Nga Orjona Tresa
Çdo e mirë e ka një të keqe, thuhet, i njëjti postulat vlen edhe për të kundërtën. Kujt i shërben e gjithë kjo? Në rastin konkret ne, njerëzve, që në marrëdhënie apo situata të ndryshme vendosemi gjithnjë para dilemave në kundërshti, përpara se atë mundësi që na jepet atypari ta shqyrtojmë ashtu siç duhet në vetë kushtet ku ndodhemi.
Në kohën e mësimit online për shkak të pandemisë, mësimdhënia në dy muajt e fundit kaloi përmes një shtegu të ri realizmi, atë të teknologjisë. Madje u shndërrua në pikë të nxehtë debati, nga ata që përpiqen të bëjnë politikë me çështje të tilla, duke u përpjekur t’u veshin anën e errët, për një vëmendje të kotë.
Por, me gjithë ngarkesën normale teknike, zërat e zhurmshëm, pamundësive sociale të disa shtresave shoqërore, por edhe aspektin e izolimit fizik, kjo zgjedhje, mësimi online, u anatemua. U mendua se askush nuk mund të pajtohej me një realitet krejt tjetër, i cili edhe pse me kufizime normale për shkak të praktikës së re, arriti t’i vërë në punë grupet e interesit, duke rezultuar me tregues pozitivë.
Dëshmi e arritjes jo 100%, por gati 80%, jemi ne prindërit, të cilët në sondazhet e realizuara në ditë të ndryshme për ecurinë, faktuam se zgjidhja e arsimimit përmes teknologjisë ishte e frytshme. Në fakt, sa prej jush që prej zgjerimit të teknologjisë dhe burimeve të informacionit që qarkullojnë prej aty, kanë mësuar dhe përftuar dije që nuk mund t’i zhbironin në kohë fizike nëpër libra? Natyrisht, nuk është absolute si tezë, por ama funksionon për të gjithë.
Le t’i rikthehemi procesit mësimor, këtë herë me një dëshmi nga mësuese Blerina Mërtiri e ciklit të ulët në shkollën “Andon Xoxa” në Fier. Me nota optimiste, ajo sjell një qasje të rëndësisë së dy proceseve të ndryshme, mësimit me kontakt dhe atij përmes teknologjisë, duke gjetur pozitiven tek të dyja e duke na bindur se ashtu si perëndimi ka vite që e ka kapërcyer këtë fazë mësimdhënieje, duhet të kuptojmë se sa më shumë mundësi, aq më shumë rritet interesi për njohuri dhe dije.
Si u arrit zhvillimi i mësimit online?
Nga studimet, mësimi në distancë e ka origjinën e tij në mesin e shekullit XIX në Evropë dhe në SHBA. Ideatorët dhe zbatuesit e parë të mësimit në distancë përdorën teknologjinë më të mirë të kohës së tyre, sistemin postar, për të krijuar mundësi për njerëzit që dëshironin të mësonin, por nuk kishin kushte për të ndjekur shkollat tradicionale.
Zhvillimi i madh teknik dhe shtrirja e gjerë e dy fushave themelore të elektronikës, radios dhe televizionit, në vitet 1920-1940 shënojnë dy ngjarje të rëndësishme në jetën e njerëzimit. Ato, duke i shërbyer shpërndarjes së informacionit dhe pasqyrimit të jetës së përditshme, u bënë edhe forma të reja shumë të rëndësishme për përdorim e mësimit në distancë.
Zhvillimi i sistemeve telefonike gjatë viteve të para të shekullit XX gjithashtu, shtuan mundësitë e mësuesve në distancë për të rritur numrin e studentëve. Por, sistemet telefonike kurrë nuk luajtën një rol të rëndësishëm, derisa në vitet 1980 u fut në përdorim teknologjia e telekonferencës.
Pas viteve 1980 dhe 1990 shënojnë një tjetër arritje të njerëzimit atë futjes në përdorim masivisht të rrjeteve kompjuterike dhe internetit. Mësuesit dhe studentët kishin mundësi të paraqitnin tekste, fotografi, zërin dhe pamjet e lëvizshme (video). Në ditët e sotme, në shkolla të shumta në SHBA, tashmë gati 50% e të nxënit bëhet nga distanca. Në këtë rrugëtim shkojnë edhe shkollat tjera të shumë vendeve të BE-së.
Cilët janë faktorët e implementimit të të mësuarit nga distanca?
Motoja e përgjithshme e mësimit në distancë është: kudo që je, kurdo që ke kohë dhe sa herë që ke nevojë për mësim. Nxënësit janë faktorët kryesorë që duhet të motivohen, të mbështeten, të inkurajohen në çdo situatë. Komuniteti është faktor kyç që ndihmon në realizimin e të mësuarit nga distanca, ku ekspertë të fushave të ndryshme si sociologë, analistë, psikologë e pedagogë e shumë të tjerë ndihmojnë në implementimin e të mësuarit në distancë. E ardhmja e mësimit online mund të përmblidhet në disa pika:
-Fleksibiliteti i kohës
-Vlera konkurruese
-Gjeografikisht i pavarur
-Përqendrimi bie mbi nxënësin
-Teknologji gjithëpërfshirëse
-Diversitet etnik
Si u përballën nxënësit karshi faktit që mësimi i tyre do të vazhdonte nga shtëpia?
Fillimisht, për nxënësit u konceptua si disa ditë pushimi, më vonë u informuan se si do të vijonin. Nxënësit e sotëm janë të njohur me teknologjinë e re, pasi ata e kanë vënë me kohë atë në përdorim. Shumë shpejt ata iu përgjigjën grupeve që mësuesit organizuan, dhe vazhduan komunikimin e përditshëm. Vë në dukje anën pozitive që kjo ishte një risi e re në të cilën nxënësit u përshtatën shumë shpejt. Nëpërmjet mësimit online ata kanë mundësi brenda grupit të shohin, të kontrollojnë dhe të krahasojnë punën e vet me të shokëve. Po kështu, shoh një përkushtim nga ana e nxënësve në realizimet e orëve me video pasi janë të përqendruar që t’i realizojnë sa më mirë ato, duke e ditur që do t’i shohin jo vetëm shokët, por edhe familjet e tyre, rezultate këto të cilat më parë nuk kishin pasur mundësi t’i shpërndanin.
Tani vëmendja e nxënësit për të qenë në kontakt është më e madhe, pasi gjatë gjithë kohës ata kontrollojnë se çfarë informacionesh, komentesh apo vërejtjesh nga mësuesi u dërgohen në drejtim të tij ose të shokëve.
Whats’app mbetet komunikimi online më i përdorur nga mësuesit, me 96.4% e tyre. Të mësuarit në çfarëdolloj mënyre nuk e humb asnjëherë vëmendjen dhe vlerën në asnjë kohë apo situatë.
Si e përballuan prindërit situatën e zhvillimit të mësimit online nga shtëpia?
Prindërit janë më meritorët për nga rëndësia. Ata do ta vuanin dënimin për fëmijën e tyre në rast të një dështimi për mënyrën e zhvillimit të mësimit online. Ata në fund duhet ta japin edhe pëlqimin e tyre. Në përditshmërinë e këtyre ditëve dëgjonim prindër që ankoheshin për ngarkesë në mësime, apo ankesa në drejtim të përdorimit të rrjeteve sociale, pasi edhe prindërit nuk ishin të gjithë të përgatitur për t’iu përgjigjur procesit mësimor në këtë mënyrë. Por edhe prindërit u përshtatën shpejt, dhe kjo situatë ka forcuar më shumë komunikimin dhe partneritetin nxënës-prindër-mësues, duke iu dhënë më shumë mundësi prindërve të marrin pjesë me nga afër në këtë proces të nxëni.
Në këtë situatë, partneriteti mësues-prindër-nxënës merr një rëndësi tepër të veçantë, për ta bërë këtë proces sa më efektiv. Ata kanë krijuar komunikime të përditshme, dhe këtë e dëshmojnë të dhënat e grumbulluara. Nga njëra anë rreth 93.9% e prindërve marrin çdo informacion që vjen nga drejtoria e shkollës dhe mësuesit e fëmijës së tyre, dhe i mbështesin ata duke lehtësuar marrjen e informacionit. Nga ana tjetër 95.7% e mësuesve shprehen se komunikojnë rregullisht me prindërit dhe nxënësit për marrjen dhe shpërndarjen e informacionit.
Si e përballuan mësuesit në nevojën e zhvillimit të mësimit online në kohën e pandemisë?
Mësuesit përsëri gjetën rrugëdalje në këtë sfidë, duke u mësuar fëmijëve që mësimi nuk duhet ndaluar as atëherë kur humbet mundësia, as atëherë kur s’kemi bankë dhe tabelë. Misioni i një mësimdhënësi të suksesshëm është që ta bëjë nxënësin e tij ta kalojë situatën e vështirë dhe të integrohet me atë çfarë po i servirim për të realizuar.
Në një situatë të tillë, ku ndodhemi për më shumë se dy muaj, nuk është e thjeshtë të punosh nga shtëpia si profesioniste, të kesh drekën gati si një amvisë e mirë, të përgatisësh fëmijët me detyrat e tyre si një prind i përgjegjshëm, në të njëjtën kohë gjithashtu, të përgatitesh në mënyrën më perfekte të mundshme mësimet për nxënësit, e me radhë. Pavarësisht zotësisë për të bërë shumë gjëra në një kohë, nuk mund të pretendojmë maksimalen për të gjitha.
Unë jam shumë optimiste që mësimi online do të ketë efektin e duhur, pavarësisht vështirësive që kemi hasur, derisa e kuptuan të gjithë mënyrën e funksionimit. Gjithsesi e rëndësishme është pjesëmarrja e të gjithë nxënësve. Mësimi online është opsion i mirë në kushtet kur nuk keni asnjë rrugë tjetër, që procesi mësimor të mund të zhvillohet.
A mendoni se ka mësues të gatshëm kur bëhet fjalë për përdorimin e sistemeve online?
Mësimi digjital është e ardhmja për shkollat e shekullit XXI. Mësimdhënësit kanë barrën kryesore për mënyrat e përhapjes së dijes. Gjithashtu Ministria e Arsimit në bashkëpunim me televizionin publik shqiptar kanë krijuar një rubrikë nëpërmjet televizionit që quhet RTSH SHKOLLA. Ndërkohë që edhe vetë Ministria e Arsimit nëpërmjet rrjeteve sociale shpërndan informacione, udhëzime, detyra, video apo programe që duhet të ndjekin mësuesit dhe nxënësit. Gjithashtu, mësuesit janë përfshirë edhe më parë në trajnime të ndryshme në fushën e informatikës. Gjatë periudhës së mësimit online nga shtëpia, është organizuar gjithashtu trajnimi dhe certifikimi si mësues online i një numri të konsiderueshëm mësuesish. Sot çdokush mund t’i qaset betejës së dijes përmes internetit dhe mund të komunikojë me shpejtësi, mjaft të jetë dëshira.
Sipas Bill Gates, teknologjia është vetëm një mjet. Për të bërë fëmijët të punojnë së bashku dhe të motivohen, mësuesit është më i rëndësishmi. Të zgjedhësh metodën e saktë të mësimit, është si të zgjedhësh veglën e duhur për punë. Dhe kjo detyrë i mbetet mësuesit, të cilët po e përballojnë më së miri.
Sa ndryshon ky proces nga mësimdhënia në klasë?
Të mësuarit tradicional ose metoda: “face to face” ka përvojën e vet të viteve. Mësues nga shkolla fillore janë të mendimit se fjalën e gjallë të mësuesit nuk mund ta zëvendësojë asgjë. Në një opinion tjetër thuhet që mësimi në internet nuk mund të zëvendësojë komunikimin e drejtpërdrejtë në klasë, sidomos tek nxënësit e klasave të para, mënyrën se si një fëmijë shkruan shkronjat, si i lidh fjalët, nëse i shqipton dhe i thekson ato saktë. Kështu, nëse ndonjë fëmijë zhgënjehet dhe nuk e di se si të gjejë zgjidhje, është më e lehtë në klasë sepse unë jam pranë tij, kështu që unë do ta inkurajoj dhe motivoj atë. Disa lëndë të shkencave natyrore kanë nevojë për mjete pune apo laboratorike të caktuara për të zhvilluar mësimin, po kështu edhe lëndë të tjera.
Në klasë mësimi mbahet me një infrastrukturë, ndoshta në disa shkolla dhe të papërshtatshme si: numri i madh i nxënësve në klasa të vogla.
Mjetet si tabela, shkumësi, libri, fletorja, lapsi, karrigia, tavolina, janë gjërat e domosdoshme për një orë mësimore; Nxënësit të ulur nëpër banka dhe të detyruar të rrinë për aq sa është e përcaktuar ora mësimore; Koha për mësim e kufizuar, duke mos pasur mundësi të ndërrimit të orarit; Demonstrimet e disa shembujve që janë të nevojshëm për sqarimin e shumë njësive mësimore jo gjithmonë janë të mundura etj.
Mësimi në distancë po aplikohet këto kohë në dy forma:
1.Leksione të xhiruara dhe të transmetuara në (RTSH)
2.Puna mes nxënësve dhe mësuesve përmes rrjeteve sociale apo platformave të ndryshme që mundësojnë krijimin e klasave virtuale (si google classroom, zoom,etj).
Gjithashtu mësimi në distancë ka dhe avantazhet e veta:
Koha a pakufizuar e mësimit distancë
Vlerësimi i punës së çdo nxënësi është më e komplikuar online, pasi nxënësi nuk është afër (përballë) mësimdhënësit dhe mundësia për ndihmë nga dikush apo kopjim është më e lehtë, gjë që i bën nxënësit të ndihen më të sigurt kur kanë familjarët në krah.
Mësimi mund të zhvillohet në vendin e punës, në shtëpi, shkollë ose kudo.
Nëpërmjet mësimit online është e mundur të integrohen tekste, grafikë, figura, video dhe zëra me anët të një mjeti të zhvilluar dhe mjaft tërheqës.
Nxit ndërveprimin student-student, demonstrime, vizatime, video, audio, hidhen materiale që ndihmojnë në konceptimin praktik dhe kuptimin sa më të mirë të problemit që është në diskutim.
Mund të realizohet demonstrim i shembujve me teknologjinë më bashkëkohore.
Shpërthimi i ideve shihet sot si diçka që secili ka mundësi të gjejë në të atë se çfarë i duhet. Sot çdokush mund t’i qaset betejës së dijeve përmes përdorimit të internetit dhe mund të komunikojë me shpejtësi.
Për të vlerësuar angazhimin e palëve në këtë proces, efektshmërinë e tij, si dhe mënyrat për përmirësimin e zbatimit të tij, MASH ka administruar një sondazh me mësues, nxënës dhe prindër për mësimin online. Sondazhi është administruar online. Kanë marrë pjesë 321 911 nxënës, prindër dhe mësuesit që ndanë kohën e tyre dhe morën pjesë në këtë sondazh të rëndësishëm për mbarëvajtjen e mësimit në kushtet e shtëpisë: 178 096 nxënës; 118 376 prindër; 25 439 mësues. Nga këta 96.8% e nxënësve, 95.3% e prindërve dhe 98.7% e mësuesve shprehen se janë dakord dhe shumë dakord për të marrë mësimet përmes komunikimit online.
A mund të vazhdohet për shumë kohë kështu?
Mësimdhënia online nuk është më perfektja, nuk është e vetmja, por jo e pamundur. Periudhës së pandemisë do t’i vijë fundi një ditë dhe do të kthehemi në jetët tona normale, do t’i rikthehemi mësimit “face to face” siç kemi bërë këtu e dekada më parë. Por duhet të vijë sa më shpejt dita ku teknologjia nuk mund të jetë më mjet luksi apo të përdoret vetëm për argëtim. Kjo përvojë na përgatiti për çdo lloj sfide. Madje mësimdhënia online mund të jetë opsion shumë i mirë edhe për situata mëse normale, për të gjithë ata që duan të marrin njohuri më shumë, pa qenë nevoja të ndodhen fizikisht në klasa. Mendoj që edhe pasi ne t’i kthehemi mësimit në shkollë, komunikimi online do të jetë përsëri një pjesë përbërëse e procesit mësimor, pasi tani u ambientuam dhe krijuam një zinxhir pune që mund ta ndjekim të gjithë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.