të motivojnë dhe ti rritesh nga dita në ditë duke i orientuar nxënësit drejt përmirësimit dhe rritjes profesionale në mënyrën e duhur.
Asnjë nga ne nuk është imun ndaj sfidave dhe vështirësive që na sjell jeta. E rëndësishme është që të ngrihesh, të shkundësh baltën, duke ecur përpara me tërë fuqinë, duke u ballafaquar me guxim për të sfiduar çdo barrierë. Si drejtuese nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por asnjëherë nuk i kam thënë vetes “Unë nuk jam mjaftueshëm e zonja”. Me guxim, këmbëngulje për t’i bërë gjërat mirë dhe mbi të gjitha me ide të qarta për të ardhmen, për të drejtuar dhe menaxhuar pa u lodhur dhe në rrugë të drejtë. Si një shkollë specifike, jo vetëm si drejtuese, por edhe si mësuese, duhet të hyj në psikologjinë e nxënësit-balerinë dhe të njoh larminë emocionale që ai ndien para çdo ore mësimi baleti, frikën e dështimit, apo krenarinë e ngritjes në skenë.
Përditë përballem me këta nxënës, duke u dhënë kurajë se, sot është një ditë e re dhe të duhen sërish energji të reja për të vazhduar përpara. Por mund të ndodhin edhe devijancat që mund të shfaqen normalisht edhe gjatë punës së formimit të nxënësit-balerin, megjithatë me dedikim, me mish e shpirt punoj për të komunikuar shprehitë më domethënëse të lëvizjes së ngritur në art.
Cilat janë ambiciet më të afërta?
Është bashkëpunimi me projektin I-Erasmus me titull “Kërcimi përtej kufijve” i cili do të zhvillohet në datat 18-26 prill në Manerba del Garda, Itali. Në këtë projekt do të jenë pjesëmarrës nxënësit e shkollës sonë, të cilët përfaqësojnë Shqipërinë, Libertas Danza, Itali, Hodina HZS, Republika Çeke, Ecocompertinos, Spanjë. Qëllimi qëndron në edukimin ndërkulturor të të rinjve, zhvillimin e respektit për ndryshimet që karakterizojnë kulturat, për të stimuluar frymën e shkëmbimit ndërkulturor.
Eksporti më i suksesshëm shqiptar në botë janë arti dhe artistët. Së bashku me artistë të tjerë shqiptarë, unë, Leonard Ajkun, Ilir Shaqiri, Tomorr Kokona do të zhvillojmë Master Class për mbi 1000 balerinë nga e gjithë Europa në Siçili, në datat 13-14 prill. Po në këtë muaj, nxënësit e shkollës sonë do të përfaqësojnë Shqipërinë në Festivalin e 41-të Folklorik Ndërkombëtar të Fëmijëve, i cili organizohet nga Radio Televizioni Turk, me një mori vallesh nga treva të ndryshme të vendit. Si çdo vit edhe këtë vit shkollor po punohet fort nga të gjithë mësuesit e shkollës së baletit për të realizuar objektivin kryesor të saj, gjithëpërfshirjen e nxënësve në dy mbrëmjet Gala që do të zhvillohen në skenën e ArTurbina në muajt Maj-Qershor.
Maji, matura plot surpriza!
Nxënësit maturantë do të përmbyllin formimin artistik si balerinë me prezantimin e punës së tyre në një mbrëmje Gala në muajin Maj. Njëkohësisht, një bashkëpunim i ngushtë po zhvillohet edhe me TKOBAP, ku pas dakordësimit me drejtoren e TKOB Zj. Zana Çela, nxënësit tanë do të jenë debutues në shfaqjen e baletit “La Sylphide” dhe të shfaqjeve të ardhshme të kalendarit artistik të TKOBAP. Shtrirja e potencialit të bashkëpunimeve me ish-nxënës të shkollës së baletit, të cilët aderojnë sot në teatrot më prestigjioze si brenda dhe jashtë vendit, janë evidente në shkollën tonë.
Vlen për t’u përmendur ish-nxënësi Julian Bulku, i cili ka zhvilluar Master Class. Ai solli edhe koreografen e mirënjohur Christina Zanni, e cila zhvilloi classical Indian dance, një përvojë e re për nxënësit tanë. Së shpejti në shkollë do të zhvillohet dhe terapi-joga, për nxënësit dhe mësuesit nga Juli, trajnim i ofruar vullnetarisht prej tij, ku gjetja e mënyrës për të inkorporuar në jetën e përditshme të nxënësit, është inteligjencë për të qetësuar trupin, mendjen dhe ndërgjegjen, duke lehtësuar fushat problematike të shëndetit. Në datat 1-14 korrik 2019 nga ish-nxënësi i shkollës Leonard Ajkun do të zhvillohet Summer intensive program “Dancing in Albania Century Dance” me titull “Unë kërcej duke kërkuar rrugën drejt zemrës, trupit dhe shpirtit, në pafundësinë dhe harmoninë absolute të lirisë”.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.