Mirëqenie

April 5, 2017 | 9:47

“Bletëzat”, të edukosh breza!

Pritshmëritë realizohen kur i prek nga afër gjërat, kur realja shfaqet para syve të tu si një tregues domethënës për atë çka ke ndërtuar në kokë. Teksa kalova pragun e godinës katërkatëshe, pas një porte të siguruar mirë hekuri, këmba më shkeli mbi tapetin e gjelbër, ku ndjeshëm shqisat nuhatën njëherësh aromën e barit të ri që sapo kish çelur. Më duhej të bëja disa hapa drejt vendtakimit, për të cilin gjendesha para kësaj ndërtese të madhe, me stil arkitekturor italian. Rreth e përqark ndjesia ishte e pamatë.

Nga Orjona TRESA

Në të majtën time, një hapësirë e madhe për vendparkim. Në të djathtë, parku me dekor lulesh, e në fund, këndi madhështor i lojërave. Mikpritësit më rrëfyen se ky investim serioz në 1000m2 hapësirë, ia vlente qëllimit për të cilin kishin ndërmarrë këtë udhëtim të bukur, jo thjesht infrastrukturor, por mbi të gjitha arsimor, në ngritjen e një institucioni edukimi për brezat. E natyrshëm, ai i prek të gjitha ciklet, që nga grupi i çerdhes, kopshtit dhe ai parashkollor.

Ndalem për një çast në hyrjen e Institucionit Arsimor “Bletëzat”, aty ku në faqen e murit qëndrojnë tabela të mirëorientuara, të vulosura në xham sipas një planifikimi ditor dhe mujor sa i takon grafikut ushqimor, programit shkollor, vlerësimet nga qendrat e shërbimeve sociale edukative dhe ushqimore etj. Ka shumë për të thënë aty. Ndalemi pak në prezantimin me udhëheqësit kryesorë të këtij Instituti Arsimor. Ata vijnë nga një botë e përgatitur akademike, me përvojë të gjatë në pozitat e arsimtarit dhe drejtuesve të lartë në shoqërinë shqiptare. Flasin me pathos për seriozitetin në funksionimin e “Bletëzat”, në rekrutimin e edukatorëve, mësuesve, personelin e kuzhinës, të gjithë të certifikuar sipas standardeve që lejon ligji. Në dy vite përvojë, Luiza dhe Ëngjëllushe rrëfejnë arritjet dhe sukseset, madje dhe pritshmëritë për të ndërtuar institucione të linjës edhe në zona të tjera të Tiranës. Tregojnë se si ia kanë dalë të ndërtojnë stafe të kualifikuara, ku për çdo grup ka dy mësuese për 14 fëmijë, të cilat merren jo vetëm me edukimin, por edhe me praktika didaktike dhe komunikuese me të vegjlit. Në klasa me hapësira të larta prej 3 metra e gjysmë, me hapësirë prej 40m2, ku ajrosja është natyrale dhe sistemi ngrohës është sipas standardeve perëndimore, ku fëmijët kanë dollapët e tyre të vegjël dhe ku nuk mungojnë këndet e bibliotekave për secilin grup, shembulli të lë pa fjalë.

Për ta parë nga afër “Bletëzat”, duhej t’i vizitoja klasat. Sytë rishtazi më ndalën te një nënë e re, e cila me merakun e ditëve të para të çerdhes për bijën e saj dyvjeçare, fshinte lotët e papërmbajtshëm. Por, ndjesia e nënës as që ngjante me atë të së bijës. Ajo ishte fare e qetë me grupin e shokëve të rinj. Madje po ushqehej me frutin e mëngjesit e po mësonte shoqërizimin me ta. Të gjithë në fakt ishin të lumtur me njëri-tjetrin, e përshëndesnin me gjestet e tyre. Shkëputemi e ndalemi te grupi i më të mëdhenjve, te katërvjeçarët. Ata ishin edhe më “të rritur”. Pohuan njëzëri mirëseardhjen, ndërsa na treguan punët e tyre të dorës që po përgatisnin me mësueset. Përshëndetemi edhe me këta bukuroshë të edukuar, dhe ngjitemi në katin e dytë, aty ku ishin më të vegjlit, por edhe më të mëdhenjtë. Vizitojmë të parët fëmijët e parashkollorit. Pa mburrje, por këta fëmijë ishin shembulli i gjithë institucionit arsimor. Kishe qejf të shihje germat e harkuara nga duart e tyre të vogla, punët në shkrime dhe dijet që kishin përvetësuar, duke i shndërruar në punime speciale, të cilat kishin zbukuruar në fakt të gjithë katin. Mbi kolonën e vetme në kat, një letër murale e bardhë, e qarkuar dhe vizatuar me ndjesitë e fëmijëve, ndërsa në faqen e murit përbri, të drejtat e fëmijëve, vulosur sipas ngjyrave nga duart e tyre të paqta.

Përshëndetemi me mësueset e klasës përgatitore, njëra prej tyre një zonjë në profesion, mbi 42 vjet arsimtare, ndërsa mësuesja tjetër sapo ka dalë nga bankat e shkollës. Të dyja së bashku plotësojnë njëra-tjetrën në veprimtarinë mësimore-edukative me fëmijët. Ato ndihen të vlerësuara për treguesit. Në fund të fundit, mësuesit janë shtyllat e para të ndërtimit të një personaliteti të ri. Mandej ndalemi në tri dhomat përbri. Porta hyrëse dukej si një skenë e vogël teatri. Në fakt, aty ishin më të vegjlit, të cilët rrokopujshëm rendnin pas edukatoreve dhe lojërave. Ishin sa të qetë, aq dhe të afrueshëm. Më bënë për vete këta vogëlushë të njomë.

Bashkë me Luizën dhe Ëngjëllushen vijuam të shohim ambientet e tjera të Institucionit Arsimor “Bletëzat”, ku evidentohej qartë pastërtia. Gati-gati më dukej se isha në një farmaci. Dhomat e gjumit të sistemuara, të pastra e perfekte dhe, gjithçka e shtruar sipas një modeli të kënaqshëm për syrin e të vegjëlve. Veçantia qëndron pikërisht te higjiena. Dhe te “Bletëzat” nuk kish se si të mos binte në sy steriliteti dhe pastërtia e tualeteve për çdo kat. Njëri i kuq dhe tjetri i gjelbër, i konceptuar për secilin prej fëmijëve me nënndarje më vete, deri dhe peshqirët e konsumit që janë njëpërdorimëshe. Por, nuk mbaron e gjitha këtu. Esenca e gjithë këtij investimi voluminoz dhe korrekt është kuzhina, bashkëkohore për mirërritjen e fëmijëve. Një menu speciale që nuk bie në përsëritje, por i shton larminë tryezës ushqyese për të vegjlit, sipas një diete të shëndetshme gjithashtu në bazë të pediatërve të afirmuar që bashkëpunojnë me Institutin Arsimor “Bletëzat”. Dy zonjat e kuzhinës kanë bërë çdo gjë gati për vogëlushët. Gjithçka shërbehet në servise pjatash material arkopal, i një cilësie të lartë në ruajtjen e ushqimit edhe në shije. E për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij mjedisi, në tre frigoriferët e mëdhenj ruhet çdo gjë me freski. Për të mos lënë pa përmendur edhe një detaj të rëndësishëm, ruajtjen e kampioneve ditore të ushqimeve që gatuhen çdo ditë, si garanci për standardin e cilësisë që shërbehet.

Në katin e nëndheshëm gjenden gjithashtu dhe tri mjedise po kaq të mëdha në hapësira, siç është këndi i madh i lojërave në ambient të mbyllur, dhoma e mësimit të pikturës, si dhe dhoma e baletit, ku zhvillohet program dy herë në javë.

Një rritje e shëndetshme ka treguesit e saj. Priremi të zgjedhim më të mirën për fëmijët tanë, duke kërkuar dhe qenë përzgjedhës të kushteve për standardin e rritjes dhe garantimin e një jete të plotë në aspektin e zhvillimit psikomotorik të fëmijës. A-ja e mirëqenies është roli edukativ. Kopshti “Bletëzat” është një shembull i ri, të cilit duhet t’i besoni! Falë përkushtimit akademik të formësuar në stafe profesionalë të mirëshkolluar dhe trajnuar brenda e jashtë vendit, ai i pret me dashuri dhe përkushtim  fëmijët. Midis mësuesve, drejtuesve dhe prindërve mbizotëron një frymë e lartë bashkëpunimi dhe respekti reciprok. Morali i stafit pedagogjik është i lartë, pasi gjenden forma efektive për nxitjen, inkurajimin dhe stimulimin e tyre. Puna në të gjitha nivelet ndërtohet e drejtohet nga barazia dhe ndershmëria.

Programet te Kopshti “Bletëzat” janë planifikuar me kujdes, duke u fokusuar në nevojat sociale, intelektuale, fizike dhe emocionale të secilit fëmijë.

  • Stafi pedagogjik merr pjesë vazhdimisht në veprimtari të ndryshme trajnuese edhe kualifikuese lidhur me edukimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve, që organizojnë institucionet përkatëse.
  • Stafi pedagogjik përshtat metodat dhe format e mësimdhënies, sipas fushave të zhvillimit dhe stileve të të nxënit të fëmijëve.
  • Fëmijët zotërojnë koncepte matematikore, sipas standardeve dhe përdorin artin për të shprehur botën e tyre të brendshme.
  • Kopshti zbaton një plan informimi për përshtatjen e fëmijëve të rinj, që vijnë nga çerdhet apo nga shtëpia.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top