Dëshmi

April 23, 2021 | 8:18

Bluzat e bardha, heronjtë e frontit të parë

Mjekët ishin fronti i parë i përballjes me sëmundjen. Në sfidë me një të keqe të panjohur, e cila në shtete të tjera rezultoi fatale. Janë ata që pavarësisht se dhe vetë u prekën nga virusi, dhanë maksimumin e tyre jo vetëm profesional, por mbi të gjitha human.

Nga Orjona Tresa

Shërbimi i çmuar i gjithë ekipeve të palodhur të spitalit infektiv Covid 1 dhe 2 për trajtimin me efikasitet dhe profesionalizëm të pacientëve, luftuan dhe vazhdojnë të luftojnë edhe në këto momente me sëmundjen e rrezikshme. Në këtë kontribut ata u shndërruan në shëruesit tanë shpirtërorë, ku veç shpjegimit të rregullave se si duhet t’u përmbaheshim, na treguan në daljet e tyre të shpeshta publike, se si të shpëtonim veten nga menaxhimi i panikut që kishte pushtuar botën. Ndër ta si shembuj historikë do të lakohen mjekë infeksionistë si doktor Pëllumb Pipero, Prof. Dhimitër Kraja, Dr. Najada Çomo, Dr.Arjan Harxhi, Prof. Silva Bino, Prof. Tritan Kalo, Dr. Dritan Mema, Dr. Esmeralda Meta, Dr. Eugena Tomini, Dr.Rovena Daja, Dr. Entela Kolovani, Dr. Marjeta Dervishi, Dr. Nevila dhe Dr. Arbër Gjermeni, Dr. Esmeralda Meta, Dr. Ermira Muço, Dr. Sadik Aliko, e shumë e shumë të tjerë.

Pararendës me punën e mjekëve nuk mund të lëmë pa përmendur infermierët, të cilët edhe pse të lodhur e me vrajet nën maskën e mbajtur 12 orë, arritën suksesin e shërimit të mbi 70% të të prekurve në një kohë rekord. Disa prej tyre janë infermierët Ana Luca, Ilir Velsula, Luke Malaj, Shegushe Mollaqi, Mira Kaloti, Rovena Rushiti, Amarildo Sina etj.

Nuk mjafton një vizitë me stetoskop, leximi i analizave të gjakut, një skaner i thellë apo konsulta të vazhdueshme. Ka shumë më tepër që e bëjnë një mjek të shihet si hyjnia në rrugën drejt shpëtimit. Është energjia dhe forca e tij e brendshme, e cila nëse arrin të përcillet në mënyrën e duhur, për së pari mes komunikimit verbal, ka në dorë edhe fitoren e pacientit, fitoren për jetën.

Ornela Gelaj është mjekja që falë këtij parimi, iu përkushtua misionit njëmujor në spitalin civil të Breshias në Itali, ku mes 30 mjekëve vullnetarë shqiptarë dha kontributin e saj. Emocione të papërsëritshme në një sfidë të panjohur, komplekse e gjithaq kuptimplote. Për Ornelën, specializante në vitin e dytë në QSUT, mjekësia ka qenë pasioni i saj që në vogëli. E rritur në një ambient mjekësh, babai mjek infeksionist dhe nëna kardiopediatre, ajo ka ndjerë çdo emocion të tyrin rreth punës dhe dëshirës për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Ndaj dhe përvoja në Itali, e bëri që të mos hezitonte në thirrjen për mjekë vullnetarë drejt shtetit fqinj.

“Ndaj kësaj pandemie pata një qasje mbase dhe më ndryshe se kolegët e mi, pasi babai ishte mjeku i parë që u infektua në detyrë në muajin mars. Fatmirësisht e kaloi pa asnjë shenjë klinike, në formë asimptomatike, dhe kjo më dha më shumë forcë e besim se shumica do ta kalonte kështu. Kur ndërmora këtë vendim, ua komunikova prindërve në telefon. Babai ishte shëruar, dhe në ditën që u nisa, ai rifilloi punën. Mund të them që ishte një përvojë e papërsëritshme në çdo aspekt, profesional e sidomos emocional. Duke qenë e licensuar në universitetin Tor Vergata në Romë, njihesha dhe me realitetin mjekësor të atjeshëm, por që ishte i tjetërsuar për shkak të situatës. Iu bashkëngjita kolegëve të mi në repartin sub-intensiv të sëmundjeve Interne/Endocrino Metabolike, rep COVID E në spitalin civil të Breshias.

Rreth 40% e stafit ishte i kontaminuar dhe ishin karantinuar. Atje kishin mungesa në staf. Ishin lodhur për net të tëra, por sidoqoftë reflektonin shpresë. Nuk pata frikë në asnjë moment. Kisha shumë besim e shpresë që situata do të shkonte drejt përmirësimit. E në fakt ashtu shkoi, por fatkeqësisht jo për të gjithë. Në rastet fatkeqe ishte e pamundur të mbaje lotët, kur duhet të njoftoje familjarët nëpërmjet një telefonate.

Izolimi i tyre nuk toleron mundësinë e një takimi, veçse në rrugë telefonike. Pavarësisht stafit të përkushtuar e terapive inovatore që po viheshin në zbatim, jo çdo gjë arrihej me fund të mirë. Ndërsa për rastet që shkonin mirë, lotët nuk mbaheshin nga gëzimi kur dëgjoje të sëmurët që kishin marrë veten dhe ëndërronin për jetën që i priste jashtë. Kur i nxirrnim nga spitali, dilnim të gjithë i përcillnim me duartrokitje, duke u uruar shëndetin.

Më kujtohet rasti i një zonje 99 vjeçe, që i kishte mbijetuar Pandemisë së Gripit Spanjoll, e në momentin e ardhjes tek ne na tha: Ju lutem, mos më lini të vdes nga ky virus i tmerrshëm! E në fakt, u përmirësua. Kjo më shtyn ta dua edhe më shumë jetën, profesionin tim, për t’iu dhënë jo vetëm ndihmën profesionale, por dhe shpresën njerëzve që mbase është e vetmja gjë që kanë. Kjo situatë më shtyn t’i dua edhe më shumë njerëzit, e sidomos të kuptojmë rëndësinë e jetës, e të mos lëmë asgjë për të nesërmen.

Jeta është dashuria për vetë jetën, ndaj falni sa më shumë dashuri për njerëzit tuaj të zemrës, familjen, por dhe gjithkënd që na rrethon. Secili nga ne duke u bërë një njeri më i mirë, e bën një botë më të mirë!”

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top